Vrasje e qëllimshme? Detajet e një aksidenti që tronditi opinionin publik

Nga hetimet e kryera policia dhe prokuroria dyshojnë se mjeti taksi me të cilin udhëtonte shoferi 60-vjeçar Bujar Agalliu dhe pasagjerja Elena Avdillari mund të jetë goditur qëllimisht nga fuoristrada “Benz ML”. Prova të reja se 23-vjeçarja Avdillari mund të ketë njohje me një nga personat që ndodheshin në makinën që i goditi nga pas.

Dilemat e policisë nëse vdekja e taksistit 60-vjeçar dhe pasagjeres 23-vjeçare ishte aksident apo goditje e qëllimshme, vijon ende edhe disa orë pas ngjarjes së rëndë. Taksisti Bujar Agalliu dhe pasagjerja Elena Avdillari humbën jetën pasi automjeti u godit nga pas nga një makinë dhe më pas humbi kontrollin duke përfunduar pranë një pike karburanti. Dyshimet e forta se ngjarja mund të ketë qenë e qëllimshme janë shtuar pasditen e djeshme, ku ka të dhëna ende të pakonfirmuara zyrtarisht, se Avdillari kishte njohje më parë me 24-vjeçarin që është pronar i mjetit që goditi nga pas taksinë. Këtë dyshim e kanë përforcuar pasi rezulton se në disa raste hyrje-dalje jashtë vendit Avdillari dhe Gjoka kanë udhëtuar në të njëjtën kohë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23.30 të mbrëmjes së të mërkurës në fshatin Maminas në aksin rrugor Durrës-Tiranë. Nga të dhënat që ka siguruar grupi hetimor, mësohet se Agalliu ishte duke udhëtuar drejt Tiranës në korsinë e shpejtësisë së superstradës kur në një moment është goditur nga pas nga një fuoristradë “Benz ML”, me targa “AA 060 SP”, ku sipas hetimeve paraprake ka të dhëna se ishte me shpejtësi të lartë deri 150 km për orë. Goditja ka qenë aq e fortë, sa taksia ka ecur rreth 100 metra zvarrë mbrapsht, dhe pasi ka hasur një bordurë është rrokullisur në ajër duke përfunduar përmbys pranë këtij karburanti.

Hetimet

Me mbërritjen e policisë në vendin e ngjarjes janë konstatuar dëmtime të shumta të autoveturës taksi, ndërsa ka qenë e pamundur të shpëtohej jeta e dy personave të cilët kishin vdekur pak pas përplasjes fatale. Disa metra larg aksidentit, efektivët e policisë kanë gjetur të braktisur mjetin tjetër që u bë shkak i aksidentit të rëndë. Nga verifikimi i kryer rezultoi se ai figuronte në pronësi të Dardan Gjekës, por ia kishte shitur disa muaj më parë Fation Zhapores. Gjithashtu, në mjetin e braktisur policia ka gjetur edhe njolla gjaku, që dyshohet se janë shkaktuar pas aksidentit. Nuk dihet se cili prej tyre ka qenë në drejtimin e automjetit që shkaktoi aksidentin, por ekspertiza zbuloi se në makinën e braktisur në anën e pasagjerit janë gjetur njolla gjaku, çka shton dyshimin se mund të kenë qenë dy persona që udhëtonin në të. Verifikimet e mëtejshme i kanë çuar hetuesit në një tjetër pikë të fortë, pasi të dhënat e para tregojnë se Eleni Avdillari kishte dalë jashtë vendit disa herë me 24-vjeçarin Gjoka, i cili është shpallur në kërkim bashkë me Fatjon Zhaporen.

Udhëtimi

Në portofolin e 23-vjeçares Avdillari policia ka gjetur një biletë udhëtimi drejt Italisë. Nuk dihet se përse e reja ka refuzuar që të shkojë në destinacionin e parashikuar, pasi më të dalë nga porti ajo i është drejtuar një mjeti taksi që drejtohej nga Bujar Agalliu dhe u nisën drejt Tiranës. “Kishte gjetur një vend pune dhe do të shkonte të punonte. Djali ishte në shtëpi unë në punë. Më tregoi e më tha se kishte ndodhur një aksident. Ajo nuk kishte mundur të kalonte në Itali dhe ishte kthyer.  Fajtori ka lënë makinën dhe është larguar”, deklaroi babai i 23-vjeçares. Ndërsa policia portuale shprehet se Avdillari nuk është kthyer për mungesë dokumentacioni, por dyshohet se ajo mund të ketë qenë me vonesë ose është detyruar të kthehet pas ndonjë telefonate apo konflikti.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Raporti: Sëmundjet e veshkave, gratë më të rrezikuara

Sëmundjet kronike të veshkave konsiderohen gjithashtu një faktor rreziku për ecurinë sa...
Read More