Vrasje në bastionin e mafies ballkanike

Nga Michael Martens, FAZ

Kur Angela Merkel vizitoi Kosovën në verën e vitit 2005, në programin e saj përfshihej edhe një takim me Oliver Ivanoviç. Pothuajse gjithmonë ishte kështu, kur një politikan perëndimor vinte në Kosovë: Një takim me liderin e serbëve të Kosovës ishte i përhershëm, për të pasur një ide mbi zhvillimet në atë zonë.

Ivanoviç ishte një pragmatist, që rritej aty ku të tjerët luanin me zjarrin e histerisë kombëtare dhe miteve. Ai ishte njeri i kompromiseve dhe i pajtimit të interesave, në vend të konfliktit dhe kërkesave maksimale. Ivanoviç ishte aktiv në Kosovë dhe në Serbi. Për një kohë të gjatë përfaqësonte interesat e pakicës serbe si anëtar i Parlamentit të Kosovës në Prishtinë. Më vonë bëri të njëjtën gjë për katër vjet si Sekretar i Shtetit të Kosovës në qeverinë serbe. Ai ishte një nga të paktët serbë, në gjendje që të fliste me shqiptarët, çka i siguroi respektin e atyre shqiptarëve të Kosovës që kishin nevojë për kompromis. Tani ai ka vdekur, i qëlluar nga autorë të panjohur me përkrahës të panjohur. Qeveria kosovare ka premtuar se do e sqarojë rastin, por kjo tingëllon më shumë premtuese nga sa është në të vërtetë. Veriu i Mitrovicës i banuar nga serbët, ku jetonte Ivanoviç dhe ku u vra përpara selisë së tij, është në hartën e Kosovës, por në fakt qeveria e Prishtinës ka pak ndikim aty. “Këtu është Serbi”, thonë banorët e kësaj zone në kufi me Serbinë.

Ivanoviç kishte bërë shumë armiq

Në mediat serbe dhe shqiptare u spekulua gjatë për autorët e mundshëm të kësaj vrasje. Por në fund të fundit mbetet gjithçka e paqartë, por diçka është e sigurt: Ivanoviç kishte bërë shumë armiq. Që në vitin 2005 ndaj tij ishte kryer një sulm, që nënkuptonte një paralajmërim. Në atë kohë një pajisje shpërthyese hodhi në erë makinën e Ivanoviç. Megjithatë ai nuk ishte aty pranë dhe shpëtoi. Autorët nuk u identifikuan kurrë- por rrethi i vrasësve të mundshëm ishte shumë i madh që në atë kohë. Elita nacionaliste shqiptare në Prishtinë e kishte halë në sy atë për shkak të mënyrës së qetë dhe objektive, me të cilën punonte për të drejtat e pakicës serbe në Kosovë. Ai denonconte sjelljet e këqija të politikanëve dhe fliste rrjedhshëm anglisht. Por edhe me nacionalistët serbë nuk e kishte mirë, pas përpjekjeve të vazhdueshme për të njohur dhe pranuar realitetin e pavarësisë së Kosovës. Kur Beogradi kërkoi një bojkot të plotë të institucioneve kosovare nga pakica serbe, ai nxiti pjesëmarrjen e serbëve në ngjarjet politike në Kosovë. Vetëm në këtë mënyrë do ishte e mundur që serbët të mbronin interesat e tyre në Kosovë.

Mënyra e drejtpërdrejtë për të kritikuar zhvillimet negative

Ai nuk i pëlqente shumë fjalimet boshe për Kosovën si toka e përhershme serbe apo si vendi i shenjtë i tyre. “Këtu janë serbë njerëzit, jo malet dhe pyjet. Njerëzit nuk duhet të tregojnë histori, por të na ndihmojnë praktikisht”, -tha ai njëherë. Por edhe tek autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, e cila është një semiprotektorat nën kujdestarinë amerikane dhe europiano-perëndimore, Ivanoviç kishte armiq. Kjo për shkak të mënyrës së drejtpërdrejtë të fjalimeve dhe kritikave ndaj dështimeve të të huajve. Në vitin 2014, Misioni i BE për Sundimin e Ligjit, EULEX, aktiv në Kosovë, u përpoq ta stamponte si një kriminel lufte në një proces të çuditshëm, duke kërkuar nëntë vite burg. Kjo habiti shumëkënd, sepse nacionalistët shqiptarë nuk e quanin Ivanoviç kriminel lufte. Përpjekja dështoi. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Ivanoviç kishte kundërshtarë edhe në nëntokën e fuqishme të Mitrovicës, e cila pas përfundimit të luftës në vitin 1999 është fuqizuar shumë përmes kontrabandës dhe bizneseve të tjera të paligjshme.

Vuçiç thërret Këshillin e Sigurisë

A ka ndonjë rrezik për destabilizim të marrëdhënieve serbo-kosovare? Kjo në masë të madhe do të varet nga qeveritë në Beograd dhe Prishtinë, presidentit të fuqishëm të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe homologut të tij me më pak ndikim, Hashim Thaçi. Vuçiç thirri të martën Këshillin e Sigurisë dhe e përshkroi vrasjen si një akt terrorist, pa dhënë të kuptojë se kë bën përgjegjës për këtë. Megjithatë vetë Ivanoviç kishte dhënë sinjale se nga kush do të kërcënohej. Në një intervistë me gazetarin investigativ serb, Dejan Anastasijeviç, në shtator të vitit të shkuar, e kishte përshkruar në mënyrë të zymtë situatën në veri të Mitrovicës: Sërish hidhen lëndë shpërthyese, vrasjet mbeten të pazgjidhura pavarësisht shumë kamerave në qytet. Mesa duket policia ka frikë nga autorët- ose është e lidhur me ta, mendonte ai. “Në Mitrovicë mbizotëron një ndjenjë e pabesueshme frikë dhe kërcënimi. Kjo për të na e bërë të qartë se këta njerëz nuk frikësohen nga shqiptarët, por nga serbët, nga kriminelët vendas, që lëvizin me xhipa pa targa në qytet”, -tha ai.

Policia është e pafuqishme përballë krimit

Është tragjike që 18 vite pas luftës, serbët kanë frikë nga serbët dhe prandaj largohen nga Mitrovica. “Njerëzit janë të frikësuar dhe heshtin, ose paketojnë gjërat dhe largohen”, paralajmëroi Ivanoviç përpara vdekjes. “Më përpara e dinim se ku ishte fronti, por tani nuk e dimë”. Tregtia e drogës në qytet lulëzon, policia vështron e pafuqishme, qytetarët ndjehen të pambrojtur. Kjo është arsyeja se përse vitin e kaluar Ivanovic deklaroi se do të kandidojë për kryetar të Mitrovicës- kundër kandidatëve të mbështetur nga presidenti Vuçiç i Serbisë. Pas këtij njoftimi, kërcënimet ndaj tij u rritën. Ivanoviç ishte i kujdesshëm për të mos e lidhur direkt Vuçiçin me mafien në Mitrovicë, por fliste me elokuencë për lidhje të strukturave kriminale me politikën. Shumë anëtarë të partisë së Ivanoviç u tërhoqën pasi ndjeheshin të kërcënuar. “Për dikë që ka një infrastrukturë të tillë dhe shumë para në dispozicion, një parti e vogël si e jona nuk duhet të jetë problem”, thoshte Ivanoviç- dhe e dinte se në fakt ishte problem.

Ai vendosi të injorojë kërcënimet.

Ivanoviç ishte një luftëtar karateje dhe mund të mbronte veten ndaj një sulmi fizik- por jo kundër gjashtë të shtënave që goditën trupin e tij të martën. Do të ishte e rëndësishme për Kosovën, Serbinë dhe jo më pak për serbët në Mitrovicë që vrasja të zbardhej. Por shanset nuk janë të mira. Sa i përket zbatimit të ligjit, Mitrovica mbetet një tjetër vrimë e zezë, që sapo gëlltiti një tjetër viktimë.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ministrat teknikë nuk janë shenjë bashkëqeverisjeje, por shenjë e një klime të re politike

Nga Ervis Iljazaj Ka shpërthyer edhe njëherë debati mbi qëndrimin ende në...
Read More