Vrasje, rrëmbim e gjobëvënie: Pistat e hetimit për vrasjen e Edison Harizajt

Dy ditë pas atentatit me armë në Durrës ku mbetën të vrarë Edison Harizaj dhe Genci Coca policia ngre pistat e para të dyshimit. Policia dyshon se ekzekutimi mund të jetë kryer për hakmarrje. Kush ishte 39-vjeçari mik i Emiljano Shullazit dhe pronar i disa bizneseve në Vlorë.

Rikthehen atentatet e tipit mafioz në vend, duke lënë dy viktima. Mbrëmjen e së martës në afërsi të Shkozetit në Durrës u ekzekutua me armë 39-vjeçari Edison Harizaj, ndërsa mbeti i plagosur rëndë shoku i tij Genci Coca, për shkak të plagëve të marra edhe ai ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në Spitalin e Durrësit. Autorët e krimit dyshohet të kenë qenë një grup personash që udhëtonin në dy automjete, pasi i kanë prerë rrugën autoveturës ku udhëtonin Harizaj dhe Coca është qëlluar në dy armë automatike me një numër të madh plumbash. Një nga mjetet që u krye atentati është gjetur i djegur pak kilometra larg vendit të ngjarjes. Policia dyshon se motivi i krimit lidhet me të kaluarën e viktimave, veçanërisht të 39-vjeçarit Harizaj. Ai njihej me disa pseudonime të ndryshme si “Edison Faqedjeguri”, “Edisoni i shtatë pallateve”, por edhe si “El padrino” në qytetin bregdetar të Vlorës. Ndonëse vitet e fundit nuk i ka provuar prangat, ai ka qenë i skeduar për vrasjen e gjyqtarit të Vlorës Skerdilajd Konomi dhe i dyshuar edhe për rrëmbimin dhe zhdukjen e disa të tjerëve. Gjithashtu, njihet si mik i Emiljano Shullazit. Nisur nga e kaluara e viktimave, policia dyshon se bëhet fjalë për larje hesapesh të bandave kriminale, por nuk përjashtohet edhe pista e hakmarrjes. Banorët që jetojnë –pranë vendit të atentatit janë shprehur se fillimisht dëgjuan një breshëri të zgjatur arme automatike dhe pas pak sekondash edhe një breshëri tjetër. Më pas autorët janë larguar me shpejtësi duke përdoruar dy automjetet. Ndonëse policia dhe autoambulanca mbërriti shpejt në vendin e ngjarjes është konstatuar vdekja në vend e Harizajt, ndërsa Coca edhe pse i plagosur rëndë kishte shenja jete dhe u dërgua në spital. Sipas ekspertëve të policisë automjeti është qëlluar në të dyja anët pranë sediljes së shoferit dhe pasagjerit. Pjesa më e madhe e plumbave është konstatuar ne vendin e pasagjerit ku qëndronte i ulur Harizaj, çka shton dyshimin se objektivi kryesor i atentatit ishte 39-vjeçari i dyshuar për disa vepra të rënda penale.

Biznes, vrasje dhe gjoba

Viktima Harizaj është pronar i kompleksit “Oslo” në Vlorë dhe njihet si person me precedentë penalë dhe ka qenë i dënuar nga drejtësia shqiptare për një vrasje dhe plagosje në vitin 1999 në Vlorë. Emri i Harizajt ka dalë disa herë gjatë hetimeve për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale, përfshirë vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi apo zhdukjen e Albano Xhaferrit në Vlorë, si dhe vendosje gjobash ndaj biznesmenëve të ndryshëm në vend, por asnjëherë nuk u ndalua për to. Hetimet policore dhe të prokurorisë në qytetin e Vlorës shpesh ishin përqendruar te Harizaj, por nuk kanë mundur të sigurojnë provat, edhe në rastet kur ka patur dëshmi për implikimin e tij në veprimtari kriminale. Në Vlorë ai njihej nga shumë qytetarë dhe lidhjet e tij me elementë të rrezikshëm, të dyshuar për shumë ngjarje, por të papërballur me drejtësinë. Ai njihet si mik i Emiljano Shullazit dhe në vitin 2012 të dy janë ndaluar nga policia, ku u gjetën me armë pa leje. Pista paraprake e ngritur nga grupi hetimor për këtë ngjarje është ajo e hakmarrjes. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se autorët kanë qenë në dijeni të lëvizjes së Harizajt dhe Cocës që po lëviznin me mjetin tip Audi dhe u kanë dalë përballë duke lëvizur kundërvajtje, në kahun e kundërt të rrugës. Menjëherë pas ngjarjes dhe kontrolleve të policisë për gjetjen e kapjen e autorëve, u gjet vetëm një mjet i djegur plotësisht pranë varrezave të fshatit Shënavlash, që dyshohet se është përdorur nga autorët. Ndërkohë, viktima Harizaj, edhe kur ishte liruar nga burgu ishte bërë objekt hetimi, pasi në atë kohë, në tetor të vitit 2010, u arrestua kancelarja e Gjykatës së Krujës së bashku me bashkëshortin e saj avokat, pasi dyshoheshin se kishin marrë rreth 11 milionë lekë të vjetra nga Edison Harizaj për të ndikuar te gjyqtarët për lirimin e tij, ndonëse akuza nuk u vërtetua dhe çështja më pas u pushua.

Berisha: Ishte mik me Ramën e Xhafajn…

Ekzekutimi i Edison Harizajt dhe e mikut të tij Genci Coca nuk ka kaluar pa u komentuar edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha. Në një postim në faqen e tij në Facebook Berisha ka publikuar një mesazh, që sipas tij ka ardhur nga “qytetari digjital”. Për ish-kryeministrin viktima Harizaj njihej si mik me Olsi Ramën dhe Geron (Agron) Xhafajn, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. “Të dashur miq, dje në darkë u ekzekutua në Durrës, në një atentat mafioz, Edison Harizi, bosi i drogës dhe kapo banda e Vlorës, miku i ngushtë i Olsi Ramës dhe qeveritarëve të tjere socialistë dhe Geron Xhafës e Milit te Partisë, që i garantonin atij imunitet të plotë në veprimtaritë e përbashkëta kriminale”, shkruan Berisha në lidhje me këtë ngjarje. Gjithashtu, ish-kryeministri në vijim të qëndrimit të tij ka publikuar edhe një mesazh që pretendon se i ka mbërritur nga një qytetar në Vlorë. “Unë punoj në një biznes shumë afër kompleksit Oslo në qytetin e Vlorës , në këtë kompleks ka bazën një prej bandave kriminale më të egra në Shqipëri e cila në krye të saj mban si kapo Edison Harizajn, ose si njihet ndryshe ‘Edison Faqedjeguri’ krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. Olsi Rama, Goni Xhafa, Artan Habilaj dhe drejtori i policisë së Vlorës Gentjan Shehaj janë ngushtësisht të lidhur me të ata kanë qenë shumë herë te kompleksi”, shkruan ndër të tjera një person që ish-kryeministri e quan “qytetar digjital” nga qyteti i Vlorës. Ai ka vijuar me të tjera akuza, duke pretenduar se vinin në kompleksin e Harizajt për të ndarë pazaret e drogës. Gjithashtu, ish-kryeministri në rolin e përzgjedhësit të mesazheve që vijnë në adresën e tij ka postuar edhe një tjetër reagim që sipas Berishës i ka ardhur nga një efektiv policie në këtë qytet. Ai ka renditur disa nga dyshimet për implikim në vrasje, rrëmbim personazh dhe gjobëvënie të Harizajt, duke patur mbrojtjen politike dhe të strukturave të rendit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Seks dhe pushtet

The Economist Një lëvizje e nxitur nga një përdhunues i akuzuar mund...
Read More