Vrau babain me çekiç, prokuroria: T’i bëhet ekspertiza mendore 28-vjeçarit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për 28-vjeçarin Selman Aliaj, i cili vrau me çekiç babain e tij mbrëmjen e 22 dhjetorit, në oborrin e banesës së tyre në Shkozë.

Organi i akuzës ka kërkuar që të riut t’i kryhet ekspertiza mjeko-ligjore, pasi në deklarimet që ka dhënë përpara grupit hetimor, Selmani ka shfaqur paqëndrueshmëri. Selman Aliaj mësohet të jetë marrë dy herë në pyetje nga ekspertët e krimeve në drejtorinë e policisë së Tiranës, por seancat janë ndërprerë për shkak të gjendjes së rëndë psikike të 28-vjeçarit. Gjatë dëshmisë së dhënë më herët, i riu ka thënë se ishte konfliktuar me të atin për shkak se ky i fundit kishte vendosur ta martonte pa dëshirën e tij.

“Me babanë zihesha shpesh, sepse më tallte më thoshte budalla. Nuk më pyeste për asgjë. Edhe dasmën vetë vendosi ta bënte se unë nuk doja. E godita me çfarë më kapi dora se ma solli në majë të hundës dhe kur nuk po reagonte më, e mbështolla me një qilim të vjetër dhe e hodha buzë liqenit”,-është shprehur Selman Aliaj përpara grupit hetimor. Ndërkohë në dëshminë e dytë i riu ka ndryshuar versionin përballë hetuesve.

Ndryshe nga sa kishte thënë në fillim, se babai kishte vendosur ta martonte pa dëshirë, ai deklaroi më pas se ishte grindur shpesh me të atin, për çështje të ndryshme. Sipas tij me të atin ishte konfliktuar edhe gjatë verës, pasi i kishte kërkuar para për të shkuar në emigrim, por kishte hasur në rezistencën e këtij të fundit.

Gjithashtu, Selman Aliaj është shprehur i penduar për krimin e rëndë që ka kryer. Ndërkohë edhe pse viktima jetonte në Tiranë, ceremonia mortore e 74-vjeçarit Fejzi Aliaj u zhvillua në qytetin e Kukësit. Burime të policisë thanë se i biri, autori i dyshuar i vrasjes, ka kërkuar nga autoritetet që ta lejojnë të shkojë në ceremoninë e varrimit të të atit. Megjithatë kjo e kërkesë e të arrestuarit është refuzuar nga prokuroria. Në lidhje me këtë tragjedi ka folur për mediat një fqinjës e familjes së viktimës, e cila shprehet se nuk ka dëgjuar kurrë zënka prej tyre. Me Kodin e ri Penal, 28-vjeçari rrezikon burgim të përjetshëm. Autori i dyshuar për vrasjen makabre, pritet të dalë të martën para Gjykatës së Tiranës.

Reagimi i fqinjës

Një ditë pas këtij krimi makabër, ku 28-vjeçari Selman Aliaj masakroi për vdekje të atin me çekiç dhe më pas i hodhi trupin në liqenin e Farkës, ka folur për mediat një fqinjë e familjes së viktimës. Ajo shprehet se familja Aliaj ishte e rregullt dhe nuk ka pasur asnjëherë konflikt me ta. “I kam parë gjatë, jo vetëm një ditë, dy-tre ditë. Mirë kanë qenë, as kam dëgjuar shamatë, asnjë gjë. Si familje i di të rregullt, unë s’kam bërë asnjë fjalë me të. Çunat shumë të mirë, hynin e dilnin, nuk dëgjohej asnjë fjalë”,-tregoi fqinja.

Ngjarja

Të premten, rreth orës 20:00, në Shkozë, Tiranë, brenda ambienteve të oborrit rrethues të banesës së tyre, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se shtetasi Selman Alija, ka goditur me sende të forta (një çekiç) disa herë në pjesën e kokës, babain e tij shtetasin Fejzi Aliaj 74 vjeç, banues në Shkozë Tiranë, i cili, si pasojë e këtyre goditjeve ka gjetur dhe vdekjen e menjëhershme. Nga veprimet hetimore të kryera për këtë rast ka rezultuar se shtetasi Selman Aliaj pasi ka kryer veprimet e sipërcituara, ka ngarkuar trupin e pajetë të babait të tij Fejzi Aliaj në automjetin “Volksvagen”, dhe e ka hedhur trupin e viktimës në liqenin e Farkës.

Nga ana e shërbimeve të policisë, është bërë e mundur gjetja e kufomës dhe transportimi pranë ambienteve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, për kryerje të veprimeve të mëtejshme. Po kështu, është mundësuar gjetja dhe sekuestrimi i mjetit tip “çekiç”, me të cilin dyshohet se është kryer kjo vepër penale.

Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit Selman Alija, iu referuan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Vrasje për shkak te rrethanave familjare”.

Shkruar Nga
More from Revista User

Një çift i homoseksualëve në Indonezi do të dënohet me 100 goditje me shkop

Dy meshkuj në provincën konservative Aceh në Indonezi do të përballen me...
Read More