Vrau gruan gjyqtare, flet vëllai i autorit: S’e ndaloja dot ngjarjen, ia kthyen fëmijët kundër

Vrasja nuk justifikohet. Ne e kemi kokën të ulur për atë që ka ndodhur. Por, vëllai im vrau nënën e fëmijëve të tij, pasi doli nga vetja për shkak të saj. Fadili bëri gjithçka për Fildeze Hafizin. Ai mundësoi që ajo të bëhej drejtoreshë kopshti, investoi për arsimimin e saj, për gjithë të afërmit e saj. Dhe pasi arriti gjithçka prej tim vëllai, ajo e divorcoi, ia vuri fëmijët kundër dhe filloi të tallej me të”. Kështu deklaroi dje Eduart Kasemi, vëllai i 53-vjeçarit, i cili pak ditë më parë ekzekutoi bashkëshorten e tij gjyqtare në qendër të Tiranës. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Eduart Kasemi tregoi me detaje se si vëllai i tij i madh është njohur me Fildezen dhe se si marrëdhënia e tyre përfundoi në tragjedi. Sipas Eduardit, shkaku kryesor i kësaj tragjedie kanë qenë dy fëmijët, për të cilët Fadili kishte dobësi. “Unë nuk mund ta parandaloja këtë tragjedi, sepse sado ta ruaja, ai mund të çohej natën dhe ta bënte krimin”, tha vëllai i vrasësit të gjyqtares.

Zoti Eduart, vëllai juaj akuzohet për vrasjen e ish-gruas së tij. Cili është reagimi juaj?
Aq shumë sa ka bërë për mua ai vëlla, saqë të më kishte vrarë mua, ia kisha bërë hallall. Për çfarë ndodhi ishte brenda familjes, unë nuk mund të ndërhyja aq shumë në familjen e tyre. Ne e kemi kokën të ulur për atë që ka ndodhur. Vrasja nuk ka justifikim, por ata i kthyen fëmijët kundër. Vëllai im, sidomos për gocën bënte çdo gjë. E kishte debulesë, siç bëjnë baballarët për gocat. E thërras çunin tim tani këtu në qoftë se ju dëshironi. Ai është në klasë të tretë dhe pyeteni vetë se si sillej Fadili me fëmijët e tij dhe dëgjojeni se çfarë do të thotë. A u ka bërtitur ndonjëherë ai fëmijëve dhe a i ka rrahur ndonjëherë ata? Ai i përkëdhelte gjithë kohës. Nga fundi ikte djali im të takonte nipin dhe mbesën se i donte shumë dhe ata nuk i vinin.

Mendoni se krimin e ka kryer në gjendje të rëndë psikologjike?
Atë nuk e mbante vendi. Ai bëri çdo gjë për familjen e tij dhe ndiente se fëmijët po i largoheshin dhe për këtë gjë fajësonte ish-bashkëshorten. Ai i donte fëmijët e tij dhe distancimi i tyre sipas tij i ndikuar, po e vriste. Kohët e fundit ishte shumë në tension, nuk ishte në vete. Ai ishte njeri me emër dhe humbi çdo gjë, shkoi në zero.

Nipërit e tu thanë për mediat se ata ndiheshin të terrorizuar pranë të atit. Si e shikoni ju reagimin e tyre?
Ata janë fëmijë. Janë të lënduar. Humbën të dy prindërit në të njëjtën kohë. Nuk ishte mirë kështu, si për të ndjerën, ashtu edhe për tim vëlla. Por shiko çfarë bëjnë. Kërkuan ndihmë nga shteti, shtëpi, ndërkohë ai i ka ndihmuar gjithmonë. Çdo gjë që ka, ua ka lënë në testament fëmijëve. Deri dje ata fëmijë me babën ishin duke u puthur dhe sot tregojnë që iknin të mërzitur nga ai. Kush i bën këto gjëra? A janë ata që flasin kështu, apo janë të ndikuar?

A mendoni ju se mund të parandalohej ky krim?
Unë nuk mund ta parandaloja këtë tragjedi, sepse sado ta ruaja, ai mund të çohej natën dhe ta bënte krimin. Nuk ma mori mendja që mund të arrinte në këtë pikë. Sado që u përpoqa, nuk mund të ndërhyja në jetën e tyre, pasi secili ka shtëpinë e vet, nuk më lejonte.

Çfarë profesioni ka pasur Fadili?

Fadili në kohën e komunizmit ka qenë magazinier. Im vëlla ka hequr shumë që në vitet ’90. Ka qenë ndër të parët që ka ikur me anije në drejtim të Italisë dhe për vite me radhë atje ka punuar në ndërtim bashkë me vëllain tjetër. Më pas u mor me tregti, ishte shumë i zoti. Ishte djalë i shkathët. Motra jonë ka një dyqan te çamët dhe Fadili bashkëpunoi me të për disa kohë, par ka shumë vite që është shkëputur. Shumë veta e kishin zili dhe të arrinte puna në këtë pikë s’ma ka marrë mendja. Vetëm nga ai s’e prisnim ta bënte një gjë të tillë. Ne jemi me origjinë çame, jemi 6 vëllezër dhe 7 motra. Çdokush nga ne mund të binte në humnerë, por ai jo. Nga ai s’e prisnim. Ne nuk jemi familje hajdutësh, nuk jemi marrë kurrë me drogë apo me punë të pista. Nuk kemi ushtruar kurrë dhunë. S’e di si ndodhi kjo me Fadilin.

Si është njohur Fadili me të ndjerën?

Kur e njohu ish-bashkëshorten, ajo jetonte në Shkodër. E mori në Tiranë bashkë me vjehrrin, vjehrrën, kunatën dhe gjyshen e saj. I gjeti shtëpi këtu afër Xhamllikut, në mënyrë që të ishin afër me gocën dhe qiranë ia paguante Fadili, pasi ata nuk kishin mundësi ekonomike. I ati i të ndjerës punonte roje në spital dhe nuk e përballonin dot ndryshe jetesën.

Pse mendoni ju se gjërat shkuan deri këtu?

Ish-bashkëshortja e Fadilit në fillim punonte edukatore kopshti. Vëllai im ndërhyri që ajo të bëhej drejtoreshë e atij kopshti. Më pas investoi në arsimimin e saj. E regjistroi në shkollë për juridik duke i bërë edhe magjistraturën. Ai ka investuar çdo gjë për atë. Ajo postin gjykatëse e mori prej tij dhe në fund e divorcoi tim vëlla dhe nuk mjaftoi vetëm kjo, por shpesh tallej dhe thoshte poshtë e lartë: “ç’më gjeti me këtë”. Por, njeriu duhet ta kthejë kokën mbrapa, të kuptojë nga ka ardhur. Si ka qenë më përpara dhe duhet ta vlerësojë burrin për çdo gjë që bëri për atë. Kush i rriti ata fëmijë ndërkohë që ajo vazhdonte shkollimin? Ai ishte shumë i përkushtuar, e çonte dhe e merrte ish-gruan nga shkolla dhe ndërkohë shkonte në shtëpi dhe mbante e ushqente fëmijët. Kush ia rriti fëmijët kur ajo bënte shkollën? Im vëlla u bë dhe grua në familje. Të jesh dikush me emër dhe në fund të hash veten në brendësi.

Vëllai juaj ka qenë më parë në burg për ngjarjen e ndodhur në vitin 2015. Pasi doli nga burgu, a takohej me fëmijët? Po gjatë kohës që ka qenë në qeli?

Fëmijët nuk i kanë shkuar asnjëherë në burg. Edhe ne i kemi dërguar fjalë, por sërish nuk shkonin. Ndërsa, kohët e fundit fëmijët nuk i vinin më. Kishte një muaj që nuk i kishte takuar fëmijët. Një javë para se të ndodhte ngjarja i kishte takuar. Ne jemi shumë të afërt me njëri-tjetrin. Më përpara fëmijët tanë rrinin gjithë kohës bashkë. Janë shumë nipër e mbesa që mblidhen çdo fundjavë. Djali im rrinte shpesh me fëmijët e Fadilit, i do shumë. Ne si familje, për fëmijët bëjmë jashtë mase. I fusim nëpër aktivitete sportive, u qëndrojmë afër. Im vëlla akoma më shumë se ne. Në qoftë se fëmijët e mi bënin një javë pushim, të Fadilit shkonin nga një muaj. Ata ishin gjaku i tij. Ai nuk mendoi më gjatë. Ideja që atij po i merrnin fëmijët dhe që po i largoheshin e rëndoi shumë.

Ish-bashkëshortja e tij ishte gjykatëse…

Ai nuk e vrau për post pune, sepse shoh që të gjithë përmendin postin e gjykatëses, por krimin nuk ndodhi sepse ky ishte klient i saj apo sepse kishin përplasje që vinin nga një gjykim në punë. Krimi ishte brenda në familje. Ndodhi për shkaqe të brendshme dhe nuk ka pse të përmendet posti i saj. Nuk ka kuptim.

Ju si familjarë, si ndiheni pas këtij krimi të rëndë?

Jemi shumë të shkatërruar nga e gjithë kjo. Ai do e kalojë jetën në burg, por nga gjaknxehtësia mori fund çdo gjë.

Pas ngjarjes, policia tha se Fadili kishte marrë peng një makinë të rastit dhe ka kërcënuar shoferin që ta largonte jashtë Tiranës. Çfarë mendoni për akuzën e pengmarrjes?

Fadili nuk e ka marrë peng shoferin e fugonit. Ai i ka kërkuar që ta dërgojë në komisariatin nr. 1 për t’u dorëzuar. Nuk ka kuptim që vëllai im ta ketë marrë peng dhe të mos e ketë kuptuar që shoferi po e dërgonte te komisariati, pasi ai i njeh shumë mirë rrugët e Tiranës. Policia duhet ta verifikojë këtë pjesë, pasi Fadili nuk mundet të marrë përsipër edhe këtë akuzë.

Shkruar Nga
More from Revista User

Jennifer Lopez puthet publikisht ish-bashkëshortin

Ky mund të quhet një nga lajmet më befasuese të ditëve të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.