Vuante nga depresioni, i jep fund jetës gazetarja Arlinda Canaj

Gazetarja dhe shkrimtarja, Arlinda Canaj, i dha fund jetës pasditen e djeshme, duke u hedhur nga lartësia.

Ngjarja u denoncua në Policinë e Tiranës rreth orës 17:10 nga familjarët e 46-vjeçares Canaj, të cilët e raportuan rastin si vetëvrasje.

Nga ana tjetër, burime nga Policia thanë se, nga hetimet paraprake, dyshohet se vetëvrasja ka ndodhur në kushtet e depresionit.

Arlinda Canaj ishte gazetarja kryesore e portalit “Konica.al”, ndërsa ndër vite ka punuar në disa media të njohura.

Canaj ka qenë edhe një prej bashkëpunëtoreve të revistës “Psikologjia”. Canaj ishte nënë e dy fëmijëve.

Më pas edhe media ku ajo punonte, “Konica.al”, ka njoftuar për ndarjen e saj nga jeta.

“Arlinda Canaj, gazetarja kryesore e ‘Konica.al’ ka vdekur sot papritmas! Jeta shpesh nuk është gjë tjetër, veçse një shaka tragjike. Një gazetare themeluese e ‘Konica.al’, një nga gazetaret kulturore më të rëndësishme të vendit, Arlinda, kolegia jonë, ka humbur jetën sot papritmas. Në mëdyshjen për të mos spekuluar me vdekjen e saj dhe dëshirës që njerëzit e saj të dashur të kenë më shumë solidaritet, ne zgjodhëm të dytën! Çfarë dhimbje të shkruash këto fjalë për një jetë të re! Për një nënë! Për një kolege të përkushtuar dhe elitare që deshi ta përçmonte jetën e zakonshme!”.

Ky është ngushëllimi që stafi i “Konica.al” ka vendosur të shprehë publikisht nëpërmjet faqes zyrtare të Facebook-ut.

Nga ana tjetër, ngjarja u publikua mbrëmjen e djeshme zyrtarisht edhe nga Policia e Tiranës, që ndër të tjera deklaroi se oficerët e Komisariatit nr.4 kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Policia tha se, fillimisht 46-vjeçarja është dërguar në spitalin e traumës në gjendje të rëndë për jetën.

“Rreth orës 19:30, mjekët lajmëruan se shtetasja Arlinda Canaj ka gjetur vdekjen si pasojë e goditjes së marrë nga rënia nga lartësia. Nga hetimet e kryera është më- suar se kjo shtetase merrte mjekim prej gjashtë vjetësh, pasi vuante nga depresioni dhe dyshohet të jetë vetëhedhur nga ballkoni i banesës së saj”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

25 Qershori ndryshoi sistemin, por jo aktorët

Nga Ervis Iljazaj Fitorja e Partisë Socialiste  si forcë e vetme në...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.