Wanted

Kanabizimi masiv i 2016-ës dhe dora që përkëdheli trafikantët. Policia mes dilemës për të bërë detyrën dhe tundimit nga ryshfeti për t’u lidhur me grupet kriminale të kultivimit të kanabisit. A janë tre ish-drejtuesit e Policisë së Vlorës vetëm një pjesë e vogël e punonjësve të implikuar? Prokuroria dhe Ministria e Brendshme, në betejë për të gjetur kush dekonspiroi operacionin. Droga si histori “suksesi” dhe prishje imazhi.  

Nga Sebi Alla

Kryepolicët e vitit 2016 po korrin atë që mbollën, dhe “fruti” është një palë pranga që do bien në duart e secilit që lejuan, (me dhe pa ryshfet), kanabizimin e vendit. Tre nga të paprekshmit e Policisë së Vlorës janë në kërkim, si të implikuar drejtpërdrejt në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Kryepolici i Vlorës që drejtoi këtë qark nga shtatori 2014-prill 2017 Jaeld Çela dhe dy vartësit e tij të rangut të lartë, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila mbesin në arrati, pasi në momentin dhe kohën e duhur për ta, u larguan pak pas lëshimit të tre urdhër-arresteve. Ikën dhe lanë pas një shije të keqe për policinë aktuale, që thuhet se është pastruar nga elementët e korruptuar që u përfshinë në kultivimin masiv të kanabisit. Dikush dekonspiroi operacionin dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, më shumë se kushdo e ka të qartë se spastrimi i radhëve të policisë nuk kryhet me fushatë, as me “makinën e së vërtetës”, por me një reformë të thellë, fundi i të cilës mund të zbulojë deri në çfarë pike u bë pis policia e shtetit. Në këtë rast nuk flitet vetëm për njollë të imazhit, por një implikim të rrënjshëm me grupet e trafikut të lëndëve narkotike, pasojat e të cilëve po i mban mbi shpinë kryesisht Italia. Në ditët e sotme kur mendohet për “policë të korruptuar” shigjetat nisen në “tabelën e saçmuar” të Saimir Tahirit. Ish-ministri i Brendshëm, përveç një policie të bërë pis në trafiqe, ngjan se ka edhe mëkate të tjera për të larë, pasi kushëriri i tij Moisi Habilaj ka një dosje të stërmadhe në Katania. Në disa përgjime ai përmend mbrojtjen që kishte si nga policia lokale vlonjate, ashtu edhe të një “shefi të madh” në Tiranë. Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se “shefi i madh” është Saimir Tahiri dhe ndaj tij ka ngritur katër akuza të rënda. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama mundohet të kurojë atë për të cilën merakoset më shumë, imazhin e tij dhe qeverisë. Në një lloj mënyre ka bërë distancim ndaj Tahirit, por jo aq shumë sa të detyrojë ish-ministrin t’i dalë kundër. “Nëse drejtësia vërteton të kundërtën e besimit të pafajësisë që unë kam për Saimirin, atëherë mund të them vetëm fjalën vemje për të”, deklaroi kryeministri një natë më parë. Politikisht Rama po luan disi mirë në ngushtësinë e ndodhur, duke dalë si i zhgënjyeri i madh për ish-numrin një të Ministrisë së Brendshme apo drejtuesit e lartë të policisë. Gjithashtu, herë pas here ndonjë detaj tregon se ka frymë për të larguar të gjithë këta “vemje”, që krahas vendit, tradhtuan edhe besimin kryeministror. Dyshohet se Çela dhe Kohila janë kthyer në Shqipëri tre ditë më parë. Prokuroria ka shfrytëzuar pikërisht këtë moment për të lëshuar urdhër-arrestet, por në mënyrë më se të dyshimtë që të dy arrijnë të zhduken pa u arrestuar. Megjithatë dekonspirimi i mundshëm i aksionit për arrestimin e tre ish-zyrtarëve të lartë të policisë, e lë ende kreun e qeverisë në ankth ditor, ndaj zgjidhja për të ishte kërkesa publike drejtuar Fatmir Xhafës që të nisë hetimet për të gjetur të vërtetën. “Këto fakte provojnë se Policia e Shtetit ka funksionuar si një kupolë kriminale. Pastrimi duhet të nisë me vettingun jo të policisë, por të ministrisë dhe të qeverisë. Kjo duhet kryer nga ekipe profesionale dhe me integritet. Natyrisht kjo nuk mund të ndodhë pasi gjithë skema kontrollohet nga Edi Rama”, -tha kryedemokrati Basha, i cili në këto momente po mundohet të bëhet faktor, sepse shumë materiale ka në duar për të qenë një zë që duhet dëgjuar.

Policia dhe rrënjët e kanabisit

Do ishte luks të mendohej se tre syresh që lejuan të gjelbëronte cep më cep lugina e Lumit të Vlorës nga kanabisi të jenë të vetmit ish-drejtues me uniformën e shtetit që mbajnë mbi supe mëkatin e kanabizimit të vendit. Nëse do analizohen secili më vete, ata ishin më “naivët”, pasi nuk hezitonin që në sy të publikut, me prepotencën e të paprekshmëve lëviznin e drekonin me Moisi Habilajn dhe bandën e drejtuar prej tij. Habilajt kishin terrenin e lirë kudo. Në zonën e thellë të Labërisë parcelat e tyre rriteshin begatshëm nën mbrojtjen e elementëve të rëndësishëm policor. Nuk dihet nëse ishte legjendë apo një “vetëcensurë” nga efektivët e thjeshtë por të ndershëm, që as nuk merrnin guxim të raportonin për Habilajt, pasi e dinin se shefat e mëdhenj nuk donin t’i dëgjonin. Paprekshmëria e Habilajve ishte në Vlorë dhe Dhërmi ku dyshohet se niseshin gomonet e drogës, pranë vrojtuesve të radarëve në Durrës dhe kudo tjetër që e donte puna, por kurrsesi në Itali. Ky grup doli hapur, por të tjerë vepronin në zona të ndryshme në Shqipëri. Vendi bombardohej me lajme përgjatë muajve gusht-tetor 2016 për shkatërrimin e mijëra bimëve narkotike në vend. Guardia di Finanza përgëzonte punën e kryer nga pala shqiptare dhe gjithçka shkonte përshtat me frazën e famshme: “Policia që duam”. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama e dinte të vërtetën e drogës dhe kanabizimi nuk ishte vetëm thashethem opozitar që kalonte edhe në “gojëligët” e kafeneve, por sërish imazhi nuk duhej prekur, për më shumë që ora e zgjedhjeve të qershorit 2017 po avitej. Rama bënte batuta me “luajmë drogash” gjatë fushatës elektorale të nisur herët, duke ironizuar zërat se vendi po mbytej në kanabis dhe ishte shtrirë aq gjerë sa tashmë po i merrte frymën edhe asaj ekonomie të vogël fshatare që nuk guxonte të mbante bagëti në pyje, pasi ruheshin nga trafikantë të armatosur parcelat e hapura rishtas të mbjella me drogë. Ku të denoncohej? Të trokisje në dyert e policisë mund ta pësoje, pasi emri i denoncuesit shkonte më parë jo në regjistrat policorë, por në veshin e trafikantit.

Kanabis si ai i vjetshmi…

Nuk ishte vetëm Vlora, por një pjesë e mirë e vendit kaploi tendencën për kultivimin e kanabisit. Tregu i vitit 2015 kishte njohur luhatje të shumta në “bursën e marijuanës” duke u rritur çmimi i saj. Goditja që u krye në Lazarat dhe në Malësinë e Dukagjinit bëri që droga të ishte gjithnjë e më e pakët dhe tregu italian i etur për kanabis rriti çmimin deri në 800 euro me shumicë në Shqipëri. Për t’u pasuruar me një dorë të shpejtë që në fillim të marsit 2016 grupet e fuqishme kriminale zaptuan pronat kryesisht në zonat e thella malore dhe nisën masivisht kultivimin e kanabisit. Dyshohet se në vendin tonë të jenë futur mbi 8 milionë fara kanabisi dhe më pas u kultivuan ku të mundej. Problematike nuk ishte ndonjë ngastër e fshatarëve, por plantacione të tëra nën juridiksionin e elementëve kriminalë, që me “izmin” e një pjese të strukturave drejtuese të policisë lokale siguruan paprekshmërinë, kundrejt ryshfetit që shkonte deri në 50 euro për çdo bimë të kultivuar. Situata tashmë kishte dalë jashtë çdo lloj kontrolli dhe të vetmet që mundoheshin të bënin punën ishin agjentë Shërbimit Informativ Shtetëror, që përveç evidentimit të disa parcelave me kanabis, dhanë informacion edhe për punonjës policie që dyshohet se ishin të lidhur drejtpërdrejt me “grosistët e drogës”. Në Jug të vendit qarku i Vlorës mbajti rekord, jo më larg qëndronte qarku Gjirokastër me në krye krahinën e Tepelenës. Ky virus preku edhe zonën e qetë të Përmetit. Duke mbetur në Jug, krahina e Skraparit gjalloi nga kanabisi. Zinxhiri dukej sikur shkëputej në Fier që nuk pati tentativë për mbjellje masive, por gjithsesi vendin ia zuri Berati.  Në skajin Verior, Shkodra “përmbytej” nga bimët narkotike, më pas vinte Lezha, për të zbritur në Krujë dhe Fushë-Krujë, që nuk lanë ngastër pa hedhur farën e kanabisit. Kjo “sëmundje” ngjitëse e kultivimit të bimëve narkotike nuk depërtoi aq dendur në zona të tjera, por qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Durrësit, Shkodrës, Lezhës apo Korçës mjaftonin për ta renditur Shqipërinë në vendin e vogël që furnizonte tregun e madh Europian, veçanërisht Italinë.

Prokurori vs Polici

Në kulmin e lulëzimit të kultivimit të kanabisit prokuroria dhe policia ishin secila në skaje të kundërta. Më shumë se të mendohej për të luftuar fenomenin e kanabisit drejtuesit e saj u përfshinë në inate dhe përplasje politike. Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shfaqej shpesh në media dhe nuk linte rast pa sulmuar sistemin e drejtësisë, veçanërisht gjykatat, por herë pas herë trazonte edhe prokurorinë. Nga ana e saj, institucioni i akuzës u kujdes që të fuste në duar ndonjë dosje që më tepër shërbente si “shantazh” për kundërvënie. Është fakt që në shumë parcela me kanabis edhe kur shkatërroheshin, prokurorët nuk merrnin pjesë. Mjaftoheshin me disa procesverbale standarde të policisë dhe nisnin hetimet. Pavarësisht lumit të madh të informacioneve që mbërrinin nga SHISH, prokuroria shpesh u tregua e paaftë për të nisur hetimet kryesisht. Në një situatë të tillë, nuk kishte nevojë patjetër për referimet nga policia, pasi mund të hapte dosje pafund mbi kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, duke hetuar edhe drejtues të policive të rretheve më problematike. Kjo procedurë pak u ndoq nga institucioni i akuzës. Prokuroria “rilindi” vetëm në mars të këtij viti, që duke përfituar edhe nga situata politike dhe ndryshimi i ministrit, u vu në lëvizje të hapjes së dosjeve të vjetra. Aty daton edhe nisja e hetimeve për tre ish-drejtuesit e policisë së Vlorës, që u mbyll tre ditë më parë me lëshimin e tre urdhër-arresteve. Aktualisht prokuroria është në situatën tipike që nuk di ku ka “kokën”, sepse më 3 dhjetor i mbaron mandati kryeprokurorit Adriatik Llalla. Mazhoranca socialiste është shprehur hapur se Llalla duhet të largohet dhe ka nisur procedurat për të përzgjedhur një nga katër emrat e servirur për postin e kryeprokurorit të ri. Opozita gjithashtu është e qartë, pasi sipas saj Llalla duhet të qëndrojë në detyrë deri në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. “Qëndrimi ynë për Prokurorin e Përgjithshëm është i qartë: atë nuk mund të emërojë Edi Rama, Fatmir Xhafaj apo Saimir Tahiri. Ne kemi një plan të qartë veprimi”, deklaroi dje Basha. Kjo situatë pritet të japë shfaqjen e radhës së politikës, e cila ka ditur mirë të bëjë show të garantuar. Pavarësisht kundërshtive, kostoja që vendi mori nga kultivimi masiv i kanabisit në vitin 2016, shtuar edhe dyshimeve të forta për implikimin e drejtuesve të lartë të politikës dhe policisë kanë lënë një imazh negativ te ndërkombëtarët.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rudina Hajdari, jo vetëm si vajza e Azemit

Rrëfimi interesant i bijës së liderit të Lëvizjes Studentore dhe kryetar i...
Read More