Wess Mitchell vazhdon sulmin: Rusia po luan rol destruktiv në Ballkan

 

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Vess Mitchell, tha të hënën në Prishtinë se Rusia po luan një rol destruktiv në Ballkan duke shpërndarë dezinformata dhe duke dëmtuar institucionet demokratike. Ai tha se u është bërë e qartë rusëve se kjo nuk është në interesin e tyre dhe as në interesin e popujve të rajonit.

Ai i bëri këto komente në fillim të vizitës së tij në rajon, të cilën e hapi me Kosovën ku siç thuhet në një njoftim të departamentit amerikan të shtetit, po qëndron për të inkurajuar qeverinë e Kosovës “që të përparojë në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të forcojë sundimin e ligjit, të nxisë rritjen ekonomike dhe të kapërcejë sfidat rajonale në të mirë të qëndrueshmërisë dhe integrimeve perëndimore”.

Zoti Mitchell tha se fakti që udhëtimi i tij i parë në rajon fillon me Kosovën dëshmon se Shtetet e Bashkuara kanë miqësi me Kosovën dhe do të vazhdojnë ta thellojnë atë.

“Dua ta ritheksojë në këtë ndalesë të parë se Shtetet e Bashkuara janë për një Kosovë sovrane, shumetnike e demokratike dhe për t’u ri angazhuar për të mbështetur rrugën euroatlantike për Ballkanin Perëndimorë”, tha zoti Mitchell.

Ai tha se Kosova ka përpara hapa me rëndësi përpara përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përmbylljen e çështjes së kufirit me Malin e Zi dhe transformimin e Forcave të Armatosura përmes ndryshimeve kushtetuese. Ai theksoi se askush nuk ka të drejtë vetojë në çështjet e sigurisë së Kosovës.

Zoti Mitchell tha se këtë do t’ua bëjë të qartë edhe bashkëbiseduesve të tij në Beograd, ku ai pritet të qëndrojë të mërkurën për të inkurajuar qeverinë serbe “që të çojë përpara normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të bëjë reformat e duhura për të përmbushur synimin për anëtarësimin në BE dhe të mbështesë qëndrueshmërinë rajonale”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan për rrugët e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë por do t’u bëjë thirrje të dyja palëve që të punojnë së bashku në rrugën perëndimore.

Zoti Mitchell të martën do të qëndrojë në Maqedoni, në një kohë kur janë shtuar shpresat për zgjidhjen e problemit shumëvjeçar rreth emrit dhe integrimin e pritshëm të këtij vendi në strukturat euro-atlantike.

Diplomati Mitchell që mori detyrën në nëntor të vitit 2017 më pas do të vizitojë edhe Greqinë dhe Qipron.

Mitchell, një teksan, njihet për qëndrimet e tij të ashpra kundër Rusisë, të cilën e pati quajtur një vend revizionist.

“Europa është në flakë. Rusia është një grabitqar,” pati deklaruar ai një vit më parë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Lori Hoxha: Nga babi kishim frikë. Ai ishte fanatik!

U mbushen 10 vite nga ndarja tragjike nga jeta e themeluesit të...
Read More