Xhevit Hysenaj: Në vend të bimëve narkotike, bimë aromatike-mjekësore!

xhevit-hysenaj

Shoqata e Eksportuesve, Përpunuesve, Kultivuesve të Bimëve Aromatike – Mjekësore  të  Shqipërisë (MAP-AEPCA) në kongresin e saj të  2–të.

“Në vend të bimëve narkotike, bimë aromatike-mjekësore!”

Kjo ishte motoja e kongresit të dytë të INDUSTRISË SË BIMËVE AROMATIKE – MJEKËSORE, Eksportuesve, Përpunuesve, Kultivuesve të Shqipërisë (MAP – EPCA) në Korçë  2017.

Kjo industri ka 25 vite në tregun botëror dhe sot është e aftë të arrijë standartet botërore.

“Në vend të Bimëve Narkotike Bimë Aromatike – Mjekësore” – kjo është sfida e radhës për industrinë tonë. Industri e vështirë, por industri, zinxhiri i së cilës shtrihet në gjithë Shqipërinë, në zonat rurale më në nevojë të vendit.

Natyra jonë na e ka dhënë mundësinë, ajo e ka bërë të vetën dhe ne duhet ta bëjmë tonën.

Kultivimet janë, jo vetëm garanci për mbajtjen e tregjeve botërore në zotërim, por edhe fitimprurëse nga tokat tona të lëna djerrë prej shumë vitesh.

Aroma e sherebelës shqiptare dëgjohet në të tërë industrinë e salçiçeve në USA, në shumë lokale të vendeve të botës në formën e çajit apo në çimçakizat e ndryshëm dhe në farmacitë e botës.

Dhe lind një pyetje: A jemi ne në gjendje të kompensojmë një pjesë të ardhura ilegale me të ardhura legale në Shqipëri?

Kongresi i II-të i MAP-AEPCA në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë i dha një përgjigje të fortë nga Korça. Po! Ne jemi në gjendje! Kemi tregjet nëpër botë, kemi eksperiencën, kemi teknologjinë e cila po u afrohet përfundimisht standarteve botërore, atëherë ç’na mungon? Duhet angazhimi dhe kombinimi i punës me qeverinë dhe pushtetin vendor.

Është bërë një punë kolosale në drejtim të përzgjedhjes së farërave autoktone, të cilat po liçencohen nga dita në ditë në varietetet shqiptare.

Industria jonë dhe shoqata MAP-AEPCA ka një bashkëpunim të shkëlqyer me Ministrinë e Bujqësisë dhe partnerët donatorë ndërkombëtarë për mbarëvajtjen e industrisë MAP ALBANIA. Janë botuar manualet e teknollogjisë së përpunimit, janë botuar kartat teknollogjike dhe aprovuar si manuale nga Ministria e Mjedisit, janë bërë trainime dhe udhëtime studimore mbështetur nga AZHBR , USAID, SARED/Giz; IPARD LIKE  e shumë të tjera.

Të gjitha këto tregojnë se jemi në rrugë të mbarë dhe mund të përballojme SFIDËN e radhës. Një sfidë e vështirë por e arritshme.

Ndaj i është kërkuar Ministrisë së Bujqësisë një bashkëpunim i vazhduar dhe në fakt shoqata ka gjetur mbështetje  konkrete. Këtë e vërtetoi më së miri edhe mbështetja ndaj këtij kongresi, të cilin e përshëndeti dhe e nderoi me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tij edhe zoti Panariti, Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.

Ne të MAP-AEPCA i kërkojmë qeverisë shqiptare, krahas strukturave shtetërore anti narkotike, të shikohet mundësia e krijimit të fondeve të veçanta për të mbështetur strategjinë “Në vend të Bimëve Narkotike Bimë Aromatike – Mjekësore!”.

Nuk mjafton vetëm me shkuljen e bimëve narkotike, por duhet që këta njerëz në nevojë, pasi mbjelljet bëhen nga  fermerët anë e mbanë vendit, pikërisht këta fermerë, pa zvarritje burokratike e plotësim dosjesh qindra faqesh e dhjetra dokumentash, të mbështeten direkt që të zihen me punë, me punë legale dhe të vazhdueshme.

Të shumtë janë fermerët të cilët, për bukën e gojës, kanë marrë riskun mbi kurriz e janë angazhuar në biznese të pa ligjshme, ndaj kërkojmë dhe insistojmë, të hartojmë programe, dhe jemi të gatshëm të implementojmë projekte afat gjata, për të arritur në një kohë të shkurtër që t’i kthejmë sytë nga bujqësia legale me strategji afatgjata.

Me mbështetjen e Qeverisë dhe të Donatorëve, me këtë natyrë të mrekullueshme dhe tërë këto toka në dispozicion,  Industria jonë mund të vazhdojë këtë projekt dhe jemi të bindur se do ja arrijmë qëllimit.

Industria jonë nuk është më industri që shkon zvarrë, është një industri me teknollogji bashkëkohore, e cila i shpërndan prodhimet e veta nga Europa, USA e deri në Australi e Japoni.

Projektet e implementuara tashmë për riciklimin e mbetjeve kanë bërë që BAM Eterovajore të mos kenë mbetje dhe humbje, ato përdoren për energji BIO, për prodhimin e avullit nga i cili bëhet distilimi i bimëve në Essenca, mbetjet e imëta pas distilimit kompostohen në zona të veçanta për plehëra organike për fermerët.

Sot industria jonë është një cikël i mbyllur prodhimi fitimprurës.

Kongresi i II-të i MAP-AEPCA nga Korça fton të gjithë aktorët, në veçanti Ministrinë e Bujqësisë, të Mjedisit dhe atë të Brendshme, për të mbështetur këtë projekt, i cili do të zgjidhte një herë e mirë problemin e bimëve narkotike pa dënime, pa dhunë, por me një rrugë legale afatgjatë e fitimprurëse. Zoti Panariti, Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, na e premtoi mbështetjen e tij dhe të dikasterit që ai drejton.

Duke patur në  qendër të vëmendjes që të shtojmë kultivimet pa cënuar NATYRËN.

Biznesmenët e kësaj industrie tashmë kanë kuptuar se për të qenë konkurues duhet cilësi dhe  standarde. Ndaj cilësia po shkon në rritje pasi dhe përpjekjet janë të mëdha.

Qeveria Shqiptare, tashmë pas  memorandumit të 2-të të  Shoqatës Shqiptare të Bimëve Aromatike Mjekësore MAP – AEPCA dhe përkrahjes nga  Ministria e Bujqësisë, ka futur kultivuesit në skemat  e  subvencioneve si dhe në skemat e rimbursimit të TVSh. Të gjitha këto investime  nuk do të kishin kuptim nëse nuk do të operohej në dy drejtime, në atë të ruajtjes  së pasurisë natyrore si një thesar që jo  shumë vende të botës  e kanë, si edhe kultivimet masive në vendin tonë, ku përsëri klima është  shumë favorizuese.

Shoqata MAP -AEPCA ka një shqetësim të madh, i cili ka të bëjë me ndërgjegjen e kultivuesve në radhë të parë, por edhe në përmirësimin me masa tejet të rrepta për ata që e shkelin ligjin në këtë proces  të gjatë, të vështirë,  por edhe të këndshëm.

Ne duhet t’i themi të parët STOP abuzimit me natyrën. Ndofta një nga pikat e  forta që ka patur  shoqata jonë është bashkëpunimi mes të  gjithë aktorëve të  kësaj industrie,  nga kultivuesit dhe vjelësit, me përpunuesit  dhe eksportuesit,  si një zinxhir vlerash i njëjtë.

Shoqata Shqiptare e Bimëve Aromatiko – Mjekësore MAP- EPCA ka një vizion të qartë  për industrinë tonë. Industrializimi dhe riciklimi i mbetjeve teknollogjike të  Bimëve Organike. Ky vizion parashikon nxitjen e procesit zinxhir nga vjelësit, konsoliduesit deri tek  përpunuesit  eksportues. Një cikël i mbyllur. Vetëm në këtë  rrugë, duke përdorur  dhe ricikluar  mbetjet  si ujërat distilate, kërcellin dhe pluhrat e dala, bëjmë që  t’i shtohet vlera produktit, rrisim të  ardhurat e  vjelësve në zonat rurale, ku 75 % e  të  ardhurave nga eksporti kalojnë përsëri tek  vjelësit në zonat rurale. Në këtë mënyrë ekziston mundësia e  rritjes  së  çmimit të grumbullimit, pasi eksporti ka vlera të  shtuara, por  dhe  ulet  kostoja e prodhimit.

Bashkëkohore konkrete, gjurmëlënëse dhe bazë themeli e  industrializimit të kësaj industrie në standarte europiane, me objektivin për një cikël të  mbyllur dhe në një hark kohor prej 5 vitesh, ato të ardhura që mblidheshin nga bimët ilegale narkotike të  vijnë në  xhepat e fermerëve nëpër mes këtyre kultivimeve të Bimëve Aromatike – Mjekësore me farëra autoktone.

Projektet  e  ristrukturimit të  dafinës në  Bardhore  të Kavajës rrinë në  sirtare prej vitesh për një arsye të  thjeshtë, nga burokracitë dhe zvarritjet nëpër  zyra.

Ky projekt, i cili synon të rehabilitojë rreth 100 hektar dafine dhe mersine në kodrat e bukura buzë detit, jo vetëm se i rrit të ardhurat zonës përkatëse, por i jep një pamje mahnitëse buzë detit. Ato bëhen burim të eksportit duke kombinuar turizmin me  industrinë tonë.

Për këtë,  jo vetëm Bashkia e Kavajës, por edhe Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Bujqësisë, duhet të mbështesin këtë projekt më shumë .

Dhe për këtë  kërkohet të hiqen barrierat burokratike pasi vetë bizneset tona në bashkëpunim me donatorët e huaj do e implementojnë.

Zona të tilla strategjike dhe projekte të tilla ka plot në Shqipëri, për dafinën, për mersinën, për rozmarinën e për shumë të tjera.

Xhevit HYSENAJ

Kryetar i Shoqatës së Eksportuesve, Përpunuesve, Kultivuesve të Bimëve Aromatike – Mjekësore  të  Shqiperisë  (MAP-AEPCA)

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Vettingu”: Dy ditë nga skadimi i afatit, vetëm 12 kandidatë

Thirrja e ambasadave të SHBA-së dhe BE-së në Tiranë ka zgjuar interesin...
Read More