‘Yjet e së ardhmes’: Tre breza aktorësh që “luftojnë” shpërfilljen

Tre breza aktorësh në një film, “Yjet e së ardhmes”, komedi romantike muzikore që sensibilizon për moshën e tretë si dhe reflekton mbi marrëdhëniet e brezave. Rikthehen në ekran plejada e aktorëve legjendë: Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Reshat Arbana

Ka patur gjithmonë një boshllëk kur debatet apo refuzimi ndaj tij kanë piketuar njeriun tek artisti. Vetja hyn në ato foltore ku rrëfimi nuk merr aspak vlerë përballë qenies, humanizmit. Në këto marrëdhënie të rralla, të përditshmërisë, që i njohim, por edhe refuzohen, regjisori Edmond Topi ka takuar brezat për të kaluar në një ekran subversiv kur artistët pothuaj “shpërfillen”, për të kuptuar njerëzoren, dhe anasjelltas.

Topi nuk ka folur dje në premierën e filmit “Yjet e së ardhmes” për një kornizë autoriale, apo indipendente në kinema. Filmi i tij, me skenar të Uli Bree, thjesht pretendon publikun, spektatorin e kinemasë.

Ai gjithashtu u ka dhënë përgjigje edhe pse qasja e tij, marrëdhënies që krijohen mes brezave kur vjen fjala sidomos për të moshuarit, është bërë po aq pasionante për “box-in e zi” edhe nga regjisorë të tjerë shqiptarë.

“Yjet e së ardhmes”, një komedi romantike muzikore, me metrazh të plotë, pati dje premierën, për median e publikun, një film që ka marrë financimin e Qendrës Kombëtare Kinematografike, i prodhuar nga Multimedia studio “Nositi”, Film & Tv Production.

Para mediave në panel, kanë qenë regjisori, dy aktorët Gazmend Paja dhe Elia Zaharia, si dhe konsulentja artistike, Mirela Oktrova, të cilët kanë folur në pikëpjekje absolute se qëllimi i këtij metrazhi artistik ishte se brezi i tretë në shoqërinë tonë është jashtë vëmendjes, dhe se kalon në një çast më idilik, mesazhi mbi harmoninë mes brezave.

Ema Andrea me energjinë dramatike, shndërruar në një komizëm absolut, grumbullon e çliron tensionin e filmit duke realizuar në një figurë brilante drejtoren e shtëpisë së pleqve.

Për nga ngjashmëria ky është produksioni i dytë shqiptar që mbledh artistët e disa brezave bashkë, që kanë patur kulmin në regjimin komunist, por kanë patur jetë artistike në kinema edhe pas ’90-ës, rënies së diktaturës. Mbi këtë imazh aktorët Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Luftar Paja që po jetojnë moshën e tyre të tretë, kanë qenë zgjedhja më speciale e regjisorit Edmond Topi për të zbuluar një kontekst historik, prej kësaj plejade.

Margarita Xhepa që kishte humbur ëndrrën për violinën prej kohëve të sistemit, rigjen shenjën për të kthyer këtë në një jetë të dytë. Margarita është një emblemë. Ka kaluar të 80-at, dhe prania e saj në shesh xhirim, përmes këtij produksioni tregon vitalitetin, energjinë se si është jetuar nga ky brez, dhe në anën tjetër, se si vjen sakrifica njerëzore.

Tinka Kurti, kolona zanore e grupit, formacionit muzikor të “zotërinjve të azilit”, këndon nën një siluetë vokale të realizuar nga Marsela Çibukaj, duke e shndërruar protagonizmin e saj në një rebelim ndaj refuzimit, mosvëmendjes. Tinka mbush 85 vjeç, këtë muaj. Prania e saj është një arketip i rrallë i figurës femërore, në çdo moshë, si edhe tani tek “Yjet e së ardhmes”. Kush ka njohur filmat nga diktatura, aktori Reshat Arbana është njeriu kornizë, babai strikt, i helmuar, me ndjesi të pashpërthyera. Por, tek “Yjet e së ardhmes”, gjesti i tij artistik, edhe pse mund të dukej jashtë kësaj natyre, ka mbajtur lirinë, si e fshehta e humbur, dhe mbërritja e saj në këtë çast mundësie. Ajo që dje ishte burg, sot është shpërfillje.

Vetë protagonistët e produksionit e kanë vlerësuar këtë film, si një ngritje shpirtërore, humane për të “moshuarit heronj”. Në këtë qasje të pazakontë, kanë folur dje para mediave edhe dy aktorët. Gazmend Paja e ka vlerësuar si një nga përvojat e tij të jashtëzakonshme, ku ka ndjerë frikën duke kaluar në një proces emocionesh dhe prekjeje të ndërgjegjes, jo vetëm si disiplinë artistike por edhe në argëtim. Përmes modelit të një grupi të moshuarish fillimisht në krizë vetmie dhe harrese, të cilët vullneti, këmbëngulja dhe dashuria për jetën i shtyn drejt një suksesi të paëndërruar duke i shndërruar në heronj edhe për të rinj, filmi e sfidon komunitetin lidhur me qasjen shoqërore ndaj moshës së tretë: suksesi, lumturia e madje edhe dashuria as kanë dhe as njohin moshë, nëse tenton drejt tyre, ato mund t’i bësh të tuat deri ditën e fundit të jetës.

Tre breza artistësh kanë performuar së bashku në një sfidë suksesi dhe mundësish, në një himn për dashurinë dhe jetën dhe besnikërie ndaj ëndrrave të pajetuara.

“Duke rrahur të transmetojë mesazhin se çdo moshë ka ëndrrat, mundësitë, sukseset dhe zhgënjimet e veta, filmi i vë brezat t’i ndajnë ato me njëri–tjetrin, duke i afruar ata në komunikim intensive për përjetime, vlera, plane, dështime dhe suksese të përbashkëta. Filmi tenton të sjellë kështu krejt natyrshëm dhe në mënyrë organike argumentin se brezat mund të bashkëjetojnë shumë mirë nëse komunikojmë dhe njihen midis tyre. Dialogu i munguar në shoqërinë shqiptare dhe paragjykimet, që vijnë kryesisht nga mosnjohja, tentohet që në film të vijnë përmes situatës herë absurde, herë të papërballueshme, herë tragjikomike, por jo rrallë dhe optimiste”.

Në gjithë kohën, duke folur për përvojën njerëzore që ka pasur në këtë film, i gjithë ekipi realizues ripërsërit nevojën që ka shoqëria shqiptare në zgjimin e disa ndjeshmërive, siç janë dashuria, dhe krijimi i harmonisë mes brezave që si duket reflektojnë edhe shqetësimin e regjisorit, pse ky film u ngrit në këmbë: me pak para dhe me shumë vëmendje sociale.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Dy vendimet e drejta të Lulzim Bashës

Nga Ervis Iljazaj Lulzim Basha deklaroi para disa ditësh dy vendimet politike...
Read More