Ylljet Aliçka në zenitin e kërkimit shkencor europian

Prof. dr. Ylljet Aliçka zgjidhet anëtar i Komitetit Shkencor të Institutit Kërkimor të Federatës Europiane të Edukimit. Pedagogu i UET-it në Departamentin e Shkencave të Edukimit dhe shkrimtari i njohur është një nga 10 anëtarët e këtij komiteti, ku marrin pjesë profesorë të shquar nga universitetet më me zë në Europë.

Universiteti Europian i Tiranës bëhet pjesë e një prej organizatave më të njohura dhe më të fuqishme në Europë për edukimin, në Federatën Europiane të Edukimit (FEDE). Përfshirja e UET në instancat më të larta të kërkimit shkencor në FEDE vjen si një lajm i mirë për shkak të zgjedhjes së një prej pedagogëve të këtij universiteti në Komitetin Shkencor të Institutit Kërkimor të kësaj organizate. Ylljet Aliçka, një shkrimtar i njohur, ish-diplomat dhe prej vitesh pjesë e Departamentit të Shkencave të Edukimit në UET është përzgjedhur në mesin e 10 profesorëve më me zë nga universitete të njohura në Europë.

Komiteti Shkencor i Institutit Kërkimor të FEDE, ku është zgjedhur dhe profesor Aliçka, është një institut hulumtimi, i dedikuar për shkencën e arsimit dhe problematikën e profesionalizmit dhe profesionet e reja. Instituti i Kërkimeve FEDE ka si qëllim të tregojë se ide të reja mund  të ndihmojnë kompanitë të përtërihen, të transformohen dhe të rritin efikasitetin dhe si njohuria duhet të vihet në shërbim të arsimit.

Ky komitet është nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të prof. Jean-Louis Bischoff, dhe mbështetet nga një këshill shkencor të 10 personaliteteve ndërkombëtare të njohura për ekspertizën e tyre dhe rrjetet e tyre ndërkombëtare.

Profesor Aliçka ka dhënë një intervistë për FEDE, ku bën një prezantim të Universitetit Europian të Tiranës, sfidat e këtij universiteti në një treg të ri të arsimit të lartë privat në Shqipëri dhe objektivat e tij.

Federata Europiane e Edukimit është një rrjet i 500 institucioneve të arsimit të lartë dhe profesional në Europë që ndajnë një qëllim të vetëm të bazuar në kërkesat për cilësi dhe ambicie. Nëpërmjet pranisë së tij në 35 vende, FEDE është i përkushtuar për promovimin dhe avancimin e një modeli të ri për arsimin. Si një organizatë me projektin ambicioz për të krijuar një zonë të përbashkët europiane të arsimit të lartë, FEDE gëzon status pjesëmarrës në Këshillin e Evropës. FEDE është Organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse me qëllim për të hapur arsimin dhe të mësuarit për të gjithë. Ajo jo vetëm që mbron interesat e qytetarëve, por edhe ndikon vendimet europiane në mënyrë që të garantojë të drejtat e njeriut, lirinë e mësimdhënies, si dhe dialogun mes kulturave.

Me mbi 50 vjet përvojë dhe një rrjet të gjerë të shkollave anëtare dhe ish-nxënësve, FEDE ka hartuar qasjet inovative pedagogjike të cilat ofrojnë kualifikime dhe trajnime të karrierës të vlerësuar nga organizatat europiane. Ajo tani ofron 90 diploma të ndryshme brenda nëntë programesh të projektuara në bashkëpunim me profesionistët dhe rekrutuesit.

Cila është natyra e disiplinave tuaja në UET?

Teoritë bashkëkohore të Edukimit dhe Psikologjia e Edukimit, pra gjithçka që ka të bëjë me sfidat e edukimit, bie fjala, procesi i të nxënit, mendimi krijues, zgjidhja e problemeve, edukimi në grup, rreziqet e izolimit, braktisjes, administrimi i frikës dhe ankthit në Edukim, konceptet organizatore, struktura e marrëdhënieve mes koncepteve…

Për cilat sfida e keni fjalën?

Sfida kryesore ka të bëjë me lëkundjen e mendësive dhe bindjeve të konsoliduara nga ajo që do e quaja “inercia e rëndë e peshës së shkollës së sotme” dhe promovimi i një fryme të një ndryshimi të vazhdueshëm, që ndjek evolucionin e shoqërisë. E gjithë kjo në lidhje me çështjet kardinale të edukimit: Çfarë kanë nevojë t’iu mësojmë fëmijëve tanë që të realizohen në jetë? Pse? Njohuritë dhe kompetencat e qytetarit normal dhe rrugët e të nxënit, thënë ndryshe, vendi dhe misioni i shkollës në një shoqëri në ndryshim dinamik si kjo e sotmja.

Ju vjen keq që jeni larguar nga diplomacia?

Sinqerisht jo dhe aq, së pari, unë nuk jam diplomat karriere. Kam mendimin se më ftuan për të bërë ambasadorin falë karrierës sime artistike. Ndofta sipas modelit francez, të emërosh në diplomaci njerëz nga fusha e letrave… Pata privilegjin apo fatin për të nisur e mbaruar karrierën diplomatike në një nga kryeqytetet më të bukura të botës. Përvojë e larmishme, dhe plot surpriza, rreth 6 vjet, kohë kjo e mjaftueshme për të kuptuar apo më mirë orientuar në botën e ndërlikuar diplomatike, për të takuar një shumëllojshmëri personalitetesh të shquara, pse jo për të shijuar privilegjet që të ofronte posti, për të shijuar kuzhinën e njohur franceze dhe së fundi verërat e saj. Për të ardhur te pyetja juaj, më shumë është kjo e fundit që më mungon…

Në kuptim të fundit, ndiheni më shumë romancier, pedagog apo diplomat?

Sipas rrethanave, sipas nevojave dhe situatave shpirtërore, shkurt pak nga të tria, por padyshim që më romantikja dhe në të njëjtën kohë më tërheqësja është aventura letrare dhe ajo kinematografike. Nuk jam një model klasik, pra i specializuar thellësisht në një fushë të caktuar (dhe këtë e vuaj..), por një model i kushtëzuar nga rrethanat e një realiteti të një vendi me ulje e ngritje apo dritëhije dinamike.

Në fund të fundit, do të thosha se ka njëfarë rezonance mes tri profesioneve që ju përmendni. Kam përshtypjen se shoqëria e sotme kushtëzon konture të një qasjeje të re që përfshin këndvështrime antropologjike dhe që dikton refleksione mbi identitetet e shumëfishta profesionale.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Takimi pa media, Blushi: Partia shpallet në nëntor, ja organizimi

Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi kanë zhvilluar dje në Muzeun Kombëtar një...
Read More