Ymeri: Libri është gjithmonë në modë

Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, i ftuar në Forumet UET pas përfundimit të Panairit të 20-të të Librit në Tiranë: Problemet me të cilat përballet libri, që nga TVSH deri te përkthimet e këqija

Për 20 vite rresht në hollin e madh të Pallatit të Kongreseve në mesin e nëntorit libri merr vëmendjen maksimale duke lënë në hije për një moment politikën dhe problemet që mbushin ditën e shqiptarëve. Shoqata e Botuesve shqiptarë, pavarësisht vështirësive me të cilat përballen shtëpitë botuese, e ka kthyer këtë panair në një pikëtakimi mes librit dhe lexuesit dhe në një moment debati për problematikat që shoqërojnë këtë industri dhe këtë marrëdhënie.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, ishte i ftuar të martën në Forumet UET në një bisedë me studentët dhe pedagogët pas përmbylljes së këtij panairi jubile.

“Qëllimi i panairit është leximi dhe lexuesi. Si çdo aktivitet që lidhet me librin, nëse arrijmë të tërheqim vëmendjen dhe zemrat e lexuesve ne atëherë ia kemi arritur qëllimit. Dhe në këtë pikëpamje mendoj që Panairi i 20-të i Librit, ishte jubilar, ia ka arritur qëllimit më së miri edhe këtë vit sepse ishin dhjetëra-mijëra lexues që vinin. Shumë prej tyre i shihja për të disatën herë me radhë në panair, të gjitha stendat ishin plot, sigurisht stendat e shtëpive botuese që kishin sidomos gjëra të reja për t’i propozuar lexuesit, sepse ai që shkon për të marrë një libër të ri, merr një libër edhe jo fort të ri. Panairi i librit është njëkohësisht një skenë e madhe e komunikimit të botuesit me lexuesin, të përkthyesit me lexuesin, të autorit me lexuesin, të gjitha elementeve që përbëjnë librin. Komunikojnë njëri me tjetrin, pyesin, informohen më gjerë, e kështu me radhë. Qoftë për kuriozitet, qoftë për profesionalizëm, sepse e shohim, në panair është bërë një gjë e njohur tashmë që shumë lexues vijnë me lista me tituj librash, me tituj autorësh që kërkojnë se çfarë duan të marrin, dhe kjo tregon që ata e marrin këtë seriozisht, jo sikur janë duke shkuar në një ndeshje futbolli, por janë duke shkuar në një institucion”, u shpreh Ymeri.

Edhe pse në nisje të këtij panairi ai shprehu hapur problemet financiare me të cilat përballen shtëpitë botuese, gjë që sjell më pak botime të reja, Ymeri pranoi se gjithsesi shitjet gjatë panairit i ndihmojnë këto shtëpi botuese që të rregullojnë bilancet e tyre në fund të vitit. 

Taksa të larta dhe mungesa e bibliotekave

Panairi i këtij viti ishte dhe një formë proteste ndaj shtetit për taksimin e librit. Botuesit me anë të një banderole ku citohej U. Eco “Mos taksoni librin, mos taksoni kulturën” tërhoqi vëmendjen edhe një herë te kërkesa e kahershme për heqjen e TVSH-së për librin.

Nga ana tjetër, Ymeri tha se shoqata bashkëpunon me Ministrinë e Kulturës për projekte që mbështesin librin, por sipas tij më shumë duhet të bëhet në këtë drejtim. Ai përmendi si problem tjetër përveç taksave edhe mungesën e bibliotekave në çdo qytet, që siç tha ai, “nuk duhen biblioteka me tulla të bukura, por të mbushura me libra”.

“Për çështjen e TVSH që e kemi shumë të lartë, për çështjen e tatimit të honorarit që është shumë i lartë. Për shembull për fat të keq TVSH është shumë e lartë, 20%, nuk kemi asnjë shembull tjetër në Europë që të ketë këtë tatim, dhe ç’është më e keqja ky tatim është vetëm në një krah. Është në blerjen dhe rezerva në shitje, domethënë ajo është një taksë me tatim që duhet rimbursuar, pra ka një absurditet. Tatimi mbi honoraret është 15% në janar 2014, domethënë autorët, përkthyesit shqiptarë t’i tatosh 15%, kjo nuk duhet të jetë kështu”, -tha ai.

Po ashtu, ai pranoi se panairi mund të ishte më gjallërues dhe debatues me aktivitete gjatë ditëve të zhvillimit të tij nëse do të kishte një fond më të madh, ndaj krijohet ideja që aty vetëm shiten librat. “Panairi mund të kishte më shumë aktivitete, por ky ishte fondi, po të kemi fonde më shumë do të bëjmë dhe aktivitete më shumë”, theksoi Ymeri.

Policia gjuhësore? Shtetarët vetë flasin me gabime!

Shqetësimin e ngritur për problemet gjuhësore në librat që botohen dhe për nivelin jo të mirë të përkthimeve Ymeri e pranoi se ekziston si problem, por sipas tij duhet të ketë shteti përgjegjësi si rregullator. Ai tha se ishte shumë dakord që të ngrihej një polici gjuhësore, por ishte skeptik për këtë pasi vetë institucionet shtetërore nuk e shkruajnë shqipen në rregull.

“U premtua që do të ketë dhjetëra dikastere, çdo redaktor do redaktonte ato tekstet, shkresat e shtetarëve, nuk më duket se funksionon kjo. Dhe e shohim te mënyra si flasin domethënë me shumë gabime, me shumë forma jo të pranueshme etj. Pra, nuk ekziston kjo, në stilin e shkruar, unë lexoj edhe titujt, përmbajtje, struktura, para disa ditësh lexova autor, të cilit kur i lexoje librin që ishte roman, lexoheshin fare qartë strukturat gazetareske, publicistike, poshtë mesatares. Domethënë pasoja e gjendjes në të cilën është shtypi i shkruar, unë e kuptoj shtypin e shkruar që ka tensionin e ditës, nxitimi për të shkruar gazetën, në shtyp mund të ketë gabime, por në libra nuk duhet të ketë gjëra të tilla. Kurse për ndërhyrjet, ato duhet t’i bëjë shteti. Shteti është rregullatori, si në çdo fushë edhe në këtë”, theksoi Ymeri.

Libri letër vs libri digjital

Një nga shqetësimet që ngritën studentët e UET në pyetjet e tyre kishte të bënte me betejën e librit letër me librin digjital dhe me gjithë botën e rrjeteve sociale që ka përfshirë të rinjtë e kohës së sotme.

Për Ymerin digjitalizimi ishte një problem për disa vite, por në të vërtetë libri letër ka triumfuar kudo dhe vijon të jetë i preferuar.

“Libri është gjithnjë në modë, është prej letre apo është libër digjital, e marrim online, e shkarkojmë apo jo, e lexojmë, siç thotë Umberto Eco, duke prishur sytë në telefon në Ipad apo kështu me radhë. Vite më parë, pati një agresivitet në kuptimin jo të keq të fjalës të librit digjital. Ky agresion ishte më i madh në SHBA, Kanada, më i vogël në Europë. Ka një vëmendje më të madhe në librat shkencorë dhe universitarë, por kryesisht kjo në Europë ka rënë shumë në shifra, është më pak se rreth 5 vjet më parë, edhe në Amerikë ka rënë shumë. Libri i letrës, vazhdon të jetë fitimtari kudo, sepse librit të letrës ke mundësi t’i rikthehesh. Të gjithë e dimë, veç kënaqësive kur e kemi në dorë, por edhe kur ke bërë një nënvizim, i kthehesh ta lexosh përsëri”, -tha Ymeri.

Beteja e librit me taksat dhe mungesën e lexuesit do të vijojë edhe në panairet e ardhshme, të cilat dhe pse të kritikuara shpesh, apo dhe të varfra në tituj e autorë, vijojnë të jenë e vetmja “festë” e librit në shqip.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ringritja e Lulzim Bashës

Pas humbjes së zgjedhjeve dhe luftës brenda partisë, kreu i PD dukej...
Read More