Zanat moderne të maleve

Dy shqiptare dhe një amerikane që kanë vendosur të jetojnë, mbrojnë dhe lulëzojnë jetën në Malësitë e Shqipërisë. Njihuni me Stelën, Catherine dhe Rigertën që me punën e tyre të përditshme tërheqin vëmendje e turistë drejt Alpeve tona

Nga Blerina Gjoka, Madame Mapo

Mes  maleve të Kelmendit, atje ku dielli del vonë dhe perëndon herët, një vajzë  e vogël  me  një emër italian, Stela, që në shqip do të thotë “yll”, ëndërronte të  largohej nga fshati dhe të shihte botën e qytetëruar.  Ishte vetëm 13 vjeç kur zbriti nga malet e Kelmendit në qytetin e Shkodrës për të studiuar për Gjuhë të Huaja.  Më tej ajo fitoi të drejtën e studimit jashtë vendit, pranë Universitetit të Shkencave Gastronomike në Brá të Italisë, duke ndjekur kështu ëndrrën e shumë të rinjve shqiptarë përtej detit. Gjatë shkollës pati mundësinë të provonte pjatat e kuzhinierëve më të famshëm italianë, të njihte nga afër shërbimin në restorante dhe të kuptonte si funksionon turizmi gastronomik. Por, megjithëse mund të gjente punë dhe të jetonte në vendin ku mijëra shqiptarë e shohin si një mundësi për të ardhmen, Stela vendosi të kthehej në vendlindje. Fillimisht punoi me një shoqatë italiane për promovimin e turizmit e tani prej disa muajsh drejton restorantin e saj në Tamarë, Kelmend.

Turizëm sipas traditës

Turizmi nuk mund të jetë vetëm hoteli me 5 yje, turizmi  është tradita e një vendi. Duke i besuar fort kësaj Stela “shet” traditën shqiptare bashkë me natyrën që në këtë vend është bekuar nga Zoti me male, lumenj me ujë të kulluar e të akullt dhe me gjelbërim.

Tradita e malësoreve për mikëpritjen me “bukë, kripë e zemër”, ku miku e kishte derën hapur dhe i ofrohej gjithçka kishte shpia, e ka frymëzuar dhe vajzën e Alpeve.

“Bukë, kripë e zemër”, quhet restoranti i vogël në qendrën e vogël të shtruar me gurë, buzë ujërave të akullt të lumit Cem, po aty gjen më shumë se sa “bukë e kripë” dhe pa dyshim shumë “zemër”.

Mikëpritja, komunikimi me turistët dhe servirja me aq përkujdes e bën Stelën të jetë e preferuara e atyre që vendosin të kalojnë një ditë mes maleve, kryesisht turistë të huaj, por dhe shqiptarë të ardhur nga Tirana posaçërisht.

Dreka nis me një gotë lëng shege, që ka një shije të mrekullueshme. Menuja është e vogël, por të gjitha gjërat janë tradicionale, bio dhe shumë të shijshme. Kryesisht ajo shërben mish të zonës, peshk troftë, Kaçimak, Djath të zier, Mishavine, Ferlik, Mazë, etj., të gjitha gatime tipike të zonës, recetat e trashëguara nga stërgjyshet.

Perimet e freskëta i merr nga baçja e mamasë së të fejuarit, në një fshat pranë Shkodrës.

Vera e kuqe hidhet në gotë nga një bidon i madh qelqi, e prodhuar nga një punishte e vogël artizanale pranë zonës.

Në fund vijnë boronicat e stazhionuara në raki (Stela e rekomandon si produkt për tretjen e ushqimit) ose kos me reçel boronicash.

Për të mos folur për rakinë, e cila për ata që e shijojnë, vjen në disa lloje aromash e shijesh nga frutat e lulet.

“Të gjitha produktet që shërbej i marr nga zonat përreth. Peshkun ose nga lumi ose nga vaskat që ka babai dhe vëllai im në fshat, mishin ua blej banorëve, djathin dhe kosin e zë vetë, ndërsa verën e marr në një fshat në Shkodër, në një punishte që prodhon sasi të vogla vere dhe në mënyrë krejtësisht artizanale”- thotë Stela.

Të sfidosh maskilizmin

Në malësi vajzat mund të luanin vetëm rolin që u “takonte”, grua dhe nënë. Jetë e mot ishte burri ai që mbante shtëpinë, që qiste pushkë,  punonte tokën e ikte në kurbet. Një gruaje i mbetej veç të “bëhej burrë” për të qenë e barabartë me burrat.

Një tis reminishence e këtij maskilizmi qindra-vjeçar endet edhe mbi shpatullat vajzërore të Stelës.

Është e vetmja grua në këto male të ashpra që ka hapur një biznes të sajin dhe e ndjen shpesh mbi kurriz shikimin paragjykues, por dhe pengesa të vërteta. “Jam e vetmja grua që kam biznes në këtë zonë. Më nxjerrin lloj-lloj pengesash. Ka raste që më ulin automatin e dritave natën duke më rrezikuar mishin e produktet që kam në frigorifer. Më duhet të përballem dhe me këto gjëra, por do të  mësohem”- thotë ajo.

Ajo e ka njohur dhe e ka gjetur gjuhën me malësorin tipik që kur ishte studente  dhe shkonte shtëpi më shtëpi në ato male për t’u shpjeguar burrave me mustaqe të dredhura sesi të fitonin para duke pritur të huajt në shtëpi.

“Në fillim kur shkoja të flisja me banorët e Kelmendit që t’i këshilloja  si të kthenin shtëpitë në bujtina për turistët e huaj, se si të shërbenin ushqimin, etj.,  më shihnin me habi dhe madje më thoshin: “Ti, vajzë kaq e vogël po na mëson ne”, por tani gjërat kanë ndryshuar. Ata vetë e kanë kuptuar sa i rëndësishëm është shërbimi për turistin dhe po ia shohin hajrin”- thotë ajo për Madame Mapo.

Në Lëpushë për kosin dhe mjaltin

Stela beson se ky vend akoma nuk e ka fituar vëmendjen që meriton, edhe pse tash pas bërjes së rrugës së re që të çon deri në Lëpushë, ka shumë lëvizje turistësh. Ajo i këshillon të gjithë klientët e saj që pas dreke të mos kthehen pas, por të vijojnë rrugën për në Lëpushë, një fshat ku era e  luleve është mirëseardhja e parë.

Banorët e fshatit ndërsa zbresin në rrugë nga punët e tyre të ditës, korrja e barit, të përshëndesin me dorë. Çdo makinë që kalon asaj rruge “nderohet” nga dora në ajër e banorëve, si të ishe duke u rikthyer në shtëpinë tënde.

Stela na sugjeron bujtinën Memushaj për të bujtur. Bujtina është një shtëpi karakteristike e zonës dhe dy shtëpi druri 2-katëshe të ngritura pranë saj. Pamjen e ka nga perëndimi dhe dielli që po zbret i ndriçon dritaret duke i dhënë një shkëlqim të pazakontë në krahasim me shtëpitë e tjera të fshatit që janë në hije pasdite.

E zonja e shtëpisë na pret që tek dera me një buzëqeshje sikur t’i kishin ardhur miq të vjetër.

Është shumë freskët këtu dhe për të bujtur duhet të kesh me vete tesha të ngrohta  dhe pse është mes korriku dhe Shqipëria po përvëlohet në 40 gradë celcius.

Nga një gotë kos dhe një tas mjaltë sherebele është mirëseardhja në bujtinën Memushaj. Fjetja kushton 10 euro personi, ndërsa me 25 euro personi ke të përfshira dhe të treja vaktet e ditës me ushqime bio të zonës.

Ditën mund ta kalosh me ecje në male, ose duke kundruar Bjeshkët e Namuna, që janë e vetmja pamje gri në këtë gjelbërim të paanë, ose për 20 minuta del matanë kufirit në trevat shqiptare Plavë e Guci, që u kemi kënguar aq këngë, por si kemi prekur kurrë.

Ky vend nuk është nga ato vende që mund t’i vizitosh vetëm një herë në jetë, ka një magji që të kërkon të rikthehesh përsëri, sa herë vapa, lodhja e rrëmuja e qytetit ta merr frymën.

Në fund të fundit është vetëm 2 orë e 30 minuta larg Tiranës dhe duke nisur nga Shkodra deri këtu rruga është një  çlodhje më vete.

Kur të kthehemi herën tjetër ndoshta Stelën nuk do ta gjejmë më në Tamarë.  Ëndrra e saj është të investojë në agroturizëm, një model i Mrizit të Zanave, ku dhe ka bërë një lloj shkolle kuzhine (internship) me shef Altin Prengën para se të hapte restorantin e saj.

Plani është që ta bëjë këtë pak më larg Tamarës, në fshatin e saj të lindjes.

Stela ka vendosur të jetë një yll mes Alpeve, për t’i dhënë jetë traditës dhe për të ndërtuar jetën e saj, aty ku fati e përcaktoi që në lindje. Një histori që ka pak të ngjashme vërdallë.

Catherine, nusja amerikane e Valbonës

Erdha në Valbonë në vitin 2009 si turiste, por m’u deshën vetëm 24 orë për të krijuar një lidhje të veçantë me këtë vend. Mendoj që Valbona është një vend shumë i fuqishëm.

Ajo është Amerikane. Quhet Catherine Bohne. Ishte viti 2009 kur erdhi në Shqipëri, për vetëm një javë…ose mbase dy dhe…është ende këtu. Catherine ka vendosur të jetojë në Shqipëri. Përgjithmonë. Dhe a ju shkon në mend se ku? Në pikën më veriore, në Tropojë. Ajo është tashmë një amerikane nga Tropoja. Jo vetëm ra në dashuri me shikim të parë me vendin, por edhe me njeriun që takoi në Valbonë, Alfredin. Është një histori romantike e aventurës fatlume të një gruaje që fati e çoi aty ku ajo kish ëndërruar. ‘Isha totalisht e mahnitur nga bukuria e Valbonës’ thotë ajo. Por askush nuk e detyroi të qëndronte aty…përveç vetë Luginës së Valbonës. ‘Erdha në Valbonë në vitin 2009 si turiste, por m’u deshën vetëm 24 orë për të krijuar një lidhje të veçantë me këtë vend. Mendoj që Valbona është një vend shumë i fuqishëm. Në atë kohë, më dukej sikur gjithçka këtu dhe çdo gjë që po më ndodhte në jetë po më thonin “Qendro në Valbonë’. Dhe kështu ndodhi’, e përmbledh Catherine historinë e lidhjes së saj kaq speciale me Valbonën, duke thënë për AgroWeb se mund të fliste pafund për këtë lidhje magjike. Po ne kemi ende për të treguar për Catherine. Nëse kërkoni në Google me emrin e saj do të kuptoni lidhjen e saj kaq të fortë me Luginën e Valbonës. Ajo ka tashmë një blog ‘Udhëtim në Valbonë’ dhe së fundmi është shndërruar në “Zanën Mbrojtëse’ të bukurisë mahnitëse të Valbonës, duke kundërshtuar me të gjitha mënyrat ndërtimin e 11 hidrocentraleve që parashikohet të ndërtohen përgjatë lumit që mban emrin e zonës. ‘Nuk ka asnjë dyshim që hidrocentralet do të shkatërrojnë lumin duke vendosur ato tubat gjigandë me diametër prej 3 metrash. ‘Ndërtimi i hidrocentraleve do të kërkojë ndërtimin e një sërë rrugëve, siç thotë vetë projekti ‘do të bëhen ndryshime madhore në këtë zonë të virgjër.’ Pra them se vështirë të mbetet diçka pas këtij shkatërrimi.

Marrë nga  Agroweb.org

Nga  “La Sapienza”  në  një fermë dhish në Rubik

Pasi studioi shkenca politike në Romë, Rigerta Loku u kthye të bëjë një ndryshim në vendlindjen e saj, por dyert e mbyllura prej politikës e shtynë drejt një “karriere” të re si fermere. 

Ferma e Rigerta Lokut dhe Leonard Tushës gjendet në fshatin Prosek, mes gjelbërimit dhe maleve të Mirditës. Fshati shtrihet 6.5 kilometra larg qytetit të Rrëshenit, por rruga mund të përshkohet vetëm me një automjet të lartë 4×4 në një urdhëtim të vështirë që të merr më shumë se 40 minuta.Mungesa e rrugës, e energjisë dhe e ujit kanë sjellë largime masive në fshatin që dikur numëronte 1500 banorë. Shumica e shtëpive janë të braktisura, ndërsa të zotët nuk kanë mundur t’i shesin as për 100 mijë lekë.

Në Prosek, Rigerta Loku dhe bashkëshorti i saj ndërtuar fillimisht një kasolle në pronat e babait në vitin 2010 dhe blenë disa dhi rrace. Vendimi i tyre i habiti jo pak banorët e zonës, të cilët nuk ua kursyen të tallurat dhe paragjykimet.“Ka dy diploma dhe tani po ruan dhitë-dëgjoja shpesh pas krahëve,” kujton Loku. “Por ne jemi të lumtur këtu. Arrijmë të sigurojmë një jetesë normale dhe mbi të gjitha jemi të pavarur,” shton ajo.

Ideja për zhvillimin e fermës u frymëzua nga tradita e zonës, e cila sot është lënë në harresë. Rigerta Loku thotë se e dinte që ndryshe nga e shkuara, zona kishte sot mungesë të djathit të dhisë.Për këtë arsye vendosën që paratë e kursyera nga puna në Itali t’i investonin në fermën e dhive, gjashtë vite të shkuara. Sot, burrë e grua e kanë shtuar tufën e tyre në 500 krerë, ndërsa kanë hapur edhe një dyqan të vogël në Rubik, ku tregtojnë mish të freskët keci dhe djathë dhie të përpunuar në fermën e tyre.Për punët e shumta në fermë, Rigerta dhe Leonardi kanë punësuar disa banorë të zonës, ndërsa prindërit e Leonardit i ndihmojnë për rritjen e dy vajzave.

Zgjerimi i fermës deri në prodhimin e një produkti që do të mbajë emrin e tyre është ëndrra e re e dy bashkëshortëve. Për të realizuar këtë synim, Leonard Tusha ka nisur studimet në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Pas orëve të studimit, ai nxiton pasditeve drejt fermës për t’u kujdesur për bagëtitë. Leonardi tregon se zona është e vështirë dhe problemet nuk mungojnë, ndaj atij u duhet të përballet që nga vjedhjet e deri tek mbrojtja e bagëtive nga kafshët e egra.

“Duhet të jesh vetë këtu e t’u qëndrosh punëve mbi kokë, ndryshe atë që e ke ngritur për një kohë të gjatë, të rrënohet brenda ditës,” thotë ai.Gjashtë vjet pas rikthimit, Rigerta Loku është përshtatur si me jetën në fermë, ashtu edhe me kulturën e përgjithshme të pafuqisë për të ndryshuar rendin e gjërave në Shqipëri. Megjithatë, ajo dhe bashkëshorti i saj ndjehen krenarë për kurajon që patën për të ndryshuar jetën e tyre.“Unë nuk do të kem fuqinë të ndryshoj Shqipërinë, as pushtetarët tanë, por kam fuqinë të  ndërtoj mikrobotën time këtu, pa i shtrirë dorën kujt dhe me dinjitet,” përfundon Loku.

Marrë nga Reporter.al

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Tensioni i ulët i gjakut, kur duhet të shqetësohemi, shenjat

Tensioni i ulët që nuk shkakton shenja apo simptoma të lehta nuk...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *