Zbardhen listat e kandidatëve për KLGJ dhe KLP, ja emrat

Gjykata e Lartë, Prokuroria, Kuvendi dhe Avokati i Popullit kanë përzgjedhur emrat që kandidojnë për anëtarë të KLGJ dhe KLP. Mbeten vetëm kandidatët që vijnë nga radhët e pedagogëve. Por që këto institucione të ngrihen duhet të nisë sa më parë procesi i vettingut, ku duhet të kalojnë edhe kandidatët e shpallur

Shtatori do të sjellë një stinë të re jo vetëm politike por edhe sa i përket asaj që në këto dy vite ka qenë kryefjala, zbatimit të Reformës në Drejtësi. Përveçse pritet të nisin nga puna komisionet që do të bëjnë kontrollin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, në shtator do të bëhet edhe zgjedhja e strukturave të reja që lindin nga kjo reformë. Ato që priten me shumë interes në këtë proces janë pikërisht zgjedhja dhe konstituimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dy struktura këto që në bazë të Reformës në Drejtësi marrin një rëndësi shumë të madhe në administrimin e gjykatave dhe të prokurorisë. Kuvendi, Avokati i Popullit, Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme, katër institucionet që ngarkon ligji për mbledhjen dhe përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të KLGJ-së dhe KLP-së, kanë përfunduar këtë proces në pjesën më të madhe dhe emrat që kanë plotësuar kriteret ligjore ia kanë dërguar Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit si dhe i kanë publikuar në faqet e tyre zyrtare në internet. Përjashtim bëjnë vetëm kandidaturat që duhet të vijnë nga radhët e trupës së pedagogëve që japin mësim në institucionet arsimore të drejtësisë. Kuvendi është detyruar ta hapë për herë të tretë procesin e paraqitjes së kandidaturave, për shkak se dy mundësitë e para nuk sollën numrin e nevojshëm të kandidatëve për secilin vend. Por që këta kandidatë të kalojnë për votim dhe këto dy struktura të ngrihen, duhet që më parë emrat e përzgjedhur të kalojnë në “sitën” e vettingut. Ndaj procesi i ngritjes së këtyre strukturave është i varur direkt nga procesi i vettingut.

KLGJ

Ligji për organet e drejtësisë ka përcaktuar se Këshilli i Lartë Gjyqësor është organ kolegjial i përbërë nga njëmbëdhjetë anëtarë, të cilët shërbejnë në detyrë me kohë të plotë. Gjashtë prej anëtarëve të Këshillit janë gjyqtarë nga të gjitha nivelet e pushtetit gjyqësor dhe zgjidhen nga Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve të të gjitha niveleve, ndërsa pesë anëtarët e tjerë të Këshillit zgjidhen nga Kuvendi dhe janë juristë të përzgjedhur: dy nga radhët e avokatëve, dy nga radhët e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës dhe 1 nga shoqëria civile. Për grumbullimin e kandidaturave për anëtarët që vijnë nga radhët e gjykatave, ligji ka ngarkuar Gjykatën e Lartë, e cila prej disa muajsh e ka kryer këtë proces dhe ka publikuar tashmë listën finale të kandidatëve që duhet t’i kalojnë tashmë Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve për votim. Në total Gjykata e Lartë ka zgjedhur 14 kandidatë të cilët vijnë: 2 nga trupa e vet e gjyqtarëve të lartë, 3 nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave të apeleve dhe 9 të tjerë nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave të rretheve. Të 14 kandidatët që kanë plotësuar kriteret ligjore tashmë presin Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, të cilët me votim të fshehtë por të hapur për mediat do të duhet të votojnë për kandidatët që do duan të jenë pjesë e KLGJ-së. Bien në sy në këtë listë emra të njohur për publikun, si: Artan Zeneli, Medi Bici apo Artan Lazaj. Në bazë të ligjit do shpallen fitues kandidatët që do marrin më shumë vota. Por para se të kalojnë në proces votimi, kandidatët duhet të kalojnë në procesin e vettingut. Ndërkohë që edhe Kuvendi ka publikuar së fundmi emrat e kandidatëve që kanë plotësuar kriteret formale ligjore për të qenë pjesë e KLGJ-së dhe që vijnë nga radhët e avokatëve dhe të shoqërisë civile. Në total Kuvendi ka përzgjedhur 10 kandidatë që vijnë nga radhët e avokatëve dhe ku bien në sy emrat e Sajmir Vishajt apo Sinan Tafajt. Gjithashtu, Kuvendi i Shqipërisë ka publikuar edhe listën e kandidatëve që vijnë nga radhët e shoqërisë civile, e cila përbëhet nga 3 emra, midis të cilëve edhe ai i Altin Azizajt. Kuvendi pritet të shpallë gjatë këtyre ditëve të gushtit edhe emrat e kandidatëve që vijnë nga radhët e pedagogëve, kjo pasi prej disa javësh ka shpallur thirrjen për propozime të reja, ndërsa ka kërkuar ndihmën e universiteteve private.

KLP

Ligji për organet e drejtësisë ka përcaktuar gjithashtu edhe mënyrën e organizimit të një strukture të re në organin e akuzës, siç është Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili bën edhe propozimin e kandidatit për kryeprokuror. Këshilli i Lartë i Prokurorisë është organ kolegjial, i përbërë nga njëmbëdhjetë anëtarë, të cilët shërbejnë në detyrë me kohë të plotë dhe ku, ashtu si në rastin e KLGJ-së, gjashtë prej anëtarëve të Këshillit janë prokurorë nga të gjitha nivelet e prokurorisë. Ndërkohë që pesë anëtarët e tjerë të Këshillit janë juristë joprokurorë, 2 të përzgjedhur nga radhët e avokatëve, 2 nga radhët e pedagogëve të drejtësisë dhe 1 nga përfaqësues të shoqërisë civile. Sa i përket 6 anëtarëve prokurorë ata zgjidhen nga Mbledhja e Përgjithshme e prokurorëve të të gjitha niveleve, pas një procesi përzgjedhës që bën Prokuroria e Përgjithshme, por duke respektuar përfaqësimin e secilës shkallë. Komisioni administrativ i Prokurorisë së Përgjithshme për verifikimin e kritereve për prokurorët që kandidojnë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka vlerësuar se 19 prej tyre plotësojnë kushtet formale për të kandiduar për pozicionin e anëtarit në këtë strukture të re. Më konkretisht 3 janë emra që vijnë nga radhët e prokurorëve që janë të emëruar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ku bie në sy emri i Ramadan Trocit, i cili hetoi rastin e ish-guvernatorit Ardian Fullani. Ndërkohë që 4 emra të tjerë vijnë nga radhët e prokurorëve që janë emëruar pranë prokurorive të apelit dhe 12 të tjerë vijnë nga prokuroritë e rretheve. Ashtu si edhe në rastin e KLGJ-së, tashmë pritet të zhvillohet mbledhja e përgjithshme e prokurorëve për të votuar dhe zgjedhur 6 emrat që do të përfaqësojnë prokurorët në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Në bazë të ligjit do të shpallen fitues kandidatët që pas votimit do të rezultojnë se kanë marrë më shumë vota. Nga ana tjetër, edhe Kuvendi i Shqipërisë ka kryer procedurën e vet për përzgjedhjen e kandidatëve që vijnë nga radhët e avokatëve dhe që janë propozuar për anëtarë të KLP-së. Kështu për 2 vende Kuvendi ka përzgjedhur 7 kandidatë, të cilët tashmë do duhet t’i kalojnë Kuvendit, por duke kaluar më pas verifikimin e institucioneve të vettingut. Gjithashtu Kuvendi ka publikuar edhe listën e kandidatëve që vijnë nga radhët e shoqërisë civile dhe që plotësojnë kriteret ligjore. Lista përbëhet gjithashtu nga 3 emra. Por që edhe këta të kalojnë për votim në Kuvend duhet të kalojnë më parë procesin e vettingut. Ndaj ngritja e KLGJ dhe KLP-së është “peng” e nisjes nga puna të institucioneve të vettingut.

Lista e kandidatëve për në KLGJ

Nga Gjykata e Lartë

Artan Zeneli

Medi Bici

Nga Gjykatat e Apeleve

Ilir Toska

Nertina Kosova

Besim Trezhnjeva

Nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore

Alma Brati

Artan Laze

Astrit Faqolli

Bledar Abdullai

Brunilda Kadi

Brunilda Kasmi

Dritan Hallunaj

Manjola Xhaxho

Marçela Shehu

Lista e kandidatëve për anëtarë të KLGJ nga avokatia

Alban Toro

Arben Prifti

Arben Vani

Fatmira Luli

Fatos Lazimi

Gentyi Sinani

Gëzim Allaraj

Saimir Vishaj

Sinan Tafaj

Sokol Lamaj

Kandidatët nga Shoqëria Civile për KLGJ

Naureda Llagami

Altin Hazizaj

Mimoza Qinami

Lista e kandidatëve për në KLP

Nga Prokuroria e Përgjithshme

Anila Leka

Kostaq Beluri

Ramadan Troci

Nga Prokuroritë e Apelit

Luan Kaloci

Bujar Hoti

Arben Dollapaj

Besa Nikehasani

Nga Prokuroritë e Shkallës së Parë

Adriatik Cama

Antoneta Sevdari

Arben Nela

Dritan Rreshka

Shpetim Kurti

Besnik Muci

Gentian Osmani

Besnik Cani

Elsion Sadiku

Dritan Prenci

Arta Marku

Vatë Staka

Lista e kandidatëve për anëtarë të KLP të ardhur nga radhët e avokatëve

Floreta Gjini

Gëzim Allaraj

Kozeta Jano

Nurihan Meta

Petrit Gaçi

Tartar Bazaj

Veronika Vangjeli

Lista nga Shoqëria Civile për anëtarë të KLP

Mimoza Qinami

Lindita Xhillari

Kostandin Kazanxhi

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kriza e Demokracisë Lokale

Demokracia është në krizë për shumë arsye dhe për shkak të shumë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.