Zbardhet marrëveshja: Opozita e bashkuar në zgjedhje

Partia Demokratike ka arritur të bindë aleatët që të garojnë nën siglën e PD-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Deri mbrëmë vonë, nga Partia Demokratike u konfirmua se ishte arritur marrëveshja me pesë partitë aleate edhe pse liderët e tre partive që patën negociata intensive dje nuk dhanë prononcim zyrtar për mediat.

Të pestë drejtuesit e partive aleate: Shehi, Ndoka, Mediu, Duka dhe Dule, janë në pozicione të sigurta në listën e PD-së, ndërsa në vende të favorshme do të jenë edhe katër emra kandidatësh të tjerë respektivisht një i PR-së në qarkun e Tiranës, një i PBDNJ-së në qarkun e Korçës dhe dy nga PAA-ja (një në Tiranë dhe një në Fier).

Në rast fitoreje aleatët do të mund të përfaqësohen në listën e PD-së me 9 deputetë aq sa është edhe numri që partia më e madhe në opozitë mund të fitojë më tepër duke dalë e vetme.

Megjithëse zyrtarisht nuk do kemi një koalicion të regjistruar, blloku opozitar do të funksiononte si i tillë, çka do t’i jepte avantazhin PD-së në raport me partitë e majta, të cilat janë regjistruar tashmë më vete, për të maksimizuar rezultatin e votave të veta.

Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, opozita do të arrinte që të rikuperonte rreth 9 mandate deputetësh krahasuar kjo me rastin kur të gjitha partitë opozitare do të konkurronin më vete.

Natyrisht votave të koalicionit opozitar do t’i shtojmë votat që vijnë nga PBDNJ që në zgjedhjet e shkuara kandidoi në koalicionin e majtë, por i hiqen votat e PDIU-së që në 2013 kandidoi si aleate e PD-së dhe në këto zgjedhje konkurron më vete.

Në rast se opozita do të konkurronte nën siglën e PD-së, ajo do arrinte të merrte as më shumë dhe as më pak se votat që mori si koalicion në zgjedhjet e 2013-s.

Më konkretisht, opozita do të merrte 60 mandate deputetësh, ndërkohë që PS do merrte 64 mandate, LSI do të merrte 15 dhe PDIU 1 mandat. Në rast se PD-ja do të garonte veças pa partive aleate ajo do të mund të merrte 51 mandate deputetësh.

Gara në qarqe

Kryedemokristianit Nard Ndoka i është konfirmuar nga Lulzim Basha se ai do të jetë i sigurt në listën e PD-së për qarkun e Shkodrës ndërsa kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi do të jetë në Tiranë.

Në këtë qark do të jetë edhe Fatmir Mediu në një vend të sigurt (vendin e 10-të) ndërsa Agron Duka i Partisë Agrare Ambientaliste do të jetë në qarkun e Durrësit.

Vangjel Dule i PBDNJ-së do të ketë një pozicion të sigurt në qarkun e Vlorës (vendin e 3-t).

PBDNJ-ja do të përfaqësohet edhe më një tjetër kandidat në pozicion të favorshëm në qarkun e Korçës.

Ndërsa Mediu, krahas emrit të tij mësohet se do të ketë një tjetër përfaqësues në listën e Tiranës, në pozicion të sigurt në vendin e 14-të, Blendi Sulaj që është kryetar i PR-së së Tiranës.

Nëse PD-ja del e vetme në zgjedhje duke i përfshirë partitë aleate në siglën e saj, atëherë ajo mund të ngrihet në Tiranë nga 13 deputetë në 15 deputetë.

Deri mbrëmë para mesnate, Mediu po negocionte fort edhe për një vend të sigurt në qarkun e Vlorës për ish-deputetin Dashamir Tahiri.

Ky i fundit mësohet se do të renditet i 5-ti në listën e PD-së Vlorë, por pak shanse për të fituar.

Nëse i referohemi zgjedhjeve të 2013-s, PD-ja bashkë me aleatët aty mund të sigurojë katër mandate deputetësh.

Agron Duka në anën tjetër doli mbrëmë rreth orës 22:30 nga selia e PD-së duke konfirmuar vetëm se marrëveshja është arritur mes dy partive dhe se PAA-ja do të garojë në siglën e PD-së.

Duka dukej i kënaqur ndërsa mësohet se ai ka kërkuar tri vende të sigurta në lista e PD-së, që parimisht i ka marrë.

Duka mësohet se do të jetë i renditur në vendin e 5-të në qarkun e Durrësit, një pozicion i sigurt për të fituar nën siglën e PD-së.

Duka do të përfaqësohet me një tjetër pozicion të sigurt në Tiranë, në vendin e 13-të të listës së PD-së me emrin e Fuad Haxhiymerit.

PAA-ja gjithashtu ka arritur të marrë një vend të sigurt edhe në qarkun e Fierit në vendin e 5-të me kandidatin Olsi Çukaj.

PR-ja dhe regjistrimi në KQZ

Me regjistrimin si forcë politike në KQZ, republikanët parimisht kanë të drejtën e përfaqësimit me komisionerë në komisionet zonale të administrimit të zonave zgjedhore.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare.

Që do të thotë se PR-ja (si partia e dytë e opozitës parlamentare) ka të sigurt përfaqësimin e saj me komisionerë.

Në rast se nuk arrihet baraspeshimi politik, sa më sipër grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik shumicë-opozitë.

Kjo situatë pritej të mos ndodhte me PD-në sa kohë që PR-ja dje paradite kishte dorëzuar në KQZ kërkesën për t’u regjistruar e vetme.

Fatmir Mediu konfirmoi mbrëmë vonë pak para mesnate se PR-ja do të jetë në garë por sqaroi se të gjitha votat për PR-në do të shkojnë për PD-në

“Çdo republikan është një kandidat i PD-së pavarësisht se ku…”, -tha mbrëmë Mediu për mediat.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Teatri jashtë sistemit: Kapital politik apo biznes?!

Një bilanc dramatik për tregun teatror në Shqipëri: Sistemi teatror nuk ka...
Read More