Zbardhet vendimi: Qeveria fton ONM për Vettingun

Genoveva Ruiz-CalaveraGjykata Kushtetuese ka dhënë argumentet pse rrëzoi kërkesën e PD-së. Ligji nis të zbatohet siç është shkruar. Procesi i Vettingut do nisë aty ku u ndërpre nga pezullimi i ligjit në nëntor. Të gjitha deklaratat e bëra më parë do kenë vlerë

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë fund pritjes dhe dje ka zbardhur vendimin e saj për ligjin e Vettingut. Gjashtë nga tetë gjyqtarët kushtetues kanë votuar kundër kërkesës së një grupi deputetësh, të cilët kërkuan rrëzimin e ligjit, duke e lënë atë në fuqi, ndërsa dy gjyqtarët Besnik Imeraj dhe Gani Dizdari kanë votuar për rrëzimin e ligjit. Por ndërsa verdiktin final për fatin e ligjit gjykata e kishte bërë të ditur më parë, ajo që ka rëndësi në këtë rast janë pikërisht argumentet që ajo ka përdorur për të arritur në përfundimin se ligji është në përputhje me Kushtetutën dhe çfarë vlere do kenë ato për vetë zbatimin e mëtejshëm të këtij ligji në praktikë.

Argumentet

Në një analizë të gjatë prej afro 50 faqesh, gjykata është përpjekur të japë një përgjigje për të gjitha pretendimet e ngritura nga opozita, duke nisur që nga pretendimi se ligji cenon parimin e ndarjes së pushteteve, duke përdorur institucione në varësi të ekzekutivit në shërbim të procesit të Vettingut dhe deri te parimet e tjera kushtetuese, siç është siguria juridike apo edhe e drejta për një proces të rregullt gjyqësor. Duke u ndalur pikërisht te pika e parë dhe më e fortë e opozitës, pra pretendimi se ligji cenon parimin e ndarjeve të pushteteve duke angazhuar në këtë proces institucione në varësi të qeverisë si DSKI, SHBCCBA apo edhe Drejtoria e Pastrimit të Parave, Gjykata ka theksuar në analizën e saj jo vetëm këto struktura shtetërore, por edhe institucionet e tjera të pavarura, si ILDKP apo edhe Autoriteti i Hapjes së Dosjeve duhet të kenë rol ndihmës dhe bashkëpunues me institucionet që do të bëjnë rivlerësimin si KPK dhe KA. Sipas Gjykatës përdorimi nga ligjvënësi i fjalës “menjëherë” nuk do të thotë se këto organe mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre jashtë mbikëqyrjes e më pas kontrollit të KPK-së dhe KA-së, konstituimi i të cilave merr rëndësi parësore. Në këtë kuptim, e gjithë fryma që përshkon dispozitat kushtetuese dhe që reflektohet edhe në dispozitat konkrete të ligjit të kundërshtuar është se procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve kryhet nga organet e rivlerësimit me ndihmën e organeve të tjera shtetërore ekzistuese, të cilat për shkak të qëllimit për të cilin janë krijuar, mënyrës së organizimit dhe funksionimit, si dhe kompetencave që ushtrojnë do të ndihmojnë organet e rivlerësimit në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese dhe përmbushjen e misionit të tyre. Kompetencat e organeve ekzistuese, siç janë ILDKPKI-ja, DSIK-ja apo organet e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk mund të shihen të shkëputura nga kompetencat e organeve të rivlerësimit, pasi procesi i rivlerësimit është një proces kompleks, i cili në bazë të tij ka parimin e bashkëpunimit, të ndërveprimit dhe të kontrollit mes të gjitha organeve të përfshira në të. Për më tepër, kjo është e rëndësishme për të evituar çdo ndërhyrje të mundshme nga organet në varësi të pushtetit ekzekutiv, veçanërisht në rastin e kontrollit të figurës, shqetësim ky i ngritur edhe në opinionin e Komisionit të Venecias. Vetëm duke garantuar që organet e rivlerësimit do të kenë kontrollin e plotë të këtij procesi dhe, nëse është e nevojshme, mundësinë të përcaktojnë edhe modalitete të tjera të bashkëpunimit me organet ekzistuese, rast pas rasti, Gjykata vlerëson se do të garantohet respektimi i parimit të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve dhe do të parandalohet ushtrimi i kompetencave ligjore në mënyrë të pakontrolluar nga ana e organeve ekzistuese. Nisur nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se për sa kohë që organet ekzistuese ligjzbatuese kanë vetëm rol ndihmës në procesin e rivlerësimit, përderisa veprimtaria e tyre ushtrohet nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve kushtetuese të rivlerësimit (KPK-ja dhe KA-ja), ato nuk mund të ushtrojnë funksionet e tyre pa u konstituuar dhe pa filluar funksionimin këto të fundit. “Ngritja dhe konstituimi i KPK-së dhe KA-së para fillimit të veprimtarisë kontrolluese nga organet e përcaktuara me ligj, garanton që në nisje një proces të pavarur dhe transparent të të gjithë procesit të rivlerësimit në përputhje me qëllimin e tij të përcaktuar në nenin 179/b, pika 1, të Kushtetutës që është: “Garantimi i funksionimit të shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë, si dhe rikthimi i besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi”, – thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, Gjykata arrin në përfundimin se kjo është e vetmja mënyrë e interpretimit të ligjit objekt kontrolli, në mënyrë që ai të mos bjerë ndesh me parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve.

Pretendimet

Nisur pikërisht nga analizë e tillë, përfaqësues të opozitës kanë vlerësuar dje se me këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese pavarësisht se vendosi të lërë në fuqi ligjin, i ka dhënë të drejtë shqetësimit të tyre lidhur me rolin që do luajnë institucionet apo strukturat që janë në varësi të qeverisë. Madje ata kanë argumentuar se ky lexim që Gjykata i ka bërë ligjit duhet të përcaktojë edhe sjelljen e institucioneve që janë pjesë e zbatimit të këtij ligji, përfshi edhe DSKI, SHBCCBA apo edhe Drejtorinë e Pastrimit të Parave. Por burime nga mazhoranca kanë hedhur poshtë këto pretendime duke theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe nuk ka nevojë për interpretime shtesë. Sipas tyre, Gjykata e ka rrëzuar kërkesën e PD-së dhe ka lënë në fuqi ligjin, i cili do të zbatohet nga institucionet ashtu siç edhe është shkruar. Sipas të njëjtave burime nga mazhoranca analiza që Gjykata ka bërë në vendimin e vet nuk ka asnjë vlerë në zbatimin e mëtejshëm të ligjit. Ndërkohë që juristë të pavarur kanë deklaruar dje për MAPO se interpretimi që Gjykata i ka bërë në këtë vendim ligjit, nuk ka vlerë për zbatimin e tij. Sipas tyre interpretimi i Gjykatës ka vlerë vetëm kur ajo i kërkohet nga një subjekt i veçantë për një apo më shumë dispozita të ligjit, gjë që në rastin konkret nuk ka ndodhur. Ndërkohë që burime të tjera nga mazhoranca kanë siguruar se ligji do vijojë të zbatohet aty ku edhe mbeti në momentin e vendimit të pezullimit nga Gjykata Kushtetuese. Sipas tyre, me botimin e këtij vendimi në Fletoren Zyrtare, hiqet pezullimi i ligjit dhe nis vijon zbatimi i tij. Po ashtu, këto burime kanë bërë të ditur se edhe të gjitha veprimet e mëparshme të realizuara në zbatim të këtij ligji gjatë muajit tetor para pezullimit kanë vlerë juridike. Madje sipas këtyre burimeve edhe deklaratat dhe të gjithë formularët e plotësuar nga prokurorët dhe gjyqtarët në zbatim të këtij ligji gjatë tetorit do të jenë të vlefshëm dhe për pjesën tjetër të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët nuk mundën t’i plotësojnë dhe dorëzojnë këtë dokumentacion të kërkuar do mund të vazhdojnë në ditët e mbetura të këtij procesi sapo të rinisë zbatimi i ligjit. Ndërkohë që është bërë e ditur se një tjetër veprim që pritet të realizohet sapo vendimi i Gjykatës të botohet në Fletore Zyrtare është edhe thirrja që qeveria do t’i bëjë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit që të vijë në Shqipëri. Ky do jetë një veprim formal pasi siç dihet tashmë është përcaktuar edhe drejtuesja e këtij misioni. Ajo do të jetë Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian, Genoveva Ruiz-Calavera. Lajmi konfirmohet edhe nga vetë zonja Calavera.

Kushtetuesja: ILDKP dhe DSIK nisin punë pas ngritjes së KPK dhe KP

Gjykata vlerëson se për sa kohë që organet ekzistuese ligjzbatuese kanë vetëm rol ndihmës në procesin e rivlerësimit, përderisa veprimtaria e tyre ushtrohet nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve kushtetuese të rivlerësimit (KPK-ja dhe KA-ja), ato nuk mund të ushtrojnë funksionet e tyre pa u konstituuar dhe pa filluar funksionimin këto të fundit. Ngritja dhe konstituimi i KPK-së dhe KA-së para fillimit të veprimtarisë kontrolluese nga organet e përcaktuara me ligj, garanton që në nisje një proces të pavarur dhe transparent të të gjithë procesit të rivlerësimit, në përputhje me qëllimin e tij të përcaktuar në nenin 179/b, pika 1, të Kushtetutës që është: “Garantimi i funksionimit të shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë, si dhe rikthimi i besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi”. Për rrjedhojë, Gjykata arrin në përfundimin se kjo është e vetmja mënyrë e interpretimit të ligjit objekt kontrolli, në mënyrë që ai të mos bjerë ndesh me parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Muhamet Mustafa, një histori për jetën dhe Kosovën

UET Press promovon sot librin “Kapërcimi i vetmisë” me autor Muhamet Mustafa...
Read More