Zbatimi i projektit, ja si ka ndryshuar Pazari i Ri

Pazari i Ri është një nga hapësirat më të reja dhe tërheqëse të Tiranës, ku ndërthuret tradicionalja me të renë. E gjithë kjo hapësirë është konceptuar për të qenë multifunksionale, ku gjatë paradites do të shërbejë për funksionin e tij bazë që është pazari dhe gjatë orëve të pasdites si një mundësi argëtimi dhe kulinarie tradicionale.

Ndërhyrja e plotë në sheshin e Avni Rustemi përfshinë 6000 m2 shtrim me terrakotë dhe 5900 m2 sipërfaqe e sistemuar me trotuare e asfalt. Gjithashtu është bërë rrjeti i ri i kanaleve të ujërave të zeza, kanalet e ujërave të shiut, sistemim i linjave elektrike si dhe linjat e rrjeteve rezerve. Rikualifikimi urban i sheshit Avni Rustemi përbëhet nga 4 elementë kryesorë: Markata e Mishit dhe Peshkut, Markata e Gjelbërt, sheshi rekreativ dhe 12 fasadat përreth Pazarit të Ri. Gjithashtu është bërë dhe ndërhyrje e plotë e sheshit në hyrje të Pazarit të Ri, ku janë ribërë trotuaret dhe rrugët, ndërsa është shtuar gjelbërim me bli, ullinj e pisha dhe ndriçim i sheshit në hyrje të Pazarit. Pazari i Ri do të ketë një administratë të vetën e cila do të mbulojë organizimin e aktiviteteve, sigurinë si dhe mirëmbajtjen e saj.

Sa i përket markatës së mishit dhe peshkut, arsye e fortë që ka nxitur dhe frymëzuar zgjidhjen arkitektonike ka qenë studimi i materialeve historike, ku dokumentohet qartë gjuha arkitektonike e kësaj godine, karakteri i saj oriental dhe funksioni i saj bazë. Pra, referuar origjinës së saj arkitektonike dhe funksionale, projekti e zhvesh atë nga shtesat dhe ndërhyrjet e kohës dhe e sjell në origjinën e saj, ku lexohen qartë dhe nga të gjitha anët elementët arkitektonik dhe struktura e saj, por asnjë gjë nuk ndryshon në funksionin e saj.

Streha e fruta-perimeve është konceptuar si një stilizim kontemporan i çative të shtëpive tradicionale tiranase, por e trajtuar me materiale rezistente dhe të kohës. Ajo është një kombinim midis konstruksionit metalik dhe xhamit struktural, e cila do të shërbejë si strehë për tregtarët ditën dhe natën do të kthehet në një abazhur urban i cili do të ndriçojë aktivitetet përreth sheshit.

Ndërsa sheshi rekreativ është rivitalizim i një prej pjesëve më problematike që ka patur ky Pazar, duke krijuar një shesh prej 2200 m2 me ndërthurje gjelbërimi dhe mundësi të panumërta aktivitetesh në çdo orë të ditës. Gjithashtu janë bërë ndërhyrje në 8 godinat përreth ku është bërë rikonstruksion fasade dhe 4 restaurime me qellim kthimin e tyre në identitet duke ndërhyrë në elementët e dekorit në fasadë dhe mbulimin me tjegulla marsejeze ose vendi sipas studimit të origjinalit, meqë objektet gëzojnë gjendje të mirë konservimi.

Shkruar Nga
More from Revista User

Mattis: Rusia dhe Kina janë “fuqi revizioniste”

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, i ka quajtur “fuqi revizioniste” Rusinë...
Read More