Zëvendësministrat nga sektori privat, avantazh i qeverisë Rama dy

Nga Ervis Iljazaj

Edi Rama ka bërë publik emrat e zëvendësministrave qe do të jenë pjesë e qeverisë në mandatin e tij të dytë. Një numër relativisht i madh në krahasim me numrin e ministrive që përbëjnë qeverinë. Ka ministri, ku numri i zëvendësministrave arrin deri në katër. Kjo është më se e kuptueshme, duke qenë se një numër jo i vogël i ministrive u reduktua, dhe zv.ministrat do të mbulojnë dikastere që u lanë bosh nga ristrukturimi i qeverisë.

Përtej numrit dhe thashethemeve që pasuan publikimin e emrave të tyre, ajo që bie në sy nga emrat e zëvendësministrave, është fakti se janë në shumicën e tyre teknikë, apo profesionistë. Një risi tjetër e zëvendësministrave, ishte dhe prejardhja e disa prej tyre nga bashkëkombësit tanë kosovarë.

Ndryshe nga tradita që është krijuar nga qeveritë e mëparshme, ku zëvendësministrat kanë qenë politikë, dhe shpeshherë merreshin me punët e partisë dhe jo të qeverisë, kësaj here ka një risi pozitive për kulturën politike shqiptare.

Shumica prej tyre vijnë mbas një eksperience nga sektori privat, ku kanë patur arritje profesionale të suksesshme deri më tani.

Në këtë kuptim, në mandatin e dytë të Ramës duket që zëvendësministrat do të kenë një rol të rëndësishëm në qeverisjen dhe hartimin e politikave të vendit.

Kjo është një shenjë e mirë, duke qenë së ministrat janë përfaqësues politik të qeverisë, dhe në pjesën më të madhe jokompetent për fushat që mbulojnë, zëvendësministrat do të shërbejnë si “krahu punëtor” i saj.

Prejardhja e shumë prej zëvendësministrave nga eksperienca e sektorit privat dhe biznesit në Shqipëri, janë anatemuar nga opozita si emërime apo përfaqësues të oligarkisë në qeveri. Kjo është një mendësi tërësisht e prapambetur, që tregon edhe njëherë mentalitetin komunist që mbizotëron ende në shoqërinë shqiptare.

Shembujt ku qeveritë marrin ekspertë nga sektori privat dhe i angazhojnë në qeverisje, janë pafund në Europë dhe përtej saj. Shembull më tipik janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sekretarët që ndihmojnë Presidentin në SHBA për hartimin e politikave janë pothuajse gjithmonë, njerëz të suksesshëm që vijnë nga sektori privat. Profesionalizmin e tyre qeveria e merr dhe e përdor në të mirë të politikave publike, dhe askush nuk e paragjykon këtë mënyrë zgjedhjeje.

Kështu që, e gjithë detyra e zëvendësministrave të rinj është puna, larg çdo ideologjie politike siç ndodhte rëndom në qeveritë e mëparshme. Se sa do ta arrijnë këtë kjo mbetet për t’u parë, por mendësia me të cilën Rama i ka përzgjedhur ata, është për t’u përshëndetur.

Me ndonjë përjashtim të vogël, asnjë nga zëvendësministrat nuk kanë marrëdhënie me Partinë Socialiste. Në këtë kuptim roli i tyre është tërësisht i ndryshëm nga linja partiake, që për interesa të saj të mirëfilltë përfaqësohej në qeveri nëpërmjet zëvendësministrave. Prandaj zëvendësministrat e qeverisë Rama dy, janë në rolin e teknicienëve për të zbatuar politikat e qeverisë dhe për t’i dhënë asaj një profil profesionalizmi, larg çfarëdo ndikimi partiak.

Nuk ka asgjë për t’u alarmuar për faktin që shumë prej zëvendësministrave vijnë nga sektori privat, përkundrazi, është një praktikë që duhet aplikuar më shpesh nga qeveritë e tjera. Sepse kemi të bëjmë me njerëz që kanë patur sukses profesional vetëm në saje të meritës së tyre, siç është zakon në tregun e lirë dhe jo si pasojë e lidhjeve politike, me të cilët administrata shqiptare është e mbushur plot e përplot, dhe që e kanë katandisur atë në këtë gjendje që ndodhet sot.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Sa larg është Koreja e Veriut? Tre supozime për premisat e konfliktit

Çështja e Koresë së Veriut është sot pika më e ndezur e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.