Zgjedhje europiane, merita e madhe e marrëveshjes Rama-Basha

Nga Ervis Iljazaj

Përtej pjesëmarrjes së ulët në votime dhe incidenteve episodike, të cilat nuk ndikojnë thelbësisht në përmbajtjen e tyre dhe në rezultatet e votimeve, këto zgjedhje mund të konsiderohen me standarde të çdo vendi europian.

Pjesëmarrja e ulët mund të ketë arsye nga më të ndryshmet. Zgjatja e fushatës elektorale në shumë muaj, për faktin se dhe protesta e Partisë Demokratike për muaj me radhë ishte në vetvete një lloj fushate, solli një lodhje te qytetarëve, të cilët me sa duket në shenjë proteste nga stërzgjatja e krizës politike refuzuan të shkonin në zgjedhje. Po kështu, një nga faktorët kryesorë që ka sjellë këtë pjesëmarrje të ulët, mund të jetë se asnjë nga kandidatët për Kryeministër nuk ka bindur shqiptarët në masën e duhur.

Megjithatë, edhe pse ka një ulje të pjesëmarrjes në votimeve, Shqipëria mbetet një nga vendet me pjesëmarrje më të larta krahasuar me vendet e tjera perëndimore.

Për sa i përket ditës së votimeve, por edhe fushatës elektorale, janë padyshim dy procese që u zhvilluan brenda çdo norme demokratike.

Kjo është meritë e padiskutueshme e marrëveshjes Rama-Basha, që për herë të parë instaloi një model fushate dhe garantoi normalitetin e procesit zgjedhor.

Kjo marrëveshje garantoi një gjuhë të qetë dhe jo agresive, duke u fokusuar te mesazhet kryesore që kandidatët për Kryeministër donin t’i jepnin popullit shqiptar. Me përdorimin e mjeteve masive të komunikimit ajo u përqendrua te figura dhe personazhi i çdo kandidati, duke e bërë atë thelbësisht perëndimore dhe në trend me çdo fushatë që zhvillohet në vendet më të zhvilluara europiane.

Një element thelbësor në këtë mbarëvajtje ka qenë evitimi i administratës publike në ndikimin e votës që historikisht ka përbërë një nga problematikat kryesore në proceset zgjedhore. Me anë të marrëveshjes dhe krijimin e strukturave të posaçme për monitorimin e tyre është krijuar një kulturë dhe një perspektivë e re demokratike.

Edhe pse në orët e para të ditës lajmet me incidente të ndryshme mbuluan shtypin, ato nuk ndikuan absolutisht në një proces, i cili mbetet thelbësisht i qetë dhe një nga zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë.

Të gjitha këto raste janë konstatuar dhe janë duke u ndjekur në rrugë ligjore. Kjo, falë meritës së strukturave shtetërore të cilat ishin gjatë gjithë kohës duke vëzhguar procesin e zgjedhjeve.

Edhe pse rastet e blerjes së votimeve janë denoncuar në këto struktura, shpeshherë ato përdoren si alibi për humbjen e zgjedhjeve se sa realisht ndikojnë në rezultatin e tyre. Duhet të kemi më shumë respekt për popullin shqiptar.

Sigurisht që Shqipëria nuk është një vend si Suedia, ku votohet me laps dhe askujt nuk i shkon në mendje të fshijë votën, por përpjekja e dy forcave kryesore për të siguruar një proces demokratik u shpagua.

Tashmë mbetet vetëm një element për të plotësuar mozaikun pozitiv të këtyre zgjedhjeve, procesi i numërimit dhe shpallja e rezultateve sa më shpejt. Një proces i cili si në asnjë vend tjetër është me ritme të ngadalta.

Në këtë kuptim, përtej faktit se cilin do të nxjerrin fitues votat e qytetarëve, në këto zgjedhje fitoi qytetaria, procesi dhe demokracia.

Shpresojmë që kjo frymë pozitive që uli ndjeshëm agresivitetin dhe konfliktualitetin politik të vazhdojë edhe në të ardhmen për t’iu bërë ballë sfidave të rëndësishme që e presin vendin, dhe mbi të gjitha rrugën e reformave që do të sigurojë integrimin në Bashkimin Europian.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Burri divorcon gruan natën e dasmës: Nuk donte të bënte seks sepse…

Një nuse u divorcua nga i shoqi natën e dasmës së tyre...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.