Zgjedhjet 2019: Rama rrit pagat më 1 prill për tre kategori buxhetorësh

Kryeministri Edi Rama premton rritje pagash për infermierët, mësuesit dhe ushtarakët duke nisur nga 1 prilli i vitit të ardhshëm. Përse nisma e qeverisë vjen në prag të fushatës elektorale dhe shtresat që do të përfitojnë nga këto nisma. Një “shtet social” apo histori e vjetër e qeverive tona që hedhin para në vite elektorale?

Për kreun e qeverisë momenti për të rritur pagat ka ardhur tani dhe më shumë se një “suficit” në arkën e shtetit mbetet strategji e përhershme e politikës sonë në prag të zgjedhjeve, lokale apo qendrore. Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë u shpreh dje se buxheti i vitit 2019 do të jetë më i madhi. Ai është përqendruar në objektivat e qeverisë duke nisur nga rritja e pagave. Nga data 1 prill e vitit të ardhshëm do të rriten pagat për mësuesit 7%, infermierët 10% dhe ushtarakët 5-7%. “Buxheti i 2019 është i gjashti që do aprovohet me propozim të qeverisë socialiste, kujtoj se në buxhetin e parë kishim detyrimin të përballeshim me shlyerjen e një stoku të konsiderueshëm borxhi të papaguar të qeverisë së mëparshme dhe kërcënimin e një kolapsi. Ky do të jetë buxheti më i madh”, -tha Rama, duke vënë theksin sidomos në çekun e bebeve që do të lindin pas 1 janarit të vitit të ardhshëm. “Do të bëjmë edhe një rritje tjetër duke nisur nga 1 prilli, të gjitha kategoritë, qëllon një ditë përrallash, por për ne ka qëlluar që kemi pasur disa zhvillime pozitive, kështu ka qenë për rritjen e pagave. Për mjekët, infermierët, mësuesit dhe ushtarakët. Në shëndetësi do të kemi rritjen më të lartë, 10%, në arsim 7%, janë 4560 mjekë dhe 13765 infermierë dhe 35 mijë arsimtarë që do të përfitojnë këtë rritje. Do të kemi një rritje edhe për ushtarakët”, komentoi kryeministri. Të gjitha këto nisma më se të nevojshme, vijnë në prag të nisjes së fushatës elektorale dhe për më shumë që 2019-ta është vit zgjedhur, ku do përzgjidhen drejtuesit e rinj të 61 bashkive të vendit.

Qeveri sociale?

Po në takimin kur Rama dha lajmin e rritjes së pagave premtoi se ky buxhet do të shërbejë edhe për financimin e projektit të diasporës. “Presim avancimin me kodin zgjedhor për sanksionimin e votës së emigrantëve”, deklaroi Rama, duke e shtrirë “projektin buxhetor” edhe jashtë vendit. Megjithatë premtimet nuk janë vetëm për kaq, pasi me sigurimin e eurobondit prej 500 milionë euro, pritet të investohet në sektorët kyç. “Investimet në infrastrukturë janë gjysmë miliard, rrugë kombëtare, ujësjellës dhe rehabilitimin e rrjetit. Rindërtim të të gjithë rrjetit të qendrave shëndetësore, që do të jenë 100 për vitin tjetër dhe projekte të reja për spitale”, shtoi kryeministri. Gjithashtu, parashikohet që të “përkrahen” edhe shtresat në nevojë, sidomos të sëmurët kronik që marrin ilaçe të rimbursueshme. Një numër barnash të reja të domosdoshme do të përfshihen në sistemin e ilaçeve të rimbursueshme. Në shumë takime që Rama ka patur me qytetarët problemi i rimbursimit të ilaçeve ka qenë shqetësimi kryesor. Me ndryshimin e listës së barnave të rimbursueshme pacientët ankohen se janë hequr padrejtësisht nga skema e rimbursimit dhe nuk janë në gjendje ekonomike për t’i blerë në farmaci private ilaçet e nevojshme. Për të propaganduar të mirat e buxhetit që pritet të miratohet është ndalur në sektorin e arsimit. Po në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm qeveria parashikon që të mbështet më tej politika e teksteve falas për ciklin e ulët. “Fokus i veçantë te transporti i nxënësve nëse e kanë shkollën me larg se 2 km, dhe për mësuesit që e kanë më shumë se 5 km larg shkollës. Ecim me synimin që të kemi 100 klasa mësimore digjitale çdo vit”-u shpreh Rama. Në fillim të këtij viti shkollor pati një risi, ku nxënësit e shkollave fillore i përfituan librat falas. Ky projekt sipas Ramës do të shtrihet edhe më tej dhe në fund të mandatit të dytë qeverisës ka premtuar që të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën do i përfitojnë falas tekstet shkollore. Nëse shihet me kujdes ideja e kryeministrit preken të gjithë shtresat sociale në vend, duke nisur nga buxhetorët, pensionistët, të sëmurët apo edhe nxënësit. Motivet që e shtynë kreun e qeverisë për të investuar dhe krijuar përshtypjen e një “shteti social” lidhen edhe me perceptimin publik se gjatë mandatit të parë kanë munguar thelbësisht investimet infrastrukturore, ndërsa niveli i papunësisë mbetet i lartë. Gjithashtu, mbi 200 mijë familje të vend janë në kushte të rënda ekonomike.

Fushatë me thes të hapur…

Në prag të fushatave elektorale të gjitha qeveritë janë të prirura që të rritin pagat dhe pensionet, ndonëse në nivele mjaft të ulëta. Gjithashtu si “bonuse” u ofrojnë pensionistëve edhe shpërblimin për festat e fundvitit. Të njëjtën formë kanë ndjekur edhe qeveritë e tjera në 28 vitet e fundit. Pasi një “arke të mbyllur” për disa vite “thesi hapet” në nisje të fushatave elektorale. Edhe kryeministri nuk bën përjashtim në këtë traditë politike të pushtetit. Për kryeministri zgjedhjet lokale janë shumë të rëndësishme pasi nëse arrin të mbajë qytetet kryesore të vendit ka një bonus më shumë në duar për të fituar edhe zgjedhjet e përgjithshme, që për Ramën do jetë një mandat i tretë, për të thyer qeverisjet tetëvjeçare nga një forcë politike si çka ndodhur në të kaluarën. Krahas rritjes së pagave për disa sektorë përqendrimi do të jetë në pjesën infrastrukturore, që konsiderohen vepra të dukshme të cilat janë propaganda më e mirë për të siguruar votat. Hartimi dhe miratimi i buxhetit gjithnjë ka qenë një traditë debate në parlamentin tonë, por këtë herë me klimën politike të krijuar në vend mbetet e paqartë nëse opozita do të bëjë një oponencë mbi buxhetin. Prej disa javësh opozita ka braktisur Parlamentin, për shkak të lidhjeve sipas saj të qeverisë me krimin. Megjithatë edhe nëse do të kishte një debat mes “ekspertësh” mazhoranca i ka votat e mjaftueshme për të kaluar buxhetin e vitit 2019.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Avokati i Tahirit: Kërkesa e prokurorisë është e pabazuar në ligj dhe në prova

Avokati i deputetit Saimir Tahiri, Artan Hajdari tha se seancat e Këshillit...
Read More