Zgjedhjet në Gjermani konfirmuan projektin europian, por dhe rrezikun e tij

Nga Ervis Iljazaj

Angela Merkel është rikonfirmuar për herë të katërt si Kancelarja e Gjermanisë, duke barazuar kështu Elmut Kohl, që njihet ndër të tjera, si mentori i saj politik.

Rikonfimimi i Merkel, është një lajm i mirë për Europën, pasi projekti i Bashkimit Europian vazhdon ende. Megjithatë rreziku antieuropian dhe ekstremist është po ashtu prezent, më shumë se asnjëherë. Partia e djathtë ekstreme dhe ksenofobe gjermane arriti të përfaqësohej me 87 deputetë, dhe ky është lajmi shqetësues për Gjermaninë dhe Europën në të njëjtën kohë.

Vetë Kancelarja Merkel, pasi dolën rezultatet nuk dukej aq entuziaste për rezultatin, por përkundrazi , ishte tërësisht e zhgënjyer. Merkel arriti të fitonte, por përpara saj ka një Gjermani më të ndarë dhe copëzuar politikisht.

Në këtë kuptim arritja e një mazhorance për të qeverisur vendin dhe për të mbajtur larg ekstremin e djathtë është sfida e vërtetë e saj. Aq më tepër kur Social-Demokratët , me një rezultat minimum historik të tyre në këto zgjedhje, deklaruan se do t’i jepnin fund koalicionit të madh për të dalë në opozitë.

Ndoshta, fundi i qeverisjes me një koalicion të madh midis forcave politike të moderuara në Gjermani, është një shenjë e mirë për t’i kthyer vendit një opozitë të shëndetshme. Sepse një nga arsyet se përse forcat ekstremiste janë në rritje në Gjermani, është fakti që vendi ishte pa opozitë, dhe të gjitha pakënaqësitë ndaj qeverisë u mblodhën rreth forcave ekstreme. Në këtë mënyrë, pa dashur, koalicioni i madh ka stimuluar rritjen politike të forcave ekstreme.

Prandaj, pamja e Merkel mbas rezultatit të zgjedhjeve nuk ishte pamje e një triumfi politik, por i një rezultati që ka pasiguri të mëdha politike, sepse rreziku antieuropian dhe ekstremist është më i fortë se asnjëherë në politikën gjermane.

Në shumë vende europiane ky ishte një vit shumë i rëndësishëm në këtë aspekt, sepse u zhvilluan gara elektorale testuese për vazhdimësinë e Europës si projekt politik dhe shoqëror.

Megjithatë, të gjitha garat elektorale që u zhvilluan në këto vende, konfirmuan forcat e moderuara politike pro europiane.

Humbja e referendumit antieuropian në Hungari, fitorja e liderëve proeuropianë në Austri dhe Vendet e Ulëta, fitorja e Emmanuel Macron, dhe tani fitorja e Merkel përforcojnë gjithmonë e më shumë projektin europian dhe reformizmin kundër çfarëdolloj alternative tjetër që bazohet te frika dhe nacionalizmat apo te “lumturia e përjetshme”.

Në thelb, rëndësia e fitoreve pro europiane në shumë shtete është pikërisht kjo: Kuraja për të mos gënjyer dhe për të mos premtuar një rikthim në të shkuarën. Sepse populizmi nuk mund të mundet duke zbritur në terrenin e tij, por duke thënë të vërtetën dhe duke faktuar çdo arritje të tregut të përbashkët dhe duke theksuar rëndësinë e reformave ekonomike dhe shoqërore, si e vetmja rrugë për të shpëtuar nga rreziku i nacionalizmit.

Por, edhe në këto vende, si në Gjermani, forcat antieuropiane vazhdojnë të mbijetojnë. Andaj beteja politike në vitet e ardhshme në Europë, nuk do të jetë midis të majtëve dhe të djathtëve, por midis europianëve dhe antieuropianëve. Kjo është sfida politike dhe shoqërore që ka Europa përpara.

Ne duhet të shpresojmë që projekti europian të vazhdojë, për interesin e Shqipërisë, që s’ka asnjë rrugë tjetër të mbijetojë në gjeopolitikë ndërkombëtare, pa integrimin e saj në Bashkimin Europian. Kështu që, fitorja e Merkel ishte një lajm i mirë për Gjermaninë, por edhe për Shqipërinë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Forumet UET/ Sokol Balla: Populizmi dhe reformizmi te Nano, Berisha e Rama

Drejtori i Informacionit në Top Channel dhe drejtuesi i emisionit “Top Story”,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.