Zgjedhjet pa opozitën janë kundër të gjithëve, edhe kundër PS dhe Ramës

Nga Fitim Zekthi

Kriza politike ndonëse shumë e madhe dhe e rrezikshme po trajtohet si një lojë e rëndomtë politike, si një betejë taktikash negociatore apo trukesh  dhe nuk po lejon të kuptohet se çfarë pasojash ajo mund të sjellë. Veç kryeministrit i cili nuk dëshiron ta kuptojë pasojën e mbajtjes së zgjedhjeve pa opozitën, zhurmës për ta paraqitur si një krizë të PD-së, si një kurth të Ilir Metës, si një shah ku Rama po i përdredh të gjithë i janë bashkuar prej kohësh edhe shumë politikanë dhe njerëz të medias disa nga verbëria dhe disa nga pafuqia për të parë si subjekte të lira. Kur demokracia u shfaq në Europë dhe SHBA fundshekullin e 18–të dhe fillimshekullin e 19-të teoricienët kryesorë bënë një dallim thelbësor mes mënyrës si shihej politika, qeverisja në Greqinë dhe Romën e vjetër dhe mënyrës se si shihej qeverisja, pushteti, politika në modernitet. Pas vitesh dhe shekujsh përvoja dramatike qeverisjesh bota perëndimore kishte prodhuar dije, literaturë dhe fituar përvojë të madhe. Në Greqinë dhe Romën e Vjetër pyetja që shtohej ishte: cila është gjëja më e lartë për të cilën është i aftë njerëzimi dhe si mund ta realizojmë këtë gjë?  Ndërsa në modernitet kjo pyetje është: cila është gjëja më e keqe që mund t’iu ndodhë njerëzve dhe si mund të shmanget ajo? Mendimtari i parë i madh që iu afrua  çështjes së “të keqes së madhe që mund të ndodhë” ishte Makiaveli. Ndryshe nga Greqia apo Roma e vjetër që nisej nga ajo se cila ishte e mira më e madhe që mund të bënin njerëzit, Makiaveli i pa njerëzit siç ata janë. Projekti i tij politik synonte të bënte më të mirën nga ky material “defektoz”. Ai besonte se nuk mund të bëhet asgjë e drejtë me drurët e shtrembët. Ndonëse Makiaveli nuk ishte demokrat ai ishte një nga ata që i paraprinë demokracisë sepse ai kërkoi që të përshtaste, kufizonte, forca të fuqishme dhe jo të parashikueshme që burojnë nga natyra e njeriut. Ndërkohë nga një drejtim tjetër erdhi një kontribut madhor. Dekarti zgjeroi shumë bazën e sigurisë në njohje, të mënyrës si njohim dhe të çfarë njohim. Duke kërkuar një bazë sigurie përtej revelatës dhe përtej arsyes së kulluar Dekarti gjeti një bazament edhe te vetë njohja: mendoj, pra jam.  Pra shqisat do të na japin të dhëna për çfarë mund të arrijë njerëzimi. Ndërsa Hobbesi u bë vendimtar pasi duke e parë jetën njerëzore në kushte natyrore si “të vetmuar, të tmerrshme, brutale dhe të shkurtër”  ai tha se frika më e madhe e njeriut është vdekja e dhunshme. Prej këtu lind një shkencë e gjerë e politikës e bazuar mbi çfarë kanë të përbashkët qeniet njerëzore –njohjen që vjen nga shqisat-një shkencë politike që vjen nga të dhënat dhe demosi. Kësisoj politika në demokraci nuk është një fushë në të cilën natyra njerëzore përsoset, nuk është një vend në të cilin njerëzit zgjidhen apo emërohen për të shprehur potencialin e tyre më të lartë. Përkundrazi, politika moderne thotë Thomas West i Claremont Institute, mbështetet mbi hamendjen se njerëzit do të sillen dhe veprojnë mbi impulset e fuqishme të natyrës së tyre defektoze. Themeluesit e SHBA-së  –  sidomos njeriu më me ndikim në hartimin e Kushtetutës, James Madison –  pyeste se cili ishte rezultati më i keq politik? Përgjigja e tij ishte tirania. Për këtë arsye ai dhe mendimtarët e tjerë të revolucionit amerikan ndërtuan një Kushtetutë në themel të së cilës ishte ndarja e pushteteve, kontrolli dhe balanca e tyre. Për ta formë e tiranisë që mund të lindte në një republikë ishte tirania e shumicës. Pyetjes se si mund të shmanget, Madison i përgjigjej: duke mos patur shumica që mund të bëhen tiranike duke qëndruar gjatë; duke reduktuar mundësitë që një shumicë e madhe të krijohet dhe të rrijë gjatë. Në mënyrë mjerane në Shqipëri po mbahet gjallë, po ushqehet ideja  se zgjedhjet mund të mbahen dhe duhet të mbahen pa opozitën, se opozita mund të jetë Bojaxhiu apo Topi, Blushi apo Gjinushi. Kjo është antidemokratike, kjo nuk e sheh politikën si një fushë në të cilën njerëzit janë aty me impulset e tyre defektoze dhe duhet gjetur çdo mjet që ata të kontrollohen, që pushtetet të jenë të ndara, që qeveria të jetë nën kontroll parlamentar, që gjyqësori të bëjë kontroll dhe balancim pushtetesh  duke mos lejuar qeverinë dhe parlamentin të marrin pushtet që nuk janë të tyret.  Sot duket e pamundur për shkak të zhurmës së qeverisë dhe gjithë atyre që e ndjekin këtë zhurmë por tirania është shumë pranë. James Madison thoshte se tirania si formë më të shëmtuar të sajën ka atë që vjen si pasojë e “nevojës për t’iu shërbyer ligjit dhe njerëzve”. Edhe qeveria, kryeministri dhe mbështetësit e tyre flasin për nevojë për të respektuar ligjin apo nevojë për t’iu shërbyer njerëzve. Turpshëm ata madje e kërkojnë me ngulm këtë gjë duke harruar se tirania do të hajë të parët disa nga vetë ata.  Kështu vjen dhe kështu vepron ajo gjithnjë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Në TV shtetëror të Kanadasë, Kaloçi: Gati 101 dokumente të panjohura për Kadarenë

Kadare do të rikthehet sërish në qendër të vëmendjes përmes dokumenteve arkivore...
Read More