“Zgjerim i BE-së në vitin 2025?” Gjermania kundër: Mos caktoni data, bëni punët

 

Ministrat e Brendshëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian miratuan në takimin e së enjtes në Bruksel planet e veprimit për afrimin e Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës me bllokun, ndërsa i lanë secilit detyra shtëpie, duke nisur nga miratimi i një programi prej 14 pikash në fushën e sigurisë dhe integrimit.

Synimi është që të luftohet më mirë emigracioni i paligjshëm, krimi i organizuar dhe tregtia e armëve, për t’iu afruar kështu standardeve të BE-së. Detyrat e formuluara në këtë plan shtrihen deri në vitin 2020. Gjatë kësaj kohe, blloku do të rishqyrtojë se cilat përparime janë bërë në fushën e sigurisë së brendshme, për çdo vend, pikë për pikë.

Një raport i ri do të tregojë se cili vend duhet të bëjë përmirësime dhe në cilat drejtime. E gjitha kjo bëhet duke pasur parasysh datën e synuar 2025, të cilën, shefi i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker e ripërsëriti në Sofje, në fund të udhëtimit të tij në Ballkan.

Në projektet e kërkuara bëjnë pjesë ndër të tjera ngritja ose forcimi i koordinatorëve kombëtarë apo institucioneve për luftën kundër radikalizimit islamik në kuadër të mbrojtjes nga terrorizmi, të cilët të lidhen në rrjet e të bashkëpunojnë në të gjithë Ballkanin; kualifikimi i policisë dhe hetuesve duhet të forcohet me ndihmën e agjencive të BE-së; Autoriteti Policor Europian (Europol) do të ngrejë zyra ndërlidhëse në të gjashtë shtetet e Ballkanit.

Por ajo që ra në sy në këtë takim ishte se Gjermania vazhdon të kundërshtojë vendosjen e një date për zgjerimin e BE.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maziere i CDU kritikoi këtë gjë.

“Nuk e kuptoj se si mund të vendosim data dhe të themi që deri në vitin 2025 duhen plotësuar kriteret. Rruga më e mirë është që këto vende të plotësojnë kriteret. Më pas do vendoset nëse janë gati për të hyrë në BE”, tha ai.

Shkruar Nga
More from Redaksia

U vetëdorëzua, kush është Izet Haxhia dhe çfarë paralajmëron ai me kthimin në Tiranë…

  Mapo.al Izet Haxhia mbetet ndër emrat më të përfolur që qëndron...
Read More