Zgjerimi i taksës progresive, si zgjerim i abuzimit politik me jetën e qytetarëve

Nga Ervis Iljazaj

Qeveria ka vendosur që taksën progresive ta universalizojë në të gjitha llojet e të ardhurave. Nëse më parë progresiviteti, aplikohej vetëm në të ardhurat e pagës, tashmë, me vendimin e fundit ajo do të shtrihet dhe në të ardhurat e tjera personale.

Ky vendim është padyshim, vendimi më i keq që mund të merrte qeveria shqiptare për të nxitur ekonominë dhe zhvillimin e saj. Ndërkohë që me situatën ekonomike e krijuar, pritej nga ana e saj, një lloj çlirimi dhe liberalizimi i tregjeve në përgjithësi për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë nëpërmjet uljes së barrës fiskale, është bërë pikërisht e kundërta.

Taksa progresive tashmë, do të rëndojë edhe më shumë në konsumin e qytetarëve, që është një nga elementet bazë të zhvillimit ekonomik.

Pa hyrë në debate kulturore dhe ideologjike për sa i përket llojit të taksës, të sheshtë apo progresive, debat i cili kërkon më shumë sesa një artikull gazete, e rëndësishme për një vend si Shqipëria është të aplikojë taksën e duhur për momentin e duhur.

Nuk ekziston një sistem fiskal i mirë apriori. Si ai i sheshtë, po ashtu edhe ai progresiv kanë të metat dhe avantazhet e tyre. Ekziston një kontekst i caktuar që kërkon njërin apo tjetrin sistem.

Momenti ekonomik, politik dhe shoqëror aktual në Shqipëri kërkon që të aplikohet taksa e sheshtë. Për arsye se qytetarët i shpenzojnë më mirë paratë e tyre sesa shteti. Shqipëria nuk ka një administratë publike si ajo e Danimarkës, ku taksat e larta, përkthehen në shërbime ndaj qytetarëve. Administrata publike shqiptare, që menaxhon paratë e qytetarëve, jo vetëm që nuk ka efikasitetin që t’i përkthejë në shërbime paratë e qytetarëve, por përkundrazi, shpeshherë abuzon me to. Në këtë mënyrë, sa më shumë kompetenca dhe pushtet t’i lësh asaj, aq më e madhe është tendenca e korruptimit. Sa më shumë para t’i lësh në duar administratës dhe qeverisë shqiptare, aq më e lartë është tendenca e abuzimit me to.

Prandaj, duke parë këtë realiteti politik dhe ekonomik ku ndodhet Shqipëria, është në të mirë të saj, që politika të ketë sa më pak pushtet dhe sa më pak kompetenca për të menaxhuar paratë e qytetarëve.

Në këtë kontekst, qytetarët shqiptarë, i shpenzojnë më mirë se qeveria paratë, duke ndihmuar me sjelljen e tyre ekonominë në përgjithësi.

Ndërsa, duke u rritur barra e shtetit te paratë e shqiptarëve, nuk bëhet gjë tjetër, përveçse rritet mundësia e abuzimit dhe shpërdorimit të tyre sipas orekseve politike të momentit.

Në fakt, me taksën progresive qeveria mendon se po bën drejtësi sociale, duke taksuar më shumë ata që fitojnë më shumë. E kundërta është e vërtetë. Kjo është mënyra më e padrejtë për të taksuar ata që me mund kanë arritur të krijojnë me meritën e tyre profesione apo veprimtari ekonomike. Në këtë mënyrë demotivohet meritokracia dhe përpjekjet për të patur lirinë individuale, e cila nuk është gjë tjetër, përveçse zotësia e gjithsecilit.

Është e vërtetë, që një shoqëri duhet të jetë solidare, ku ata që fitojnë më shumë të ndihmojnë ata që fitojnë më pak. Por, a ndodh kështu në shoqërinë shqiptare? A përkthehet në solidaritet shoqëror rritja e taksave në Shqipëri?

Absolutisht që jo! Rritja e taksave përkthehet vetëm në rritjen e pushtetit të qeverisë ndaj qytetarëve, dhe, në këtë mënyrë rritjen e mundësisë për të abuzuar me këtë pushtet.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A rrezikon Edi Rama të mbetet reformator përgjysmë?

Nga Ervis Iljazaj Në intervistën që Kryeministri dha për gazetaren Eni Vasili,...
Read More