Zgjerohet protesta, pas “Astirit” dalin në rrugë Shkoza e Lapraka

Shtohet fryma e revoltës kundër prishjes së banesave ku kalon Unaza e Re. Qytetarët bllokojnë rrugën dhe kërcënojnë se do i mbrojnë me gjak shtëpitë e tyre. Opozita në “ballë të revoltës” u kërkon qytetarëve që të mos tërhiqen. Kryebashkiaku Veliaj, i vendosur për të vijuar ndërtimin e Unazës së Re me çdo kosto.

Ndërtimi i Unazës së Re po kthehet në makth jo vetëm për banorët që preken nga prishja e shtëpive, por edhe për qeverinë që po ndjen edhe më shumë frymën e revoltës. Ditën e djeshme përveç banorëve të Astirit, në protestë kanë dalë qindra qytetarë në Shkozë dhe Laprakë. Ata kanë kërkuar dëmshpërblim ne vlerën e tregut për banesat që do u prishen, ndërsa situata po degradon pas shkatërrimit në orët e para të mëngjesit të dy objekteve në Shkozë dhe Laprakë. Kjo ka nxitur protestën ku banorët e Shkozës bllokuan rrugën dhe iu vunë flakën kazanëve të mbeturinave në shenjë revolte. Tensioni ka qenë i madh edhe në Laprakë, ku është dashur të ndërhyjë policia për të nxjerrë nga objekti pronarët e saj. Pasi u shoqëruan me forcë, fadromat e IKMT-së shkatërruan godinën. Kjo situatë solli revoltën e banorëve të tjerë të cilët për disa orë protestuan. Nga burime të Partisë Demokratike thuhet se projekti i ndërtimit të Unazës së Re ka në plan prishjen e mbi 1000 shtëpive në zonën e Laprakës dhe kjo do jetë tragjedia sociale. Në mbështetje të banorëve edhe dije kanë dalë deputetë të opozitës. Revolta po mbahet e ndezur sidomos në zonën e “Astirit” ku për 32 ditë me radhë kanë bllokuar rrugën dhe janë të vendosur për të mos lejuar prishjen e objekteve që i kanë ndërtuar pa leje në dy dekadat e fundit. Ndërsa qytetarët që preken nga projekti i ri kanë dalë në rrugë në “frymën e fundit” për të mos lejuar prishjen e shtëpive, politika po shfrytëzon çdo moment për ta kthyer në kauzë. Gjithashtu, opozita dhe ekspertë të pavarur e konsiderojnë aferë korruptive ndërtimin e këtij segmenti të Unazës së Re, ku për 2.2 kilometra rrugë janë lëvruar 40 milionë euro. Deputetët e PD-së i bënë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestë, ndërsa kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u shpreh i vendosur se projekti do të vijojë, duke bërë paralelizëm me Kabulin dhe sipas tij edhe ndaj talebanëve fitoi civilizimi.

Tri vatra proteste në Tiranë

Prej ditësh shkëndija e revoltës po mbahej ndezur nga rreth 300 familje në zonën e Astirit që deri më tani nuk kanë lejuar të afrohen fadromat e IKMT-së për të shkatërruar objektet. Ndërsa dje kjo formë e protestës është shtrirë edhe në Shkozë, aty ku gjurmët e Unazës së Re kalojnë pranë disa banesave të cilat pritet që të shkatërrohen. “I drejtohem kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë. U bënë tri gabime shumë të rënda. Projektin e fute nëpër shtëpia, prishe shtëpitë pa qenë të zotët e shtëpisë aty, sot bërë terrorin më të madh se prishe shtëpinë natën me kalamaj brenda. Hajdeni uluni me popullin, nëse jeni kundër nesh na thoni. Po na erdhët edhe njëherë si sot, me ne keni luftë, nuk ke më protestë”, deklaroi një nga banorët e Shkozës. Në shenjë revolte dogjën kazanët e mbeturinave ndërsa bllokuan edhe rrugën duke shkaktuar kaos në qarkullimin e automjeteve. Efektivët e policisë ishin të pakët në numër dhe nuk tentuan të përplasen me qytetarët. Po si pjesë e projektit të Unazës së Re gjurmët kalojnë edhe në zonën e Laprakës, aty ku intensiteti i ndërtimeve është edhe më i madh. Rreth 1000 banesa dhe biznese mund të kalojnë poshtë fadromave, por ky projekt synohet të vihet në zbatim në një tjetër kohë. Megjithëse ende nuk ka projekt qeveritar për vijimin e punimeve në zonën e Laprakës, banorët të frikësuar se fati i tyre mund të jetë i ngjashëm me ata të Shkozës dhe Astirit kanë nisur protestën. Përveç të prekurve të drejtpërdrejtë në këtë çështje në krah të tyre kanë shkuar edhe artistët që kundërshtojnë prishjen e Teatrit Kombëtar, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile që kanë bërë thirrje për protestë masive jo vetëm në mbrojtje të banesave por edhe ndaj qeverisë.

Politika e ndarë për protestën

Përmes një statusi të publikuar në rrjetet sociale, deputetja dhe nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku ka sjellë në vëmendje vendimin e qeverisë franceze për pezullimin e rritjes së taksës së karburantit, për të dalë te krahasimi, sipas saj, mes një qeverie demokratike atje dhe një qeverie totalitare në Shqipëri. “Ndryshe nga një qeveri demokratike, kryeministri Rama që udhëheq një qeveri gati totalitare vazhdon të këmbëngulë dhunshëm në prishjen e shtëpive për interesa oligarkësh. I kapur në ethet e pushtetit absolut, ai ka refuzuar të dëgjojë banorët, e lë më pastaj të tërhiqet nga veprimi i tij. Kështu veproi edhe me protestën e qytetarëve kundër rritjes së taksës së qarkullimit, që ka çuar në stratosferë çmimin e karburantit. Ky kryeministër njeh për miq dhe aleatë vetëm ata me të cilët ndan paratë publike në tepsinë e pushtetit”, shkruan Tabaku në Facebook. Sipas saj, të drejtat e qytetarëve janë të panegociueshme dhe është detyrë e qeverisë që t’i respektojë ato. Ajo bën një “paralelizëm” me protestat në Francë, por sheh edhe ndryshimin e madh teksa shprehet se: “Shembulli i qeverisë franceze është rasti më i mirë për të dalluar një demokraci nga një rend totalitar”. Ndërkohë deputeti tjetër i PD-së Aldo Bumçi që ishte krah banorëve të Shkozës bëri thirrje për revoltë masive. “Dje ishit ju dhe policia nuk arriti që të shkatërrojë shtëpitë. Por erdhën në 5 të mëngjesit dhe u shkatërroi banesën, kur nuk kishte asnjë njeri. Edi Rama sillet sikur të jetë pushtues. Lapraka është zona që do të goditet me rëndë. Aty do të shkatërrohen më shumë se 1 mijë shtëpi. E sjellin projektin pjesë-pjesë”, deklaroi deputeti demokrat Aldo Bumçi. Edhe pse protestat në dukje të shkëputura po bëhen gjithnjë e më të mëdha, qeveria duket e vendosur për të vijuar me projektin dhe nuk ka përcaktuar asnjë fond për objektet të cilat janë ndërtuar pa leje dhe nuk kanë marrë legalizimin nga ALUIZNI. “Ne në Tiranë diskutojmë të çojmë paqeruajtës në Kabul, dhe s’kemi unazë. Dhe ndërkohë kërkojmë të zgjidhim dhe të çlirohemi nga Kabuli brenda vetes, nuk flas për Kabulin si vend, flas për Kabulin si mentalitet. Se çfarë ndodh në Kabul, një minorancë mundohet t’i ushtrohet gjithë shumicës tjetër, thonë do ta bëjmë siç e kishim ne. Dhe quheshin talebanë”, -tha kryetari i Bashkisë së Tiranës. Duke hequr paralele mes asaj që ndodhi në Afganistan dhe asaj që po ndodh në Tiranë, Veliaj u shpreh se edhe këtu do të fitojë civilizimi, duke theksuar se askush nuk mund të bëhet pengesë për zhvillimin e qytetit. “Civilizimi fitoi mbi talebanët, u tha jo, ju jeni një pakicë, po të doni votoni, sa vota të merrni, aq do shkoni në Parlament, por ju nuk keni të drejtë të vini autobomba dhe të hidhni në erë gjithë Kabulin, apo gjithë Afganistanin, sepse civilizimi, ku edhe ne bëjmë pjesë si paqeruajtës, nuk e lejon këtë. Atëherë do të duam të zgjidhim edhe Kabulin që ne kemi në kokë. Dikush që ka zaptuar, nuk e mban dot peng qytetin”, u shpreh Veliaj. Deri më tani janë shkatërruar disa objekte, ndërsa banorët që disponojnë dokumentacion po kërkojnë të futen në listën e dëmshpërblimeve. Problemi mbetet i hapur për qindra banesa të tjera pa dokumentacion përkatës të cilët janë parashikuar të prishen por kanë hasur në rezistencën e fortë të banorëve.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pragmatizmi Europian dhe një mundësi që nuk duhet humbur

Nga Viktor Mërkuri Europa duket se ka një vendim për të marrë....
Read More