Zgjidhet ngërçi: Hapet rruga për plotësimin e vakancave në drejtësi

Ngërçi rreth pamundësisë së emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj në sistemin e drejtësisë është drejt zgjidhjes, duke e bërë të panevojshëm konsensusin politik mes PS, PD dhe LSI për votimin e projektligjit që ndryshon ligjin për statusin e magjistratëve. Përshpejtimi i ritmit nga organet e Vetingut me kontrollin e trefishtë të listës së parë prioritare me 57 prokurorë dhe gjyqtarë, sjellë për rrjedhojë konstituimin e dy organeve më të rëndësishme të drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Këto këshilla emërojnë gjyqtarët dhe prokurorët e rinj, të cilët do të zëvendësojnë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga Vetingu apo që kanë dalë në pension. Nëse në fillim të procesit kontrollohej një subjekt në javë, vetëm dy ditët e fundit kanë dalë para Vetingut shtatë prokurorë dhe gjyqtarë. Deri më tani janë verifikuar 48 nga 57 prokurorë dhe gjyqtarë të grupit të parë. Nga 57 subjekte të verifikuara, kanë kaluar me sukses Vetingun 23 gjyqtarë dhe prokurorë. Në këtë grup prej 57 subjektesh, janë 13 kandidatë për anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku që të gjithë janë verifikuar. Nga 13 kandidatë për KLGJ, kanë kaluar Vetingun me sukses 9 kandidatë, një ka dhënë dorëheqjen dhe 3 janë djegur. Në grupin prej 57 subjektesh, janë 18 kandidatë për KLP. Nga 18 kandidatë, kanë kaluar me sukses Vetingun 8 kandidatë.

KLGJ dhe KLP

KLGJ dhe KLP janë të ngarkuara me ligj për të shpallur numrin e kandidatëve për prokurorë dhe gjyqtarë që do të pranohen në formimin fillestar si dhe për të emëruar gjyqtarët dhe prokurorët e rinj që dalin nga Shkolla e Magjistraturës. KLGJ dhe KLP përbëhen nga 11 anëtarë. Nga pesë anëtarë janë zgjedhur nga Parlamenti sipas një procedure ligjore, ndërsa nga gjashtë anëtarë zgjidhjen nga gjyqësori, në radhët e kandidatëve që duhet të kalojnë Vetingun. Kandidatët që zgjidhen nga gjyqësori janë në listën e grupit të parë prej 57 prokurorëve dhe gjyqtarëve. Gjatë javëve të para të procesit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kalonte në sitën e Vetingut vetëm nga një gjyqtar dhe prokuror në javë. Me këtë ritëm procesi parashikohej të zgjatej një vit. Në këto kushte, mazhoranca propozoi një ndryshim në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, për t’i krijuar mundësinë Shkollës së Magjistraturës për të pranuar një numër sa më të madh kandidatësh për prokurorë dhe gjyqtarë të rinj, si dha për të ngarkuar KLD për emërimin e tyre. PD dhe LSI refuzuan miratimin e projektligjit pavarësisht apelit të ndërkombëtarëve. Kur politika dështoi për të prodhuar një zgjidhje, zgjidhja po vjen nga vetë sistemi i ri. Komisioni i Vetingut po shteron listën me 57 prokurorët dhe gjyqtarët e parë, të cilët po kalojnë në filtrin e trefishtë të Vetingut.

Konsensusi politik i panevojshëm

Me ritmin e ditëve të fundit, procesi i rivlerësimit të listës së parë me 57 prokurorë dhe gjyqtarë përfundon brenda muajit gusht. Për ngritjen e KLGJ mund të nisë puna që sot, ndërsa për ngritjen e KLP në shtator. Avancimi i këtij procesi e bën të panevojshme konsensusin mes PS, PD dhe LSI për të votuar ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gjithashtu, përpos emërimeve të reja në drejtësi, ngritja e KLP dhe KLGJ i jap rrugë edhe ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale, organe të cilat përbëjnë atë që quhet SPAK, e projektuar për të luftuar krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet.

Subjektet e kontrolluara nga grupi i parë prioritar

Bledar Abdullai, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i shkarkuar

Shkëlzen Selimi, gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë Tiranë, shkarkuar

Elsion Sadiku, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, shkarkuar

Rovena Gashi, Prokurore pranë Prokurorisë së Përgjithshme, shkarkuar

Ervin Metalla, gjyqtar pranë Gjykatës Apelit Tiranë, shkarkuar

Admir Thanza, gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë, shkarkuar

Tom Ndreca, gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë, shkarkuar

Artan Zeneli, Gjykata e Lartë, shkarkuar

Gani Dizdari, gjyqtar pranë Gjykatës Kushtetuese, i shkarkuar

Fatos Lulo, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, shkarkuar

Fatmir Hoxha, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, shkarkuar

Besim Trezhnjeva, gjyqtar në Gjykatës e Apelit në Durrës, shkarkuar

Altina Xhoxhaj anëtare e Gjykatës Kushtetuese, shkarkuar

Besa Nikëhasani, prokurore pranë Prokurorisë së Apelit Shkodër, shkarkuar

Artan Laze, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, shkarkuar

Luan Kaloçi, prokuror i Apelit Tiranë, shkarkuar

Gentian Trenova, prokuror i Apelit Tiranë, shkarkuar

Adriatik Cama, prokuror pranë Prokurorisë së Tiranës, shkarkuar

Dritan Rreshka, prokuror pranë Prokurorisë së Tiranës, shkarkuar

Artan Broci, gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë Tiranë, shkarkuar

Arben Nela, Prokuroria e Tiranës, shkarkuar

Arta Marku, Prokurore e Përgjithshme e përkohshme, konfirmuar

Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës Kushtetuese, konfirmuar

Edmond Islamaj, gjyqtar i Gjykatës së Lartë, konfirmuar

Ardian Dvorani, gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë, konfirmuar

Xhezair Zaganjori, kryetar i Gjykatës së Lartë, konfirmuar

Marçela Shehu, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin, konfirmuar

Anila Leka, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme, konfirmuar

Vitore Tusha, anëtare e Gjykatës Kushtetuese, konfirmuar

Manjola Xhaxho, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, konfirmuar

Fatjona Memçaj, prokurore pranë Prokurorisë së Apelit Tiranë, konfirmuar

Dritan Prençi, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, konfirmuar

Vate Staka, prokuror në Prokurorinë e Shkodrës, konfirmuar

Brikena Ukperaj, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë, konfirmuar

Medi Bici, gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë Tiranë, konfirmuar

Dritan Hallunaj, gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, konfirmuar

Besnik Muçi, prokuror pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda, konfirmuar

Gentjan Medja, Gjykata Administrative Shkalla e Parë, konfirmuar

Brunilda Kadi, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, konfirmuar

Nertina Kosova, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, konfirmuar

Astrit Faqolli, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, konfirmuar

Antoneta Sevdari, Prokuroria e Tiranë, konfirmuar

Kostaq Beluri, Prokuroria e Përgjithshme, konfirmuar

Ilir Toska, Gjykata  e Apelit Tiranë, konfirmuar

Arben Dollapaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, kontrolluar

Artur Malaj, Gjykata Administrative të Apelit, kontrolluar

Gentian Osmani, Prokuroria e Krimeve të Rënda, kontrolluar

Brunilda Kasmi, Gjykata e Tiranës, ka dhënë dorëheqjen.

/shqiptarja.com

Shkruar Nga
More from Redaksia

Qëllohen me armë zjarri 5 tifozë në Suedi

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Malmo të Suedisë menjëherë pas...
Read More