Zgjidhja e minutës së fundit: Ilir Meta president

16-rama-meta-presidentiMeta është kandidatura që do të mbështesë mazhoranca e majtë sot në Kuvend për t’u zgjedhur presidenti i ri Republikës. Propozimi ka ardhur nga LSI e cila krahas Metës propozoi edhe emrin e Petrit Vasilit. Me zgjedhjen e Presidentit merr fund mundësia për zgjedhje të parakohshme, ndërsa LSI pranon hyrjen në zgjedhje edhe pa PD. Emrat e tjerë të propozuar për president ishin ato të Arta Dades, ish-presidentit Rexhep Meidani dhe kreut të PDS, Paskal Milo. Por Rama i refuzoi këto kandidatura, madje ai kërkoi që Meta të jetë presidenti i ri

Ekuacioni me disa të panjohura i krizës politike shqiptare që ka përfshirë vendin prej disa javësh ka filluar të marrë zgjidhje. Dje është zbuluar e panjohura e parë. Kryetari aktual i Kuvendit, Ilir Meta është përcaktuar të jetë kandidatura që do të mbështesë mazhoranca e majtë sot në Kuvend për t’u zgjedhur presidenti i ri Republikës. Propozimi ka ardhur nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila në një mbledhje të kryesisë së saj krahas Metës propozoi edhe emrin e Petrit Vasilit. Ndërkohë që kryesia e PS-së e mbledhur po ashtu dje në mbrëmje vendosi që të mbështetë vetëm kandidaturën e Metës. Bashkë me çështjen e Presidentit janë qartësuar dje edhe dy të panjohura të tjera: që nuk do ketë zgjedhje të parakohshme dhe se Lëvizja Socialiste për Integrim me shumë mundësi do të marrë pjesë tashmë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pavarësisht faktit nëse Partia Demokratike do të bëhet pjesë e tyre apo jo.

Ruçi

Situata politike në vend ka marrë dje një zhvillim krejt të papritur. Ndërsa kriza dukej se po shkonte drejt një rruge pa kthim, ezaurimi i raundit të tretë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe djegia e afateve ligjore për regjistrimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ, ka detyruar të majtët që të mos presin më PD-në dhe të vijojnë të vetëm rrugën drejt zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit. Sinjalin e parë e dha kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili në një fjalim në fund të seancës që u mbajt për raundin e tretë të zgjedhjes së Presidentit, foli qartë dhe hapur se mazhoranca kishte bërë çdo përpjekje për të gjetur konsensusin me opozitën por se tashmë koha për dialog me opozitën kishte mbaruar. “Tani unë pyes, ka kufi kjo punë z. Kryetar? 1 milion njerëz, që na kanë votuar ne të gjithëve bashkërisht këtu si mazhorancë për ta qeverisur këtë vend, po vazhdojnë të na shikojnë se si na merr peng një çadër që e ka hallin e saj te Vettingu dhe te drejtësia. Përgjigja ime për këtë pyetje është vetëm një: dialogu ka mbaruar”, tha Ruçi prerë. Ndaj ai kërkoj nga parlamenti që të kryejë funksionet e tij kushtetuese për të zgjedhur presidentin e vendit. Madje me tonet gati kërcënuese ndaj LSI-së, ai kujtoi se PS i kishte 71 vota në parlament për ta zgjedhur dhe e vetme presidentin. “Sa për dijeni, zoti Kryetar, ne socialistët i kemi bërë llogaritë tona, që i kemi patur dhe po të duam i kemi 71 vota edhe pa LSI-në për ta zgjedhur presidentin. Unë shpresoj që të mos na detyroni dhe as që e marrim përsipër që të shkelim mbi moralin e kësaj force politike. PS nuk dëshiron ta zgjidhë me forcën e numrave këtë çështje kaq të rëndësishme për Shqipërinë e pesë vjetëve të ardhshëm”, – u shpreh Ruçi. Duke e akuzuar Metën edhe për njëanshmëri në favor të opozitës gjatë gjithë kësaj krize politike, Ruçi ka kërkuar prej tij të reflektojë dhe të thërrasë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për të përcaktuar datën e raundit të katërt. Menjëherë pas kësaj kërkese, kryeparlamentari Meta ka mbledhur Konferencën e Kryetarëve e cila ka caktuar që raundi i katërt për zgjedhjen e presidentit të mbahet pikërisht sot në orën 17:00.

Kandidatët

Por duket se e gjithë deklarata e Gramoz Ruçit ishte pjesë e një skenari të mirëllogaritur nga mazhoranca për të justifikuar lëvizjet dhe vendimet që pasuan këtë seancë. Menjëherë pas këtij zhvillimi Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur grupin e saj parlamentar, ku dhe ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit si dhe për raundin e katërt të zgjedhjes së presidentit. Për shkak se seanca e katërt mbahet pikërisht sot, LSI ka dalë me vendimin për t’i propozuar PS-së, me shumë mundësi sipas një mirëkuptimi të mëparshëm, emrat e kryetarit të saj Ilir Meta dhe ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasili si kandidatët e saj për postin e Presidentit të Republikës. Me këtë vendim të forumeve partiake, Meta takoi dje pasdite në vilën qeveritare në Bllok kryeministrin Rama të cilit i dorëzoi edhe dy propozimet konkrete të LSI-së për pozicionin e lartë të Kreut të Shtetit. Menjëherë pas këtij takimi PS ka mbledhur edhe ajo kryesinë e saj e cila ka diskutuar mbi propozimet e ardhura nga LSI. Mbledhja ka zgjatur fare pak dhe siç bëri të ditur nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kryesia kishte vendosur me unanimitet që të mbështesin Metën për President të Republikës. “Në vijim të një procesi shumë konstruktiv janë zhvilluar disa negociata dhe përgjatë kësaj një përfaqësi e PS u takua me aleatët e LSI me të cilët u njohën me propozimin e ardhur nga kryesia dhe grupi parlamentar i LSI, të cilat na njohën me dy propozime shumë të mira. Me propozimin për z. Petrit Vasili dhe propozimin tjetër atë të z. Ilir Meta. Kryesia e PS pasi u njoh me propozimet e ardhura nga LSI, vendosi në mënyrë unanime nga këto dy kandidatura të mbështetë kandidaturën e z. Ilir Meta dhe sigurisht nesër në mëngjes do të mblidhet edhe grupi i PS i cili sipas edhe statutit të PS, do të njihet me propozimin e ardhur nga kryesia e LSI”, – bëri të ditur Balla. Ndërkohë që lidhur me kandidaturën e Metës për President ka folur dje edhe kryeministri Rama, i cili mohojë që ai të ishte produkt i një skenari apo marrëveshje të mëparshme mes tyre. Sipas Ramës, Meta është kandidatura që i përshtatet më mirë pozicionit të Presidentit. “Është një president që me siguri mund të kompensojë boshllëkun e madh që kemi patur deri më tani. Është një President i lidhur me të gjithë. Ka akses te të gjithë, flet me të gjithë dhe u thotë të gjithëve se çfarë mendon. Ilir Meta është kandidat për President që vjen natyrshëm sepse është situata e tillë që kërkon Ilir Metën President”, shtoi Kryeministri Rama.

Kriza

Zgjedhja e Presidentit të Republikës gjatë ditës së sotme duket se ka sjellë edhe një lehtësim të madh për socialistët. Kjo pasi tashmë shumë dilema që kishin mbështjellë krizën politike në vend kanë nisur të marrin zgjidhje. Kështu veç çështjes së presidentit, socialistët kanë marrë me vete në zgjedhje edhe LSI-në, e cila më parë kishte vendosur si kusht për pjesëmarrje në to edhe praninë e opozitës. Por tashmë që PS ka pranuar të zgjedhë kryetarin e saj President të Republikës, atëherë LSI ka pranuar në të njëjtën kohë edhe se do të jetë pjesë e zgjedhjeve të ardhshme. Por në kushtet kur janë ezauruar të gjitha afatet që përcakton Kodi Zgjedhor për regjistrimin e koalicioneve, PS, LSI e të gjitha forcat e tjera që janë regjistruar në KQZ si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e 18 qershori do të marrin pjesë në to më vete. Kjo pasi lëvizja për të zgjedhur Presidentin gjatë ditës së sotme ka ezauruar edhe mundësinë e fundit për të provokuar zgjedhje të parakohshme dhe rivendosje të afateve zgjedhore për regjistrimin e subjekteve politike. Në fakt kjo ishte vetëm njëra nga dy mundësitë që shiheshin si zgjidhje për ngërçin ligjor dhe rivendosjen e afateve për regjistrimin e partive politike. Rruga tjetër ishte ajo që me anë të një marrëveshje politike të mund të bëheshin ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor në të cilin duhet të shkurtoheshin afatet e regjistrimit të subjekteve dhe koalicioneve zgjedhore. Vendimin për të dalë më vete e ka pranuar dje edhe kryeministrit Rama, i cili ka deklaruar gjithashtu që kjo s’do e pengojë PS-në dhe LSI-në që të jenë në një koalicion të ardhshëm qeverisës.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Korrupsioni, përgjimet e zëvendësdrejtorit të Burgjeve: Po nuk erdhe sot, mos hajde më

Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëron arrestimin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të...
Read More