Zgjidhja për politikat publike të rentës minerare


Nga Enio Civici – 
Taksa mbi mineralet, e njohur ndryshe si renta minerare, përfaqëson një peshë fiskale të cilën shteti, në këtë rast i përfaqësuar nga qeveria, ua imponon personave fizikë dhe juridikë. Qëllimi i kësaj takse është përfitimi i një sasie të caktuar monetare mbi pasuritë minerare të një territori të cilat janë nën pronësinë e shtetit që i “strehon”.

Bizneset apo kompanitë të cilat nxjerrin, përpunojnë dhe më pas shesin produktet minerare janë pikërisht subjektet të cilat i nënshtrohen kësaj takse. Duke taksuar mineralet, pra ato të ngurta, të lëngshme dhe të gazta, autoritetet parimisht ushtrojnë detyrën e tyre në incentivimin e mendimit pro natyrës, si dhe në ndërhyrjen e kujdesshme në tregje. Renta minerare është tatim si përqindje e caktuar mbi vlerën e përgjithshme të shitjes me shumicë të produktit.

Në rastin kur produktet shiten brenda vendit, ngarkohen degët e tatimeve për arkëtimin e kësaj rente. Në rastin e eksportit të produkteve minerare, renta paguhet në çastin e bërjes së deklaratës së eksportit dhe janë degët e doganave në rrethe që ngarkohen për arkëtimin e kësaj rente. 25 për qind e të ardhurave nga renta minerare duhet t’i kalojnë pushtetit vendor në territorin e të cilit zhvillohet veprimtaria eksportuese.

Po cila është ecuria e kësaj takse në realitetin shqiptar?

Historia e kësaj taksë në Shqipëri nuk është e komplikuar por njëkohësisht meriton vëmendje për vetë ndryshimet që ka pësuar, të cilat kanë ardhur si pasojë e realitet ekonomik dhe financiar rajonal dhe global. Në dekadën 1990-2000, nën qeveri të ndryshme dhe strukturim të munguar të përqasjes së tregut minerar, nëntoka shqiptare u rregullua me akte dhe ligje të cilat kryesisht synonin të ndërtonin rrjetëzimin, rregullimin dhe më pas fiskalizimin e aktivitetit minerar në Shqipëri.

Pak ndryshime pësuan në 17 vitet që pasuan, por ama nëpërmjet përshtatjeve me rregullat dhe standardet botërore, pasuria e nëntokës shqiptare u afrua përherë e më shumë me “jetesën” normale perëndimore. Ekzistojnë dy qasje varësie të cilat lidhen me përparimin apo ngadalësimin e kësaj takse në efektet e saj në buxhetin e shtetit e për pasojë në kthimin që i jep shoqërisë dhe më veçanërisht komuniteteve që ndodhen pranë zonave me pasuri minerale. Në njërën anë është ndikimi i drejtpërdrejtë i çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare, tregues i cili ndikon drejtpërdrejt në performancën e këtij produkti e për pasojë kësaj takse. Së dyti, por jo për nga rëndësia, është niveli i zhvillimit teknologjik si mekanizëm fuqiplotë i “suksesit” të këtij produkti.

Çfarë ka ndodhur me të ardhurat nga renta në 8 vitet e fundit?

Për sa u përket çmimeve të mineraleve në tregjet ndërkombëtare, duke nisur nga viti 2009, ato filluan të ulen deri në pothuajse përgjysmim krahasuar me nivelet e 20 viteve të fundit. Për pasojë vendet e pasura me mineral pësuan ulje të ndjeshme të të ardhurave. Shqipëria këtë proces e përjetoi me rreth 3 apo 4 vjet vonesë. Për këtë mjafton të vështrosh ndikimin e rentës në totalin e të ardhurave buxhetore ndërmjet vitit 2009 dhe 2013. Ndërmjet këtyre viteve kjo peshë është rritur ndjeshëm nga 0.54% në vitin 2009 në mbi 2.6% të totalit të të ardhurave në vitin 2013. Duke qenë relativisht të aneksuar nga tregjet ndërkombëtare, industria e mineraleve e për pasojë të ardhurat e tyre të derdhura në buxhetin e shtetit nisën të bien, me vonesë, pikërisht pas vitit 2013.

Nëse iu referohem të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mund të dallosh fare lehtësisht zbritjen e ndjeshme të parave të hyra në thesarin e shtetit nga renta minerare. Në vlera absolute për ta përshkruar dhe më qartë, nga 5.1 miliardë lekë në vitin 2013, shteti mori vetëm 4.8 miliardë lekë në vitin 2014. Në një tentativë për ta rigjallëruar këtë sektor, por dhe për ta lehtësuar nga pesha e rënies së çmimeve të mineraleve, qeveria miratoi një ulje të nivelit të rentës minerare në paketën fiskale të vitit 2015. Por rezultati për buxhetin nuk ishte ai i pritur. Duke ju referuar përsëri doganave, mund të shohim lehtësisht se, për vitin 2015, 2016 dhe 8 mujorin e vitit 2017 kemi respektivisht të ardhura në vlerën 2.5 miliardë lekë, 1.7 miliardë lekë dhe 1.5 miliardë lekë. Perspektiva e këtyre shifrave ndërton qartazi kërkesën për një politikë të re më saktë dhe mbi të gjitha më të duhur për sektorin minerar në Shqipëri.

Cilët janë hapat që duhet të ndiqen nga ky moment?

Standardi EITI është një ndër instrumentet globale më të fuqishme për këtë qëllim dhe aderimi me të drejta të plota i Shqipërisë në të duhet të shërbejë si udhëzues dhe fuqizues për rrugën drejt zhvillimit të këndvështrimit shfrytëzues të nëntokës shqiptare. Raportimi i saktë financiar, zhvillimi teknologjik në shërbim të rritjes së performancës përpunuese si dhe transparencës, rritja e specifikimeve kontraktuale dhe auditimi profesionist janë vetëm disa nga udhëzimet kryesore të Iniciativës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse.

Është me shumë rëndësi të kuptohet që arkëtimi i kësaj tarife në buxhetin e shtetit lidhet drejtpërdrejt me korrektësinë e deklarimeve të mineralit të nxjerrë nga nëntoka shqiptare e më tej të tregtuar brenda dhe jashtë vendit. Enti publik dhe autoritetet doganore apo tatimore, kanë rolin më të rëndësishëm në vlerësimin e deklarimeve në respekt të çmimeve të referencës dhe çmimeve në tregje ndërkombëtare. Shqipëria tashmë ka nevojë për rritje të politikave publike në shërbim të zhvillimit të praktikave të nxjerrjes, përpunimit dhe shitjes së pasurive të saj nëntokësore. Ndjekja e standardeve EITI është një rrugë e qartë dhe e pastër nën këtë qëllim.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Paloka: Kriminelët nën mbrojtjen e Ramës, të gjejë ai vrimë ku të futet prej tyre

Pas paralajmërimit të djeshëm të kryeministrit Rama se bosët e drogës në...
Read More