Zhvlerësimi i euros dhe dollarit, ja sa miliona humbi Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë ka raportuar në bilancin e saj vjetor të 2017-s, një humbje totale prej rreth 15 miliardë lekësh, apo gati 115 milionë euro, nga rreth 4 milionë euro që ishte humbja vitin e mëparshëm.

Kjo humbje tepër e lartë ka ardhur tërësisht nga ndryshimet e kursit të këmbimit, teksa si rrjedhojë e nënçmimit të ndjeshëm të euros dhe dollarit ndaj monedhës vendase, Banka e Shqipërisë ka parë një zhvlerësim të rezervave të saj që mban në këto dy monedha.

Sipas shënimeve në bilanc, “Rezerva e rivlerësimit rezulton nga fitimi/(humbja) neto nga ndryshimi në vlerën e drejtë të arit monetar dhe fitimet/(humbjet) neto nga këmbimet valutore, të cilat njihen fillimisht në fitim ose humbje dhe pastaj transferohen në rezervën e rivlerësimit.

Rënia e rezervës së rivlerësimit me 15,247 milionë lekë është rezultat i zhvlerësimit të monedhave të huaja, dhe kryesisht të USD dhe Euro përkundrejt Lekut”.

Gjatë vitit 2017, euro u këmbye mesatarisht me 134.1 lekë, nga 137.4 lekë vitin e mëparshëm, me një nënçmim prej 2.4%. Edhe dollari ra nga 124 lekë në 119 lekë, duke u zhvlerësuar me 4.1%.

Banka e Shqipërisë kishte në fund të vitit 2017 gati 3 miliardë euro si rezerva valutore, të cilat janë të mjaftueshme për të financuar më shumë se 7 muaj importe. Në krahasim me një vit më parë, rritja e rezervës valutore ka qenë 1.69%, nga 2.25% një vit më parë.

Banka e mban rezervën e saj në valutë (kryesisht euro dhe dollarë), ar dhe një pjesë në SDR (monedha e Fondit Monetar Ndërkombëtar).

Si ar monetar, Banka e Shqipërisë kishte rezervë në fund të vitit 2017 rreth 7.3 miliardë lekë, ose 55 milionë euro, ose rreth 2% e rezervave, teksa pjesa më e madhe e rezervave mbahet në euro dhe dollarë.

Në total, për vitin 2017, Banka e Shqipërisë raportoi të ardhura nga interesat prej 2.7 miliardë lekë, nga 2.5 miliardë lekë vitin e mëparshëm. Edhe të ardhurat neto ishin me rritje, por gjithsesi rënia e fortë e valutave, që zhvlerësuan rezervat valutore, bëri që banka të rezultojë me një humbje tepër të lartë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Leonora Jakupi besimtare e devotshme, ndan me fansat një pjesë të Kuranit

  Ajo është një besimtare e devotshme, e cila edhe i uroi...
Read More