Zilia dhe urrejtja të bën antikapitalist

Axhenda Liberale /3

Nga Besart Kadia

Mendoni për një çast në rast se Shqipëria për një mijë arsye do të kishte vendosur në vitin 1970 të hiqte dorë nga sistemi komunist. Si mendoni, çfarë sistemi ekonomik do të kishte përqafuar? A do të ishin reformat ekonomike të njëjta si ato që ndërmori në vitin 1991? Në këndvështrimin e autorit shanset që reformat të ishin të njëjta janë minimale pasi në vitet 1970 ekonomia interpretohej në prizmin e Kejnsianizmit, ku ndërhyrja e shtetit në ekonomi ishte e mirëpritur, ku kontrolli i kapitalit, ndërhyrja në politika monetare etj., ndodhnin rregullisht në pothuajse të gjitha ekonomitë e vendeve demokratike. Pra, gjasat janë që reformat në vitin 1970 të ishin graduale, roli i shtetit në shumë industri të vazhdonte, të mos privatizoheshin shumë ndërmarrje etj. Ky rast hipotetik shërben për të tërhequr vëmendjen se vendimet e politikave ekonomike sot janë reflektim i mendimeve të ekonomistëve të mëparshëm. Sipas Kejnsit “idetë e filozofëve të ekonomisë dhe të shkencave politike dhe kur janë të sakta dhe kur janë gabim janë shumë më të rëndësishme se ç’kuptohet. Në fakt bota nuk udhëhiqet nga ndonjë gjë tjetër përveçse ideve të tyre. Njerëzit praktikë të cilët mendojnë se janë të pavarur nga këto influenca të intelektualëve janë në fakt skllevër të ndonjë ekonomisti të vdekur”.

Në fakt shqiptarët në ‘70 vitet e fundit kanë qenë “skllevër” të dy ekonomistëve kryesorë: Karl Marks dhe Ludwig von Mises. Idetë e Marksit u interpretuan dhe u implementuan për 45 vjet në Shqipëri, duke e lënë vendin ndër më të varfrit në botë në vitin 1991. Ndërsa idetë e Von Mises për pronën private dhe kapitalizmin udhëheqin akoma dhe sot dhe pasuria që mundëson ky sistem është akoma e paçliruar plotësisht. Pavarësisht kësaj kapitalizmi në Shqipëri shihet si një rend ekonomik që ka sjellë pasoja negative për vendin dhe çdo përpjekje për të lejuar më shumë kapitalizëm në vend shihet nga shumë se do të sjellë rrënim të vlerave shqiptare, rrënim të shtresës së varfër etj. Është në fakt avantazhi i përkufizimit për herë të parë nga Karls Marks të kapitalizmit që i jep çdo përdorim të termit kapitalizëm një konotacion negativ. Në fakt në fjalorin e gjuhës shqipe të para vitit 1990 kapitalizmi përkufizohej si: “sistem ekonomiko-shoqëror që shfrytëzon egërsisht punëtorët me mëditje dhe pasurohet duke përvetësuar mbivlerën…”. Rendi kapitalist pra shihet si shfrytëzim dhe për këtë arsye kapitalizmi shihet si një sistem që ka nevojë të përhershme korrigjimi. Dallimi mes qasjes së majtë dhe asaj të ekonomistëve liberalë është fakti se të majtët synojnë të ndryshojë rendin e ekonomisë duke vendosur prioritete arbitrare. Siç shkruan dhe Marks “filozofët deri tani kanë interpretuar botën në mënyra të ndryshme. E rëndësishme është ta ndryshosh atë”.

Për rreth tre dekada, duke filluar nga vitet 1980, liberalizmi ekonomik triumfoi mbi idetë kejnsianiste apo marksiste kudo në botë. Por kriza e vitit 2008 ka risjellë dhe njëherë në skenë idetë neo-marksiste dhe kritika e tyre ndaj kapitalizmit po fiton terren në shumë shtete të botës. Në djepin e kapitalizmit modern në Mbretërinë e Bashkuar ka gjasa që në pushtet të vijë alternativa Laburiste, e cila e drejtuar nga Xheremi Korbin thotë se “kapitalizmi ka dështuar dhe është e nevojshme të shtetëzojmë shërbime publike e të rrisim taksat për korporatat për të ofruar arsim falas”. Nga ana tjetër, konservatorët po i kundërpërgjigjen me meritat e kapitalit dhe të ekonomisë së tregut për të gjeneruar pasuri. Ky është në fakt debat i bërë në vitin 1982 midis Margaret Thatcher dhe marksistit Mikael Fut. Por ndërsa atëherë Thatcher doli fituese, sot është shqetësuese që Korbin dhe idetë e tij nuk janë më në “cep” të skenës politike por po shndërrohen në mundësi reale qeverisëse. Pavarësisht faktit që idetë kejnsianiste sollën inflacion dhe papunësi të lartë për vite me radhë në vitet 1970, pavarësisht faktit që komunizmi çoi në varfëri për miliona njerëz dhe në diktatura sërish mentaliteti antikapitalist fiton shumë më shpejt terren sesa mentaliteti pro kapitalist? Si është e mundur kjo?

Një mënyrë sesi mentaliteti antikapitalist fiton terren është fakti që ajo keqpërdor faktet historike ose të dhënat ekonomike. Sipas Hayekut, mentaliteti antikapitalist ndërtohet kryesisht mbi gënjeshtra. Sipas tij opinionet politike dhe interpretimi historik i fakteve ekonomike janë ngushtësisht të lidhura. Eksperiencat e së shkuarës, shton ai, janë themeli i politikave dhe institucioneve që ne ndërtojmë sot. Pra, në këtë kuptim, pavarësisht faktit që në vitin 1990 Shqipëria ishte dhe më e varfër se Bangladeshi, se Europa dërgonte anije me ushqime për të shmangur urinë në vend sërish sot antikapitalistët ndërtojnë teorinë se tranzicioni ekonomik ka sjellë varfëri në vend, se shqiptarët janë varfëruar e shfrytëzuar nga sistemi i padrejtë i ekonomisë së tregut e nga sipërmarrësit e mëdhenj. Në fakt Shqipëria nuk ka patur ndonjëherë në historinë e saj zhvillim më të madh sesa në periudhën 2000-2010 kur filloi të liberalizojë ekonominë e saj, kur më shumë se 300.000 shqiptarë dolën nga varfëria sipas Bankës Botërore. Të njëjtën qasje përdornin dhe Marksistët në Angli ku thoshin se klasa punëtore po shfrytëzohej aq shumë sa punëtorët nga “uria, mbipuna dhe shfrytëzimi kishin humbur çdo lloj pamjeje njerëzore”. Por në fakt të dhënat historike tregojnë se punëtorët e këtyre fabrikave ishin më mirë të veshur, më mirë të ushqyer e silleshin më mirë se shumë prej paraardhësve të tyre ose atyre personave që nuk punonin në fabrika. Pra, gënjeshtra ose deformimi i fakteve sipas Hayekut mundëson mentalitetin antikapitalist të fitojë terren e të bëhet popullor më shpejt se mentaliteti prokapitalist. Ndërsa Von Mises shkruan se fronti antikapitalist fiton terren sepse udhëhiqet nga pasioni më i fortë njerëzor, “zilia dhe urrejtja”.

Studimet tregojnë se u deshën më shumë se 20 vite për gjermano-lindorët që të kishin të njëjtën qasje ndaj ekonomisë së tregut si bashkëpatriotët e tyre në Gjermaninë Perëndimore. Të ndryshosh mentalitetin e njerëzve nuk është e lehtë dhe studime të tjera tregojnë se për vendet e tjera më të izoluara si Shqipëria kërkon akoma dhe më shumë kohë. Por një gjetje në studimet në analizën e të dhënave të BERZH unë gjej se shqiptarët kanë më pak shanse të përqafojnë një mentalitet antikapitalist e pro rishpërndarjes e përvetësimit të pronës në rast se ata mendojnë se fëmijët e tyre mundet të kenë shanse të jenë të suksesshëm në jetë në të ardhmen. Pra, mundësia e “ashensorit social” i bën shqiptarët më të gatshëm të mbështesin reforma pro tregut, sesa ata që mendojnë të kundërtën.

David Boaz nga CATO Institute në SHBA thekson se pyetja nuk është përse ka të varfër në një shoqëri, pasi ajo është gjendja historike e njerëzimit. Pyetja që ne duhet të shtrojmë është, përse kemi njerëz të pasur dhe si ka mundësuar kapitalizmi të lejojë shtresa të ndryshme shoqërore të arrijnë majat e shoqërisë e të pasurohen në një kohë të shkurtër teksa sisteme të tjera ekonomike e kanë patur thuajse të pamundur? Për t’u rikthyer, kapitalizmi apo ekonomia e tregut janë rendet më efikase të organizimit shoqëror. Ato i mundësojnë individit të arrijë maksimumin e tij i pavarur nga dëshira apo “lëmosha” e shtetit në rishpërndarje pasurie apo në imponime të statuseve të përjetshme sociale. Dy autorët e lartpërmendur Hayek dhe Von Mises mendojnë se mentaliteti antikapitalist vjen si pasojë e gënjeshtrës dhe zilisë njerëzore. Në këtë kuptim axhenda liberale në Shqipëri nuk mund të ndryshojë sjelljen njerëzore e aq më pak zilinë njerëzore, por mundet dhe duhet të shpjegojë të vërtetën e kapitalizmit e të ekspozojë gënjeshtrën sa herë që ajo shfaqet.

* Pjesë e projektit “Liberalizmi: Dje, Sot, Nesër”. Drejtor i Institutit Europian Pashko

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Edhe një dëshmitar? Në pritje të vendimit për Tahirin

Kreu i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj ka zbuluar disa...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.