Zjarret si shenjë e paralizës së administratës publike shqiptare

Nga Ervis Iljazaj

Pamjet e politikanëve që shuajnë zjarret në zona të caktuara të Shqipërisë, përtej marketingut politik, tregojnë një dëshpërim të madh në gjendjen në të cilën ndodhet sot funksionimi i administratës publike, kontrollit dhe menaxhimit të territorit.

Vatrat e zjarreve që janë përhapur kudo në territorin e Shqipërisë dhe vështirësia për t’i menaxhuar ato janë shenjë e qartë e një administrate publike që është paralizuar prej kohësh. Gjatë sezonit të nxehtë të Verës janë normale, edhe në vendet fqinjë, por në ndryshim me to ka një ngathtësi të reagimit ndaj tyre për shkak të një administrate lokale dhe qendrore jo efikase.

Problemet mund të jenë të tipologjive të ndryshme. Pikë së pari, mund të jenë financiare, të pamundësisë së mjeteve logjistike të duhura, por edhe si pasojë e një plani për të organizuar territorialisht mjetet në dispozicion.

Kur u krye reforma territoriale askush nuk mendoi menaxhimin e situatave të tilla duke i përshtatur institucionet dhe financat e duhura.

Andaj, nëse vërtet Rama mendon të reformojë administratën, duhet me patjetër të rimendojë edhe njëherë organizimin territorial dhe kompetencat e tyre. Nuk është e vlefshme ose nuk mjafton të largosh njerëzit të presupozuar të korruptuar me një të rënë të lapsit. Edhe pse lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë dhe, sigurisht që kërkon një vullnet politik të hekurt. Sepse Shqipëria për ligje të mira nuk ka vuajtur asnjëherë. Për zbatimin e tyre po! Kështu që vullneti i mirë politik siç po e tregon Rama në këto ditë, është për t’u përshëndetur. Sigurisht, duke ruajtur çdo të drejtë që kanë punonjësit e administratës publike.

Edhe nëse në çdo sektor të administratës kemi njerëzit më me integritet që ekzistojnë nëse sistemi që ndërtojmë apo logjika e administratës nuk funksionon sipas parimeve të efikasitetit institucional dhe financiar nuk do të arrijmë asnjëherë të kemi një administratë që t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve.

Megjithatë, përtej problemeve të efikasitetit, korrupsionit dhe mjeteve të disponueshme, administrata publike shqiptare ndodhet në një paralizë dhe në një tulatje që vazhdon që kur vendi u fut në krizë politike. Në një farë mënyre prej një kohe të gjatë që vendi ndodhet në situata politike të paqarta, duke filluar që me qeverinë teknike sipas marrëveshjes Rama-Basha, e deri te periudha zgjedhore, ka ndikuar tërësisht edhe në funksionimin e administratës publike.

Të gjitha ministritë gjatë kësaj kohe, në vend që të kryenin funksionet e tyre për t’i shërbyer biznesit dhe qytetarëve, kanë qenë pjesë e marrëveshjeve politike dhe, administrata poshtë tyre kanë qenë me sy nga politika dhe jo ndaj domosdoshmërisë së qytetetarëve.

Gjendja e saj është në një paralizë totale si shenjë e qartë e varësisë së saj nga politika. Duke futur këtu dhe aksionin e Ramës ndaj saj, administrata publike dhe, si pasojë funksionet e saj, janë lënë në mëshirë të fatit.

Sepse askush nuk e ndjen më veten të sigurt në detyrat që ka dhe, kjo ndikon në kryerjen e detyrës.

Andaj, çfarëdo plani që ekziston për të reformuar administratën publike duhet të vihet në zbatim sa më shpejt të jetë i mundur. Në të kundërt, pas zjarreve do të vijnë shirat dhe emergjenca të tilla do të vazhdojnë të jenë të pamenaxhueshme vetëm për faktin se politika nuk e ka ndarë mendjen se çfarë do të bëjë me të.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Neo-komunistët shqiptarë në shërbim të kapitalizmit

Nga Klementin Mile Neo-komunizmi në Shqipëri është stil jetese. Si i tillë, ai...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *