“Zonat e kuqe”, ja kutitë që i dhanë PS-së mbi 90 % të votave

Jo vetëm demokratët, por edhe socialistët kanë “lazaratet” e tyre.

Nuk bëhet fjalë për vende ku mbillet drogë, por për zonat që në këto zgjedhje kanë qenë “hambarë” votash për Partinë Socialiste.

Dhe nuk ka si të ndodhi ndryshe, ato gjenden pikërisht në qarqet që në këto zgjedhje votuan më shumë Partinë Socialiste, siç është Vlora, Fieri, Lushnja dhe Librazhdi, që në këto zgjedhje konfirmuan se janë “kështjella” të socialistëve, ndërkohë që Berati megjithëse mbetet një zonë e kuqe por e ndarë mes PS-së dhe LSI-së. 

Rekordin e ka vendosur Vlora, e cila si qark ka shënuar përqindjen më të lartë të votës pro PS-së, ndërsa në zona të caktuara të saj vota pro socialistëve ka shkuar deri afro 91 për qind.

Dhe në krye qëndron zona e ish-komunës Horë- Vranisht, e cila në qendrat e saja të votimit ka prodhuar një rezultat që varion 81 deri në 91 për qind.

Më konkretisht në këtë njësi tre kuti votimi dhe konkretisht  ajo me numër 4598, 4600 dhe 4599 i kanë dhënë PS-së përkatësisht 90.5, 86 dhe 81 për qind të votave.

Dhe nuk bëhet fjalë për qendra të vogla, por që secila prej tyre ka pasur afro 300 vota pro për PS-në.

Kështu vlen të theksohet se në qendrën 4598, ku PS ka marrë 90.5 për qind ose 295 vota, PD ka marrë vetëm 2 për qind.

Po ashtu në Vlorë janë edhe disa qendra të tjera që kanë dhënë rezultate mbi 80 për qind për PS-në. Më konkretisht qendra nr. 4522 në Armen të Vlorë ka votuar për PS-në në nivelin 89 %, qendra nr. 4516/1 në Orikum ka votuar për PS-në në nivelin 86 %, qendra nr. 4612 në Kote të Vlorës ka votuar për PS-në në nivel 83 %, qendra nr. 4587 në Himarë serish ka votuar për PS-në në masën 82 %.

Pas Vlorës një qark që ka dhënë një mbështetje të madhe për PS-në ka qenë Fieri, ku serish ka pasur kuti që kanë votuar në nivelin mes 75 deri në 85 për qind për PS.

Kështu qendra nr. 2956  në Gradishtë të Divjakës ka votuar 82.2 % për PS, qendra nr. 2932 po në Divjakë ka votuar 82 % për PS, qendra nr. 2960 po në Gradishtë të Divjakës ka votuar 79 % për PS, qendra tjetër me nr. 2932/1 në Divjakë ka votuar 79 % për socialistët.  

Qendrat që kanë votuar më shumë PS

Qendra Nr. 4598 (Horë-Vranisht – Vlorë) 90.5 %

Qendra Nr. 4522 (Armen-Vlorë) 89 %

Qendra Nr. 4600 (Horë-Vranisht – Vlorë) 86 %

Qendra Nr. 4516/1 (Orikum) 86 %

Qendra Nr.2721 (Orenjë- Librazhd) 86 %

Qendra Nr. 4612 (Kote-Vlorë) 83 %

Qendra Nr. 2956 (Gradishtë – Divjakë) 82.2 %

Qendra Nr. 2932 (Divjakë) 82 %

Qendra Nr. 4587 (Himarë) 82 %

Qendra Nr. 4599 (Horë-Vranisht-Vlorë) 81 %

Qendra Nr. 4602 (Kote- Vlorë) 79.5 %

Qendra Nr. 4521 (Orikum) 79 %

Qendra Nr. 2960 (Gradishtë – Divjakë) 79 %

Qendra Nr. 2932/1 Divjakë) 79 %

Qendra Nr. 2957 (Gradishtë – Divjakë) 78 %

Qendra Nr. 3207 (Topoje – Fier) 77.2 %

Qendra Nr. 2919 (Krutje – Lushnje) 76.3 %

Lazarati “ndëshkon” socialistët, voton PD me 91%, rekord edhe në pjesëmarrje

Lazarati nuk ja ka falur socialistëve aksionin e tre viteve më parë kundër mbjelljes së hashashit, çka solli dhe një numër të madh të arrestuarish dhe më pas edhe të dënuarish nga ky fshat. Ashtu si dy vite më parë, gjatë zgjedhjeve vendore, edhe në zgjedhjet e së dielës së shkuar, lazaratasit kanë shprehur me votë revoltën e tyre kundër socialistëve në pushtet, ndërsa kanë votuar në masë thuajse absolute pro Partisë Demokratike. Kështu, nga 5 qendrat e votimit të ngritura në këtë zonë, rezulton një nga rezultatet më të thella në rang republike. E ndërsa gjithë Shqipëria ka patur një trend në disfavor të PD-së, në Lazarat ka ndodhur e kundërta. Më konkretisht:

Në qendrën e votimit 4261, PD ka siguruar 94.05 për qind të votave, PS 1.3 dhe LSI 3.2.

Në qendrën e votimit 4261/1, PD ka marrë 90.15 për qind të votave, PS 3.08 dhe LSI 6.15.

Në qendrën e votimit 4262, PD ka marrë 91.09 për qind të votave, PS 3.4 dhe LSI 5.06.

Në qendrën e votimit 4262/1, PD ka siguruar 88.6 për qind të votave, PS 6.2 dhe LSI 2.8.

Në qendrën e votimit 4263, PD ka marrë 89.13 për qind të votave, PS 5.7 dhe LSI 4.9.

Një tjetër element interesant për këtë fshat është edhe pjesëmarrja. Ndërsa në rang republike pjesëmarrja është më e ulëta në histori, ku numri i zgjedhësve që morri pjesë në votime nuk shkoi më shumë se 46 për qind, në Lazarat ka ndodhur një fenomen krejt i kundërt. Në të 5 qendrat e këtij fshati pjesëmarrja varion nga 70 deri në 76 për qind me një mesatare 73.6 për qind.

 
Shkruar Nga
More from Redaksia

Njerëzit e famshëm të varrosur me sendet e tyre të çmuara

“S’do marrësh asgjë me vete në varr, po gëzoji sa je gjallë”,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.