Zonja Kryeprokurore, shkarko dhe emëro kë të duash, përgjegjësia është e juaja!

Nga Ervis Iljazaj

Sigurisht që, të shkarkosh kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda pikërisht në këtë moment, kur çështja e Tahirit është çështja më e rëndësishme juridike, por edhe politike, kërkon një guxim të madh. Guxim dhe arsye të cilat nuk dihet se ku i ka gjetur Arta Marku dhe është çështja e saj.

Megjithatë, në situatën ku ndodhet drejtësia shqiptare sot, dhe Kryeprokuroria në veçanti, çdo emërim apo shkarkim nuk ka asnjë vlerë. Çdo përgjegjësi apo meritë nëse do ketë, do të jetë vetëm e drejtueses së “përkohshme” të Prokurorisë Arta Markut.

Në fund të fundit, askush nuk do të kujtohet apo do t’i kërkojë llogari ndonjë prokurori të veçantë, sado i rëndësishëm të jetë, sado çështje të rëndësishme të ketë në duar, siç është ajo e Tahirit, por llogaria dhe gishti do të drejtohet kundër Kryeprokurores.

Prandaj, çdo tentativë për të arritur sukses apo për të ngadalësuar ndonjë çështje penale të rëndësishme nëpërmjet emërimeve dhe shkarkimeve nuk ka asnjë kuptim. Çdo aksion i Prokurorisë do vlerësohet si puna dhe përgjegjësia e Arta Markut. Nga ky gjykim Kryeprokurorja nuk ka shpëtim.

E megjithatë se si do shkojë çështja Tahiri mbas këtyre lëvizjeve mbetet për t’u parë, me gjithë dyshimet legjitime që ka ngritur opozita dhe opinioni publik.

Nuk përjashtohet dhe ndonjë efekt surprizë, pasi politika dhe drejtësia shqiptare janë bërë aq të komplikuara saqë askush s’e di se cilat janë fijet dhe kush i lëviz. Të presim e të shohim!

Deri më tani reputacioni i Kryeprokurores është në rrezik, që nga dita që është zgjedhur në krye të këtij institucioni. Për nga mënyra se si është zgjedhur dhe mënyra se si janë trajtuar deri më tani disa nga çështjet penale më të rëndësishme.

Por, ajo që e “shpëton” reputacionin dhe veprimet e Kryeprokurores deri më tani, është mbështetja publike që i jep Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Donald Lu. Edhe në rastin në fjalë Ambasadori e mbështeti shkarkimin e kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Të jetë i kapur vallë Donald Lu nga qeveria dhe Edi Rama deri në këtë pikë?

Edhe ndoshta, çdo gjë është e mundur. Por, si ka mundësi që një gjë e tillë të bëhet në mënyrë kaq të hapur nga një ambasador, i cili nuk rresht së thëni që në këtë vend do të bëhet drejtësi dhe Reforma e saj do përfundojë me çdo kusht?

A është e mundur që një investim i madh për drejtësinë dhe Reformën në Drejtësi i Shteteve të Bashkuara dhe personal i Donald Lu të përfundojë në një mbështetje politike për Edi Ramën në një moment kaq të vështirë ku ndodhet me çështjen Tahiri?

Kjo është pyetja të cilës duhet t’i përgjigjemi, sepse mbështetje të tilla të hapura dhe publike të Donald Lu për çdo veprim të Arta Markut, janë pothuajse të pakuptueshme.

Këtu mund të bëjmë dy hamendësime, sepse jemi në nivele hamendësimesh dhe jo të faktit. E para, Arta Marku është e kapur nga Edi Rama, dhe Donald Lu është duke mbështetur publikisht dhe hapur këtë të fundit nëpërmjet Kryeprokurores duke mbyllur çështjen Tahiri.

Dhe e dyta, politika shqiptare nuk ka më asnjë ndikim dhe akses te prokuroria, dhe çdo gjë komandohet nga Shtetet e Bashkuara. Në lëvizjet e fundit, ndoshta, askush nuk e di vërtet se çfarë do të arrijë Ambasada e Shteteve të Bashkuara duke parë ritmet e ngadalta të hetimit politik dhe të çështjes Tahiri.

Se cila nga këto hamendësime është e vërtetë, këtë do ta tregojë koha.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shqipëria: 0.2% e popullsisë është në burg, më e larta në Ballkan

Në total rreth 1.5 milioë njerëz janë të burgosur në Europë dhe...
Read More