Zoti Basha, falas është sinonim i punizmit!


Nga Ervis Iljazaj

Opozita ka gjetur kauzën e parë për të filluar aksionin opozitar të saj në këtë seksion të ri politik. Duke qenë se kjo është periudha e përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor dhe, vëmendja e shumë familjeve shqiptare është pikërisht aty, Lulzim Basha nuk e ka humbur këtë rast për të propozuar libra falas për të gjithë fëmijët shqiptarë.

Duket sikur kjo mënyrë e të bërit opozitë bazuar mbi populizmin dhe humanizmit është inerci e tij e para 25 Qershorit. Gjatë fushatës elektorale Lulzim Basha shpeshherë u bashkua me kauza të së majtës ekstreme duke përkrahur dhe propozuar arsim falas, mensa falas e politika sociale të tilla që do t’i kishte zili çdo forcë politike neomarksiste.

Dihet që çdo opozitë është e majtë sepse luan me solidaritetin, i cili ka një impakt në sensibilitetin dhe opinion publik, mirëpo kjo nuk është zgjidhja e arsimit. Arsim falas, mensa falas dhe libra falas konkretisht përkthehet në injorancë falas. Nuk e di nëse ekziston ende ndonjë vend në Botë përveç Koresë së Veriut t’i ofrojë të gjitha këto shërbime falas?!.

Problemet e arsimit sot, qoftë dhe ajo e teksteve nuk zgjidhet duke propozuar falas çdo gjë. Kjo është një mënyrë prej caritasi, por që në të vërtetë nuk zgjidh problemin.

Si ka mundësi të propozosh libra falas për familjet e pasura shqiptare njësoj si për ato që nuk kanë asnjë të ardhur?

Zoti Basha është duke ngatërruar politikat sociale me politikat arsimore. Sepse që të ndërtosh sot një sistem arsimor të kualifikuar të denjë për të konkurruar me fqinjët dhe më gjerë, ka nevojë për fonde dhe investime. Nga do të vijnë këto investime nëse ata që kanë mundësi nuk paguajnë për arsimin duke ndihmuar në këtë mënyrë edhe ata që nuk kanë asnjë të ardhur dhe, që, vërtet duhet t’i marrin falas?

Kjo filozofi e arsimit falas është padyshim një filozofi puniste e propozuar vetëm për të joshur emocionalisht popullin shqiptar, por që aspak nuk çon drejt zgjidhjes së problemeve. Përkundrazi, arsimi shqiptar ka nevojë për rritje të investimeve për ta bërë cilësor atë. Para të cilat duhet të vijnë nga ato familje që kanë mundësi të paguajnë, ndoshta edhe pak më shumë, duke ndihmuar në këtë mënyrë edhe ata që nuk kanë. Ky është solidariteti i vërtetë dhe që ndihmon arsimin cilësor.

Humanizmi për të gjithë dhe për ata që munden dhe për ata që nuk munden, është thjesht tentativë e dëshpëruar për disa vota më shumë dhe, në afatgjatë është një mendësi shkatërruese për sistemin arsimor shqiptar.

Nga një parti e djathtë priten propozime të tjera. Priten që të propozohen politika të tregut dhe të konkurrencës duke shpërblyer kështu meritokracinë dhe, jo humanizëm që nuk të çon në asnjë drejtim.

Zoti Basha duhet të kuptojë që fushata elektorale ka mbaruar dhe duhet t’iu ofrojë shqiptarëve një alternativë të besueshme tërësisht të bazuar në parimet e djathta, e cila është në interes të të gjithë sistemit shoqëror dhe ekonomik shqiptar.

Përpara ka katër vite për t’u larguar nga politika spontane që e ka karakterizuar këto kohë dhe për të ndërtuar një të djathtë të besueshme dhe ideologjikisht të përcaktuar. Shqipëria ka nevojë për politikanë që kanë kurajë të propozojnë zgjidhje afatgjata dhe jo të bëjnë politika të ditës me ndjeshmëritë e qytetarëve duke i gënjyer se po i lehtësojnë dhimbjet me humanizma fals.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Parajsat fiskale, kush janë emrat VIP…nga Mbretëresha e Anglisë e deri tek Madona

“Paradise Paper” që ekspozuan sot skemat e evazionit fiskal të elitës globale...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.