“Zoti i drogës”: Kush është Hatija dhe si u lirua?

Zhurma e arrestimit ia la vendin në pak orë lirimit të tij të menjëhershëm nga gjykata.

Për prangosjen e 45–vjeçarit Alket Hatija është shkruar gjatë nga mediat italiane.

Agjencia e lajmeve ANSA e quajti si “baroni” i drogës dhe publikoi të dhëna për dënimin e tij me 20 vjet burg nga gjykata e Milanos në shtator të vitit 2015 për trafik ndërkombëtar të heroinës dhe kokainës.

Ai u kap më 8 korrik për llogari të italianëve, me qëllim ekstradimin.

Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës e la të lirë më 11 korrik. Arsyetimi?

Nuk ka kërkesë për ekstradim.

Prokurori i çështjes argumentoi se kishte një udhër–arresti dhe Hatija duhet të qëndronte në burg për 40 ditë, në pritje të kërkesës së ekstradimit.

Por gjykata nuk e pranoi.

Ajo e la të lirë 45–vjeçarin, në gjurmët e të cilit autoritetet italiane po binin pas 2 vjet kërkimesh.

Prokuroria do ta apelojë vendimin, por ndërkohë Hatija është i lirë.

Hatija u arrestua në Durrës, teksa po shkonte të takonte një mikun e tij.

Ai jetonte i izoluar, në një shtëpi që kishte lidhje me një bunker dhe mësohet se kishte paguar edhe njerëz të armatosur që ta ruanin.

Kush është Alket Hatija?

Të përditshmet “La Reppublica”, “Il fatto quotidiano”, “Il Giorno” informojnë se Alket Hatija është një nga bosët më të mëdhenj të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

Alket Hatija ishte shpallur prej vitesh person në kërkim dhe ndaj tij kishte shumë pak të dhëna.

Kishte mbërritur për herë të parë në Itali në vitin 1997.

Jetonte në komunën ‘Campomarino’ në provincën e Kampobasos në një banesë në rrugën Kenedi.

Kishte punuar për pak kohë në bujqësi.

Sipas mediave italiane, hetimet e policisë italiane kanë vërtetuar se nga janari i vitit 2003 deri në mars të 2004, Alket Hatija kishte trafikuar në qytetin e Milanos rreth 350 kg heroinë e 190 kg kokainë me vlerë 35-40 milionë euro.

Në prill të këtij viti, Gjykata e Milanos kishte marrë ndaj tij vendimin përfundimtar duke e dënuar me 20 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge.

Sipas investigimeve, bashkëpunimi i Interpolit me Policinë Shqiptare kishte mundur të identifikonte se Alket Hatija jetonte në një vilë luksoze me bunker në zonën e Beratit, i rrethuar nga rojet personale të armatosura.

Sipas mediave italiane, shqiptari Alket Hatija ishte një trafikant i madh droge që vetëm me anë të celularit ishte i aftë të trafikonte drejt Italisë qindra kg lëndë narkotike.

Droga hynte në Itali përmes kamionëve e automjeteve me targa europiane që kapërcenin kufirin në veri të Italisë e portet italiane.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Gati për pushime? Telefonin mos e hiq nga dora.

Me ALBtelecom Roaming ke mundësi të jesh kudo i lidhur dhe të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *