“Zoti s’të jep barrë më të rëndë nga sa mund të mbash”


Besnik Sinani është doktorant në Shkollën e Berlinit për Studimin e Shoqërive dhe Kulturave Muslimane, Frei Universitat, ai është po ashtu bashkautor në një sërë publikimesh mbi islamin dhe fenë. I vendosur në Nju Jork, ku ka bashkëpunuar me Universitetin e Nju Jorkut dhe të Jeddah në Arabinë Saudite. Sinani po ashtu është kontribues në median shqiptare kryesisht mbi çështje të religjionit. “Mendoj që diskutimi post-diktaturë mbi ‘qytetin’ apo ‘polisin’ shqiptar është i ngarkuar me paragjykime e vet-lavdërime nga njerëz që duan të projektojnë një lloj kozmopolitanizmi të vetes duke treguar me gisht ata që perceptohen si jo të tillë”, thotë Sinani, ndërsa ka një qëndrim kritik ndaj gjuhës së urrejtjes që thotë ai gjen vend edhe pse nuk duhet në mediat shqiptare.

Çdo të thotë të jesh shqiptar?

Do të thotë të duash të identifikohesh si i tillë. Unë nuk kam lindur në Shqipëri e pjesën më të madhe të jetës sime kam jetuar jashtë Shqipërisë e megjithatë jam shqiptar.

A ka shenja të huaja në fizionominë shqiptare, sociale apo fizike?

Shenja të huaja? Fizike? Sa më shpejtë të heqim dorë nga të tilla shqetësime, aq më mirë do të jetë.

Kur themi ‘qytet’ në kuptimin ‘polis’, ku ndaleni me mendje në hartën e Shqipërisë?

Menjëherë pas shkollës së mesme gjeta punë si përkthyes, që më bëri të mundur të udhëtoja e të jetoja në ato zona nga mbërrinin në Tiranë ata që u quajtën ‘cecenë’ apo ‘malokë.’ Jetova një vit në Kala të Dodës në kufi mes Dibrës e Kukësit e udhëtova përreth. Kjo eksperiencë më bëri të mundur të njihja nga afër e të kuptoja diçka rreth margjinalizimit të disa popullsive brenda Shqipërisë. Mendoj që diskutimi post-diktaturë mbi ‘qytetin’ apo ‘polisin’ shqiptar është i ngarkuar me paragjykime e vet-lavdërime nga njerëz që duan të projektojnë një lloj kozmopolitanizmi të vetes duke treguar me gisht ata që perceptohen si jo të tillë. Unë u rrita në Tiranë, por e kam vështirë të lidhem me Tiranën e sotme nëpërmjet kujtimeve. Disa nga vendet më të rëndësishme të adoleshencës time nuk gjinden më. Kam dashur të shkruaj për shembull për piedestalin e statujës së Leninit përballë Galerisë së Arteve. Pas heqjes së monumentit, piedestali e sheshi quhej ‘Pink Floyd-at’ sepse dikush kish shkruar një grafiti ‘The Wall’, titulli i këngës më të famshme të këtij grupi. Në toponominë e asaj kohe mund të lije takim me shokët ‘takohemi te Pink Floyd-at.’ Nëse kishe lekë mund të dëgjoje muzikë nga xhetonat e një klubi aty pranë prej nga ku dëgjonim këngët e ‘Faith No More’ apo ‘Red Hot Chilli Peppers.’ Rreth atij vendi u krijua një kulturë rinore, aty takoheshe për të bërë planet se si do përfshiheshe në jetën e grupeve të muzikës së asaj kohe. Nuk gjej më gjurmë të asaj Tirane.

Prej cilës fjalë të shqipes magjepseni, e cilën nuk duroni dot?

Ka përdorues të mirë e përdorues të këqinj të fjalëve.

Ka një traditë letrare në gegnisht, por ka edhe përpjekje të rimarra për të patur edhe një gegnishte të standardizuar. A i kuptoni ata që i bëjnë këto përpjekje?

Sigurisht që i kuptoj. E megjithatë, si projekt shpalos një lloj klanizmi që vetëm sa e dëmton. Nëse do kishte më shumë prodhim kulturor e më pak retorikë, kjo do evitonte edhe një dozë politizimi që detyrimisht e kufizon në potencialet e saj.

A e konsideroni të tejkaluar nocionin Shqipëri etnike?

Absolutisht jo. ‘Shqipëri etnike’ mund të mos jetë emërtim i duhur për këtë ide, por nuk ka asnjë arsye që një popull mos jetojë bashkë si pjesë e një entiteti politik. Sidomos pas zhvillimeve të fundit në politikën botërore dhe drejtimi i ri i mundshëm i marrëdhënieve ShBA– Rusi, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën duhet diskutuar seriozisht.

A ka një rrezik neo-otoman për Shqipërinë?

Jo. Ka paragjykime imorale ndaj fesë islame dhe ndaj Turqisë.

A ka pasur një rrezik anglo-amerikan për Shqipërinë?

Mendoj se fatkeqësisht fuqitë perëndimore nuk u angazhuan mjaftueshëm në rrëzimin e Enver Hoxhës.

A ka një ndarje Veri-Jug në Shqipëri?

Në mënyrën se si ekziston sot, mendoj se është pjesë e trashigimisë së politikave krahinore të diktaturës, ku pa asnjë dyshim pati margjinalizim e shproporcionim përfaqësimi politik të zonave të Veriut.

Si do e përkufizonit një toskë e si një gegë?

Mendoj se është sa e papërgjegjshme, po aq sa interesante të shihen reagimet e mefshta ndaj gjuhës së urrejtjes në intervistën e Maks Velos ku deklaroi se urren gegët dhe muslimanët. Çfarë e bënë këtë gjuhë të mundur, të botueshme, të përtypshme? Edhe më keq akoma, çfarë e bën të mundur që predikues të urrejtjes si Velo të merren në mbrojtje? Këto shënjues gegë/toskë po ri-konfigurohen e ri-negociohen e përkufizimi është për nga natyra përpjekje për të ngurtësuar e ndaluar në kohë.

A po shkruhet letërsi në liri, pas vitit 1990, dhe si është ajo krahasuar me atë të shkruar nën diktaturë?

Detyrime të tjera e kanë bërë vështirë të ndjek botimet më të fundit, por poezia shqipe me të cilën ndjej afërsi është poezia që lindi në fillim të viteve 90, sidomos ajo e Ervin Hatibit dhe Rudian Zekthit.

Një shqiptar/e që ju frymëzon…

Albin Kurti.

Çfarë mund të thoni në pak rreshta për kontesha hungareze Geraldine Apponyi e cila u bë Mbretëresha Geraldinë e shqiptarëve?

Mendoj se shumë shqiptarë sot e trajtojnë kujtimin e saj me një lloj fetishi të ngjashëm me koleksionimin dikur të letrave të çamçakëzëve që vinin nga jashtë shtetit.

Partizani, Tirana apo Vllaznia?

Tirana

Jezu Krishti, thotë Messorio, është i vetmi që e ka ndarë kohën më dysh, në para dhe pas Krishtit? Kush apo çfarë e ka ndarë më dysh kohën tuaj: para dhe pas…

Në jetën time, ndarja më e rëndësishme ka qenë ajo para e pas diktaturës. Ndoshta jemi shumë pranë zgjedhjeve në ShBA për të gjykuar, por kam frikë se fitorja e Trump është një nga ato ngjarje që në mënyrë dramatike mund të ndajë kohën.

A ekzisiton një Shqipëri europiane dhe një orientale?

Ekzistojnë shqiptarë me ethe identitare, me një vizion karikaturë të realitetit që riciklojnë nocione të cekëta, esencialiste, e reduktive për botën.

Besëtytnitë: i njihni, i sundoni apo ju kontrollojnë?

Nuk më shqetësojnë.

Haxhi Qamilin, ndër të tjera, e kanë quajtur Princ të gjurulldisë. M’anë tjetër regjimi i Enver Hoxhës e paraqiti lëvizjen e tij si kryengritje të vegjëlisë…

Haxhi Qamili komentohet po aq në mënyrë ideologjike sot sa dhe gjatë regjimit të Enver Hoxhës. Gjatë diktaturës i shërbente narrativës së rezistencës popullore, pa u angazhuar me llojin e shqetësimeve që e sollën në skenën politike atë dhe ata që e pasuan. Sot i shërben narrativës europianiste që po njëlloj dështon në angazhimin e mirëfilltë të një analize historike. Komunizmi i atribuonte një dozë – edhe pse jo të plotë – ndërgjegjeje klasore, ndërsa sot anatemohet si përfaqësuesi i shqiptarit – gati përtej kohor – me identitet të mangët, të deformuar, të prapambetur. Këto trajtime nuk kanë të bëjnë me histori, por me ideologji.

Komunizmi është në kundërshtim me natyrën njerëzore, thotë Ernest Renan…

Mund të thuhet njëkohësisht se në rendet komuniste u panë edhe disa nga manifestimet më të liga të natyrës njerëzore. Për mua është më e rëndësishme të mendohet rreth asaj që e bëri komunizmin tërheqës e frymëzues për shumë gjenerata anë e mbanë globit. Çfarë realitetesh politike e ofruan komunizmin si zgjidhje të sfidave të kaq shoqërive

njerëzore?

 ‘Mbahu nëno mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë’…premtim romantik apo përshkruese e rolit të Diasporës në jetën e Shqipërisë?

Diaspora është angazhuar në kohë të caktuar historike, kryesisht krizash të Atdheut. Vetë kam qenë dëshmitar i angazhimit dhe sakrificave të diasporës në Amerikë gjatë luftës së Kosovës. Vlen të kujtohet që disa nga kontributet më të rëndësishme në prodhimin kulturor sot vinë nga diaspora.

A mendoni për vdekjen?

Patjetër, është ndër gjërat më të sigurta që dimë për veten.

Për këtë diell! apo, për Zotin!?

Për Zotin, i cili krijoi diellin.

Nëse do të zgjidhnit një epitaf për kryet e varrit tuaj…

Epitafi në kryet e varrit është për ata që mbeten pas, më shumë se për ata që ikin. Vlen për të përkujtuar ata që ende gjenden në këtë jetë për përkohshmërinë tonë këtu si dhe për të përtejshmen. Shpresoj që fëmijët e mi do zgjedhin mirë.

A është i paragjykuar Kanuni?

Nuk ka asnjë paragjykim ndaj Kanunit si dokument historik e produkt i kulturës kombëtare. Në anën tjetër, ka një përpjekje për të paraqitur kanunin si shprehje të esencës shqiptare, si pjesë e një retorike përjashtuese dhe ky është lloji i materialit që prodhon fanatizëm të rrezikshëm politik.

Çfarë u ndodh kur bëheni konician e mendoni ‘ky vend nuk bëhet’?

Sigurisht ky vend bëhet. Nevojitet angazhim dhe aktivizëm politik për të rezistuar pikërisht atë lloj paralize që kërkon të nxisë kjo lloj mendësie.

Kur dëgjoni ‘o sa mirë me qenë shqiptar! si ndiheni?

Nuk ndjej ndonjë gjë.

Kriza, ka bërë që në aula të ndryshme, kuptohet të majta, të formulohet ideja se kapitalizmi si rend ka dështuar, dhe nuk mund të kërkohet dalje nga kriza me mjetet e një sistemi që e solli krizën. Në ç’lloj krize jemi në fakt: shpirtërore, morale, financiare apo sistemike?

Të gjitha. Kapitalizmi është një prej shkaktarëve kryesor të kësaj krize dhe sot kur shohim kërcënimin e lirive personale nga ardhja në pushtet e liderëve populistë të djathtë si Trump apo demagogë të ngjashëm në Europë si Le Pen apo Ëilders, rezistenca ndaj tyre nuk mund të jetë e sukseshme pa adresuar padrejtësitë ekonomike dhe sociale të politikave ekonomike neo-liberale.

Një teolog e ka përkufizuar besimin e tij në Zot si zgjedhje të misterit në vend të absurdit, që do të ishte mosbesimi. Ju jeni në mister apo absurd?

Besimi në Zot – e prej më shumë se 10 vjetësh e konsideroj veten besimtar e pasues i traditës muslimane – ka një dimension misteri, por ky nuk është statik. Udhëtimi i mirëfilltë shpirtëror nënkupton zbulim e njohje. Vetë shkoj her para e her mbrapa në këtë udhëtim.

Fan Noli dhe princi gjerman von Wied kanë qenë më jetëshkurtrit në pushtet ndër ata që kanë qeverisur Shqipërinë. Pse kështu?

Fan Noli më ka impresionuar përherë për llojin e interesave dhe ndërmarrjeve në jetën tij, përveç se si politikan. Më duhet të lexoj më shumë për Wied por kam përshtypjen se në fakt nuk sundoi fare në Shqipëri. Ai ishte pjesë e një zgjidhjeje artificiale të imponuar nga jashtë me arrogancën e politikës europiane të kohës.

Ndër gjërat që ndalojnë fetë cila është më e pandalueshmja?

Zoti nuk e ngarkon njeriun me barrë më të rëndë nga sa mund të mbajë.

Ka një debat rreth ekzistencës së shtypit të shkruar. A do dhe si mund të mbijetojë?

Pakë ditë më parë lexova një raport të The New York Times se si kjo gazetë planifikon ta adresojë këtë sfidë. Mendoj gjithsesi se procesi është fatkeqësisht i pakthyeshëm. Për sa i përket shtypit shqiptar, ama, do duhej pyetur se a ja vlen të ruhet e të shpëtohet, edhe nëse kjo do ishte e mundur?

Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur të bëni dhe kujt?

Pyetjet më të vështira janë ato që i ndjejmë të flenë brenda e kemi frikë t’i zgjojmë. Ato janë natyrisht pyetjet që më së shumti kemi nevojë tu gjejmë përgjigje.

Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur t’ju bëjnë?

Ndihem mirë kur dy djemtë e mi më pyesin për kuptimin e ngjarjeve, më kërkojnë tu shpjegoj gjëra: tregon se ende më shohin si burim përgjigjesh të mundshme për jetën e tyre. Çdo pyetje prej tyre më entuziazmon.

*Marrë nga revista Mapo

Shkruar Nga
More from revista mapo

PAA kërkon fitoren e parë me Dritan Hajron

Cili është kandidati i opozitës në zgjedhjet e pjesshme të Kolonjës dhe...
Read More