Zyrtarizimi i shqipes në Maqedoni, Ngjela: Shenja e fundit e gjenocidit sllav kundër shqiptarëve

 

Avokati Spartak Ngjela ka reaguar sot pas vendimit të miratuar sot nga Kuvendi i Maqedonisë për zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Përmes një mesazhi në faqen e tij të ‘Facebook’ Ngjela thekson se ka dy fakte në favor të ngritjes shqiptare në Ballkan.

Avokati Ngjela e cilëson këtë vendim të sotëm si një shenjë të fundit të gjenocidit sllav kundër shqiptarëve, dhe fillimi i ringritjes së dinjitetit shqiptar në shtetin e Maqedonisë.

“Shumë shpejt do shohim që shqiptarët janë mbi 50 përqind e popullsisë së shtetit maqedonas, dhe shqiptarët do të jenë në shtetin me shumicën e tyre”,- shkruan Ngjela.

REAGIMI I NGJELËS:

“Ka dy fakte të njëpasnjëshëm në favor të ngritjes shqiptare në Ballkan. Sot, para një ore u votua ligji i gjuhës shqipe në parlamentin e Maqedonisë: shqipja u bë gjuhë zyrtare. Gruevski ka dashur të dhunojë fizikisht kryetarin e kuvendit Telat Xhaferin.

Në fakt kjo duhet të jetë shenja e fundit e genocidit sllav kundër shqiptarëve, dhe fillimi i ringritjes së dinjitetit shqiptar në shtetin Maqedon.

Dhe ka qenë teza amerikane, shprehur dje në Beograd nga zëvendës sekretari i shtetit amerikan që Kosova duhet të ketë ushtrinë e saj, e njëjta kuptueshmëri qëllimore e kësaj kohe. Nuk kanë më forcë kundër shqiptarëve as serbët dhe as grekët.

l.
Aleanca shqiptaro- amerikane për Ballkanin Perëndimor është në një ecje me ngjitje. Porse koha po tregon se kjo aleancë është një domosdoshmëri historike për vetë Perëndimin

Ringritja e personalitetit shqiptar në Maqedoni është testi i madh i ecjes përpara të albanizimit të Ballkanit Perëndimor. Shumë shpejt do shohim që shqiptarët janë mbi 50 përqind e popullsisë së shtetit maqedonas, dhe shqiptarët do të jenë në shtetin me shumicën e tyre. Në këtë seancë parlamentare kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Telat Xhaferi, e tregoi veten se është jo vetëm një gjeneral fitimtar i UÇK -së, por edhe një burrë shteti. Ndërkaq duhet të kuptojmë se ngjarjet e përbashkëta që kanë një objekt, sigurisht që janë të lidhura.

ll.
Një ngjarje e njëjtë mund të quhet edhe ajo që zëvendës sekretari i shtetit amerikan theksoi dje në Beograd. Ai tha: “askush nuk mund t’ia ndalojë Kosovës të drejtën për të ngritur ushtrinë e saj”. Po ta shohësh me një sy normal, kupton se në të dy vendet e shqiptarëve etnikë në Ballkan, në Kosovë dhe në Maqedoni, amerikanët po i rikthejnë shqiptarëve të drejtat e tyre të nëpërkëmbura në njëqind e pesëdhjetë vjet.

Kjo në fakt është pa dyshim pjesë e planit që e vendos aleancën shqiptaro-amerikane në veprimin e saj intensiv për të krijuar realisht botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor si pjesë integrale të politikës amerikano-gjermane – dhe gjithçka në konsolidimin e pengesës ruse në këtë zonë.
Kontradiktat amerikano ruse përkundrejt interesit perëndimor në Ballkanin Perëndimor kanë vetëm një element dominant të pashlyeshëm: botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Në funksion të kësaj, të gjitha orvatje e korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri për të bashkëpunuar me Moskën, duhet të goditën të rëndë. Në të vërtetë kjo ka qenë sëmundja shqiptare e shitjes së liderëve të tyre, e cila pas përfundimit të Reformës së nisur, do të marrë fund.

lll.

Gjithsesi shqiptarët kudo ku janë po përjetojnë zgjimin e tyre me përkrahjen e madhe amerikane. Kjo kohë do të hyjë në histori si periudha kur shqiptarët kaluan nga mbijetesa në eskalimin e tyre drejt ngritjes së përgjithshme si komb, si etni, si forcë dhe si një fillim i arritjes së zhvillimit tyre drejt prosperitetit. Dhe, kjo kohë, nuk koinçidon nga rasti dhe me luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Ka qenë vazhdimisht në njëqind vjet që korrupsion i kryeministror shqiptar ka përkrahur luftën që fqinjët aneksues territoresh kanë bërë deri genocid kundër shqiptarëve. Por, tani, pas këtyre ndodhive që përmendëm, kuptohet qartë edhe qëllimi i lobimit rus që ka bërë Lulzim Basha me qarqet ruse. E si mund të qëndrojë në krye të së djathtës shqiptare një bashkëpunues me armiqtë shekullor të Shqipërisë dhe shqiptarëve!”

Shkruar Nga
More from Redaksia

Kokëdhima: I thashë Ramës të kishte kujdes me emërimet e disa personave me precedentë

    Kryetari i partisë ZGJIDHJA Koço Kokëdhima i ftuar në emisionin...
Read More