‘017-‘018/ Mapo Editions: 10 librat ku letërsia tregon Shqipërinë në 100 vjet

Bota atipike shqiptare, ajo arkaikja; bota moderne ajo, e ndjenjave të thella; bota e errët e maskarenjve dhe e krimeve të komunizmit; rrëfime poetike që ushtrojnë zemrën dhe intelektin…në këtë aurë vijnë 10 librat, prozë e poezi, të botuar nga Mapo Editions, në harkun kohor të një viti, prej pranverës së kaluar duke sugjeruar e nxitur leximet në këtë sezon

Bota atipike shqiptare, ajo arkaikja; bota moderne ajo, e ndjenjave të thella; bota e errët e maskarenjve dhe e krimeve të komunizmit; rrëfime poetike që ushtrojnë zemrën dhe intelektin…në këtë aurë vijnë 10 librat, prozë e poezi, të botuar nga Mapo Editions, në harkun kohor të një viti, prej pranverës së kaluar duke sugjeruar e nxitur leximet në këtë sezon. Në këtë listë kemi edhe fituesin e çmimit Kadare 2018, Virgjil Muçin duke u bërë pjesë  e klubit të fituesve të këtij çmimi, bashkë me Rudolf Markun, Shkëlqim Çelën, Musa Ramadanin. Ajo çfarë vlerësohet si kritikë me diskutimet mbi veprën letrare, duke u mbështetur në eksperiencën e leximit është e vështirë në këtë mjedis letrar për të dhënë, interpretuar, e përshkruar efektet që vepra letrare ka mbi lexuesin. “Ne duhet t’i lëmë lexuesit të vendosin vetë…” – thotë Ann Jefferson dhe ka parasysh debatet që shtrihen tek kritika, për të zbutur tendencën e studiuesve që zhgënjejnë lexuesit. Deri vonë vërehej se lexuesi kishte një rol mjaft të vogël, pothuaj i mohuar në sfondin e komunikimit letrar. Kur tani pozicioni i tij, reagimi i lexuesit kërkohet me ngulm dhe shihet i veçantë, duke e nxjerrë rolin e leximit nga termat e sofistikuara. Në këtë kontekst leximi mbetet sfida më torturuese edhe për letërsinë shqipe, sidomos pas ’90-ës ku shteti nuk është makineria që nxirrte dikur mijëra kopje për konsum të ideologjisë. Botuesit e sotëm janë të alarmuar me shifrat e tirazheve, edhe pse kufinjtë e shqipes janë zgjeruar e shkruhet për 6 milionë banorë, ndërsa librat vështirë të arrijnë 300 kopje, tirazh. Në këtë sfidë Mapo Editions realizon bashkë me rrjetin e kritikës letrare procesin e vështirë të përballjes me lexuesin. Kushtuar vetëm letërsisë shqipe, vlerësimi i nga i vetmi mecenat në vend, çmimi Kadare ka mundur të japë reagimet reale çfarë ndodh me këtë mjedis letrar. Autorët e letërsia shqipe japin konsideratën e një zëri të brishtë edhe pse botimet e shkrimi tashmë e kanë krijuar bibliotekën e pas ’90-ës, të gatshëm për të ndjekur diskursin përballë lexuesit. Ndaj jemi ndalur në sugjerimet e 10 librave për t’u lexuar në këtë stinë që janë: romani “Pusi”, Kim Mehmetit; Pëshpërime gruaje nga Klara Buda; Sarah, e Alfred Pezës; Josifopedia e Rikard Ljarjes; In love- 100 poezi dashurie, të Preç Zogaj; “Përkthyesi”, nga Maks Velo; Varka e Karontit nga Dine Dine; Ora me rërë e Vera Bekteshit; Libri i lumturisë nga Mimoza Ahmeti; si dhe Piramida e shpirtrave, nga Virgjil Muçi.

  1. Pusi, Kim Mehmeti:

Pusi – sepse njeriu është një pus kujtimesh e shkallë shprese. Me kalimin e viteve njeriu bëhet pus i thellë, dhe shkurton shkallë të shpresave. Një ditë i mbeten vetëm kujtime si ato lulet që kacavjerren në buzet e pusit, atij real, e mbijnë brenda tij, ku fenomene të çuditshme lidhin gjithë historinë familjare, dhe imagjinatën nga fëmijëria, në rini e deri kur zhduken plotësisht shkallët prej tij, – ja, në këtë arkaikë sureale, shkrimtari Kim Mehmeti duket se ka “marrë mbeturinat” e romaneve të mëparshme, për të krijuar jetërrëfimin e ri.

I përfshirë në kolanën e autorëve të letërsisë bashkëkohore shqiptare të Mapo Editions, ky roman lexohet si një metaforë poetike, ku e vetmja notë autobiografike është shkrimtari. Një episod real që Kim Mehmeti e ka marrë nga ndjeshmëria personale kur del përpara publikut, kur i duhet të flasë e brenda tij, përplasen historitë, si duhet rrëfyer vetvetja.

Romani ndërtohet mbi një reflektim, e njëkohësisht ngjarje e tij, të një shkrimtari të njohur që është i ftuar të referojë ne konferencë të rëndësishme mbi jetën e tij. Por pse e ndërton një roman, nga një rrëfim publik i një shkrimtari? Kimi thotë: “…Unë jam shumë i ndjeshëm, e kam shumë frikë fjalën publike. Kjo është tjetër, sepse mund të jesh edhe orator. Por, veçanërisht tek të rinjtë jam shumë i ndjeshëm. Sepse atyre duhet t’jua ndërrosh ndonjëherë edhe mitin gënjeshtar, paragjykimin ndaj shkrimtarit, Kimit, se është njeri i mençëm, i mirë. Në këtë s’ka shumë të vërteta. Mirëpo unë u them se iu duhet ta mbroni këtë model. Kjo është situata e vetme ku unë duhet të jem ai Kimi që ata e paramendojnë, Kimi i vërtetë kur del në ato debatet. Kështu që kjo është një peshë shumë e rëndë, edhe përgjegjësi. Ndaj ky roman nismën e ka aty. Kjo ngjarje më ndodhi me të vërtetë, në Tiranë në daljet e TED. Unë e di se pjesa dërrmuese e lexuesve të mi janë të rinj, dhe ata që mua më vlerësojnë janë të rinjtë. Aty nisi pra, tek ai fjalim nisi çdo gjë derisa mua më erdhi kjo gjë, të rrëmbehem e të filloj romanin”.

Pse e gjithe kjo në një fjalë të vetme, me metaforën “Pusi”? “…me këtë roman doja të bëja një vepër që në tërësi të ishte një metaforë, dhe shkurt metaforë e “Pusi”-it. Sepse njeriu është pus kujtimesh e shkallë shprese. Kjo do të thotë se sa më shumë i kalon mosha, pusi bëhet më i thellë, por shkurton shkallët e shpresave, aq sa një ditë ai vjen e mbetet pus. I mbeten vetëm kujtimet. Posaçërisht me moshë më të madhe, atij i mbetet vetëm pusi dhe shkallët i zhduken. Nuk ka më ku të ngjitet apo ku të zhytet derisa sa të arrijë momenti ku edhe zhytja i humb kuptimin, dmth kur ndahesh nga kjo botë”.

2.”Pëshpërime gruaje”, Klara Buda: Në diktaturë frika i modelonte njerëzit

Pjesë e kolanës letrare të “Mapo Editions”, romani “Pëshpërime gruaje” i Klara Budës ndan me lexuesit fatin e individit në diktaturë, se si një nga gjestet më sublime, siç është dashuria shpërfillte klasën. Romani është një fiction që i vendos ngjarjet në vitet ‘80 në regjimin totalitar shqiptar. Ideali i lirisë mbijeton, me gjithë reduktimin e individit në rendin më të ulët social, atë të skllavërisë. Për këtë libër, gazetari e kritiku Agim Baçi tha se: “Pëshpërimë gruaje…është totalisht një libër i ri, por po ju them që do citoja Hanah Arend kur thotë se ndoshta dashuria është disidentja më e madhe e një sistemi dhe unë mendoj që lidhja midis Almës dhe Eduardit është një pasqyrim i disidencës, asaj të vetmes formë që mund ta sfidonte pushtetin…”. Ndërsa vetë autorja, Klara Buda do të tregonte e shprehte në këtë rast se: “…është një libër për dashurinë si formë rezistence dhe ndoshta është ajo që na mbajti gjallë në atë kohë, është ajo periudhë aq e hidhur sidomos për brezin tonë që unë e quaj brez të humbur. Personalisht, shumë miq më thonë, se ky është një fiksion që nuk ka të bëjë absolutisht me një histori të vërtetë, nuk jam unë ajo vajza së cilës i ndodhin ato të këqijat, por unë  jam ajo vajza të cilës nuk i ka ndodhur asgjë dhe kishte një vëlla të cilit i ndodhnin të gjitha gjërat. Isha motra më e vogël e një vëllai që përjashtohej nga shkolla, përjashtohej nga zbori, përjashtohej nga puna  dhe unë kam rrojtur në frikën se mos më ndodhte e njëjta gjë. Dhe duke jetuar me këtë frikë kam arritur në konkluzionin që gjëja më e tmerrshme e atij sistemi ishte psikoza që ai krijoi dhe frika që ai mbolli. Nuk ka një personazhë pozitiv dhe negativ, të gjithë janë të brishtë, të gjithë kanë problemet e tyre, por ai që në të parë të parë të duket më i egri, më i pa bukuri, ai në një moment e kupton që frika i zbriti në zemër. Dhe ky ka qenë një moment deciziv në jetën time për të kuptuar pse shpesh herë ne dhe, si komb, edhe kur jemi në aeroporte, për një problem të vogël krijojmë një dramë të madhe…”

3.Sarah, e Alfred Pezës: Një roman për gra të lira dhe burra të vërtetë!

Në festën e vitit të ri 1925 në ambasadën e SHBA, femra më e bukur e Shqipërisë së shekullit XX sfidoi Kanunin dhe Ligjin Islamik, duke kërcyer e zbuluar pa ferexhe e burka, nën ritmet e muzikës moderne. Ky akt sinjalizoi ardhjen e një epoke të re. Intriga e pashembullt e pushtetit, pasioni i fshehtë përvëlues dhe enigma e madhe e një vrasjeje misterioze, nisin e marrin udhë…Gazetari dhe publicisti Alfred Peza ka sjellë librin e tij  të parë artistik “Sarah”, nga “Mapo Editions”, që i ka kushtuar pesë vite punë kërkimore nëpër Arkiva, hulumtime, hapje dosjesh pothuaj 100 vjeçare, derisa u bë gati me romanin e tij të parë. Një histori e rrallë e gruas më të mistershme e të përfolur, Sara Blloshmit. Peza në gjurmim të jetës së saj, identifikon Shqipërinë mes dy luftërave botërore, atë të Lindjes dhe Perëndimit; duke e konsideruar një roman emancipues dy personazhet e tij realë: Sara Blloshmi dhe Ahmet Zogu, “flasin” për gra të lira dhe burra të vërtetë…Libri bën fjalë për Shqipërinë mes dy luftërave botërore. Personazhet kryesorë janë Ahmet Zogu, kryeministri-President dhe më pas Mbret i Shqipërisë. Sarah, bashkëshortja e Selahudin Blloshmit, deputetit të Parlamentit të Shqipërisë dhe mbesa e Ismail Qemalit. Rreth tyre ka edhe shumë personazhe të tjerë realë ose të trilluar, të një Shqipërie që sapo kishte dalë nga nata Osmane, në kërkim të një identiteti të ri, në fillim të një shekulli të trazuar. Ka brenda tij intrigën e pashembullt të pushtetit, pasionin e fshehtë përvëlues dhe enigmën e madhe të një vrasjeje. Eshtë një libër emancipimi, për gra të lira dhe burra të vërtetë”, është shprehur Peza. Sara Blloshmi ka qenë femra më e bukur e Shqipërisë e shekullit të XX. Në festën e vitit të ri 1925 në ambasadën amerikane në Tiranë, ajo guxoi e para që ta sfidonte ligjin, rregullat dhe normat e atëhershme, duke kërcyer e zbuluar pa ferexhe e burka dhe me fustan të shkurtër, në një ambient publik. Ishte një akt i pashembullt revolucionar në një shtet ku ende sundonte Kanuni dhe ligji islamik, për të cilin u vunë në dijeni të gjitha kancelaritë e perëndimit, nga Shtëpia e Bardhë e deri në Ministrinë e Jashtme gjermane. Ishte hapi i parë nga ku nis e ndryshon njëherë e përgjithmonë ky vend. Ahmet Zogu e kishte të pashmangshme të qëndronte jashtë kësaj sfide. E krahasoj efektin e këtij kërcimi të Sarah Blloshmit për historinë e Shqipërisë, me atë të hapit të parë të Neil Armstrongut në Hënë, për njerëzimin.

  1. Diktatura e Rikard Ljarja: “Josifopedia”, njeriu i ri, seks, perversitet dhe fe

Jemi në vitet ’50-të, në një fshat të jugut, kur kishat ende i kishin dyert hapur dhe priftërinjtë këndonin psalmet krahas rritjes së njeriut të ri socialist. Dalëngadalë fillon të fryjë një erë më e fortë, dhe kishës me derë të drunjtë iu vu dryni. Flitej për dënime e pushkatime, për armiqtë e popullit dhe fshati në jug nisi të ndryshojë. Josifi, djaloshi që ndjekim pas në ngjarjet e romanit të Rikard Ljarjes, me asocimin e titullit enciklopedia, “Josifopedia”, bëhet si një i “huaj” në fshat, një djalë i mbarë, i bukur që mbaron Shkollën e Kulturës. Ai, dhe me dhjetëra personazhë që ndërtojnë jetën në kulmin e komunizmit, gjithë sjelljet e tij, moralin dhe vazhdojnë dhe pak vite pas rënies së tij janë dëshmitarë të asaj epoke. A ka dashur Ljarja të japë një dëshmi për kohën? Autor i tre romaneve, të mëparshme, tani autori tregon se donte të shkruante një roman që të rrëfente ngjarje, ngjarje që kanë krijuar jetën e një vendi, e gjithë Shqipërisë, ashtu si edhe karakteret. Komunizmi në gjithë mekanizmin e tij, njeriun e ri, perversitetin, moralin, dhunën, terrorin, varfërinë.  “Tek Josifi, por edhe dhjetëra personazhet e mi, aty jam unë”, thotë aktori. Shkrimi, edhe pse ka botuar pas ’90-ës, katër romane, thotë se ka nisur qysh në moshë të herët, fjala është për autorësinë e tij si regjisor, dhe skenarist i 200 faqeve të vëna në kinema. Nga imazhi te fjala, për Ljarjen duket se çlirimi i historisë, në një distancë të mundshme, i ka dhënë aftësinë për shkruar shkurt, konciz, gati gati me mendime të pezullta…”

  1. In love- 100 poezi dashurie, Preç Zogaj: Poezia i përgjigjet gjuhës, si bukuri e sensualitet

Ka qenë befasi në panairin e Librit, në nëntor 2017, përmbledhja me poezi dashurie, e sapo botuar, nga Preç Zogaj. Përfshirë në kolanën letrare “Mapo Editions”, ky libër deri tani ka pasur interes të lartë nga lexuesit. “In love” me 100 poezi dashurie, është përmbledhja që takon poetin Preç Zogaj, sërish, me lexuesin e rinisë, atyre që janë të pandreqshëm në pasione. Libri është shoqëruar nga fjala e Gëzim Bashës e vlerësuar si një tekst unik se si mund të shihen poezitë e dashurisë. Ky libër vjen në pritje të panairit të librit dhe është përfshirë në kontekstin e strukturës së ndërtuar pranë UET me idenë e ngritjes të një klubi të letërsisë kontemporane shqipe, me takime periodike duke kulmuar tek hapja e degës së letërsisë së Universitetit Evropian të Tiranës. Për këto poezi, gjatë promovimit të librit, shkrimtari e përkthyesi Rudolf Marku është shprehur: “Në traditën evropiane poezia e dashurisë është konflikti mes tundimit sensual ndaj femrës, ose e kundërta, dhe përjetimit shpirtëror. Nga ky konflikt lind një tension metafizik që krijon edhe poezinë e dashurisë. Tek Preç Zogaj poezia është zbulim si për herë të parë, ose krijimi për të parit e universit. Kjo mahnitje  e zbulimit për herë të parë, ngazëllimi apo pasiguria – të gjitha, bëjnë një kompleks ndjenjash, ato të zbulimit e krijimit të universit…Poezitë meditative kanë dashuri, fund e krye”. Ndërsa në këtë intervistë poeti shkon drejt më të vështirës, që shpesh nuk gjen limit, se ç’është poezia, e në ndjeshmëri estetike, meqë jemi përpara thirrjes së dashurisë, si mund të tregohet bukuria e një femre. Ç’është kjo përmbledhje me poezi: poeti së fundi, nga fillimi…apo diçka “lamtumire”? Zogaj përgjigjet: “As njëra, as tjetra veç e veç dhe të gjitha kur i marrim  si një të tërë. “In love” është precipitati i   vizionit dhe krijimtarisë sime poetike të deritanishme. Por më lejoni të them se nuk është një lamtumirë. Unë shkuaj vazhdimisht poezi dhe siç thotë titulli i njërës prej të botuarave në vëllimin “Ushtrimet e melankolisë”, poezinë më të bukur ende s’e kam shkruar.”

6.“Përkthyesi”, nga Maks Velo; tregime të reja nga burgu

Kjo përmbledhje me tregime nën logon e “Mapo Editions”, sjell personazhe dhe ngjarje nga kujtimet personale të autorit gjatë viteve të dënimit në burgun e Spaçit. Me një burim të pasur dokumentar, Maks Velo arrin të kthejë në fiction, personazhe nga jeta reale, duke përdorur shpesh nota humori për të përshkruar tragjikomedinë e jetëve nën regjimin diktatorial. “I kam shkruar këto gjëra që të kuptoni se Spaçi nuk ishte ashtu si jua thonë juve. Spaçi ishte një çmendinë. Një gjë shumë e vështirë. Atje vërtet kishte njerëz që ishin kundërshtarë të regjimit , por edhe konturi i shumtë ishte anormal sepse vetë jeta e bënte të tillë” – ka thënë Maks Velo gjatë promovimit të librit të tij të fundit “Përkthyesi” në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës. Me një burim të pasur dokumentar, Maks Velo arrin të kthejë në fiction, personazhe nga jeta reale, duke përdorur shpesh nota humori për të përshkruar tragjikomedinë e jetëve nën regjimin diktatorial. Ky libër bashkë me të tjerë të shkruar nga Velo bëjnë pjesë në atë që quhet sot letërsia e burgut apo letërsia e kujtesës. Për shkrimtarin Ylljet Aliçka, tregimet e Maksit janë të shkruara me vërtetësi. “Janë një dëshmi sesi përvoja, kujtesa, vetë jeta e tij si mund të kthehet në një letërsi të mirëfilltë artistike”- tha Aliçka duke e quajtur figurën e Velos poliedrike, ndërsa letërsia e tij nuk zbulon vetëm përvojat individuale, porse të gjithë realitetin e asaj kohe. Ky libër me tregime i Maks Velos vjen pas romanit “Klubi Karavasta”, botuar vitin e kaluar nga UET Press dhe Mapo Editions.

  1. Varka e Karontit nga Dine Dine: Të vërtetat thuhen siç i ke përjetuar

Romani memuaristik “Mbi varkën e Karontit” me autor Dine Dinen, botim i Mapo Editions. Ky autor i takon brezit të lindur gjatë Luftës së Dytë Botërore, që i përkiste njërës prej familjeve të elitës politike e intelektuale që pas vendosjes së regjimit komunist do etiketoheshin si armiq, e do dënoheshin; rrëfimi i përjetimeve në 100 ditët e hetuesisë, itinerari nga dita e arrestimit deri në përplasjen në burg e një grupi djemsh që patën fatin të kalojnë nëpër kampe mbajnë iluzionin dhe ankthin e thellë…. Një autor i panjohur për qarqet letrare, Dine Dine ende do gjendej në moshën 50-vjeçare në një kamp internimi, humbur mes Myzeqesë, së bashku me familjen dhe dy fëmijët e tij të mitur lindur njëri para dhe tjetri mbas burgut. Fillimi i viteve ‘90, do ta shtynte të vendosej në metropolin më të madh të botës, në atë të Nju Jorkut, duke lënë pas atë vazhdë të pafund tmerresh dhe vuajtjesh. Vepra përfshin një periudhë të vështirë të diktaturës komuniste. Mbas prishjes me Kinën dhe rrënimit ekonomik, nisën gjyqet politike për të mbushur burgjet-miniera që bakri e kromi të çanin bllokadën, nëpër të cilat kaluan disa dhjetëra-mijëra njerëz të pafajshëm… Pjesa e parë e librit “Mbi Varkën e Karontit”, përfshin tri etapa të proceseve të montuara të dënimeve politike: arrestimin, hetuesinë dhe gjykimin; pjesa e dytë, e cila do të përfshihet në një tjetër botim, përfshin “Burgjet”.

  1. Retë që shkasin atje tej, retë e mrekullueshme… Rudolf Marku: Kur shkruan a përkthen poezi të bukura, s’jeton në diktaturë…

Laureati i parë i çmimit “Kadare”, si romancier, shkrimtari Rudolf Marku ripërsërit bashkëpunimin me “Mapo editions” me botimin Antologjik të poezisë botërore “Retë që shkasin atje tej, retë e mrekullueshme…” Janë 40 vite shqipërime poetike nga disa gjuhë, si dhe ato burimore, duke u konsideruar një ngjarje letrare, me autorë klasikë, të panjohur dhe shumë prej tyre të ardhur në shqip, në kohën e censurës…Rreth 76 poetë me 126 tituj me prirje nga lirikat e dashurisë dhe poezinë alegorike, për të cilat Rudolf Marku “injoron” alarmin e vjetër mbi zhdukjen e poezisë… Për këtë antologji, idenë e saj, Marku është shprehur se “Kjo Antologji përmbledh përkthime të bëra dyzet vite më parë, por dhe poezi të përkthyera më vonë. Janë poezi të përzgjedhura nga shija personale…Do qe një arrogancë po të thoja se kam përfshirë poezitë më të bukura të botës….Janë përkthime të lexuara në rrethe të ngushta miqsh e të shkruar nëpër fletore dhe blloqe shënimesh, pa shënuar madje as dhe emrin e përkthyesit, si një masë  mbrojtëse po qe se përkthimet do binin në duar të gabuara. Por mbaj mend se leximi i tyre na sillte gëzimin e lirisë intelektuale dhe shpirtërore..” Duke folur për poezinë, atë pa kufinj gjeografikë, përkthyesi shkon më tej në trajtën e tij estetike duke thënë se “E bukura është një Perandori më vete, ajo ka ligjvenësit e vet dhe qytetarët e vet, ajo është Perandoria e Njeriut të panjollosur nga politika dhe politikanët, e panjollosur nga bankierët dhe mediokriteti dhe ligësia…Të gjitha poezitë e përfshira këtu vijnë në shqip për herë të parë, sepse edhe nëse disa prej tyre janë të përkthyera më parë nga një njeri tjetër, ato nuk janë njëlloj me ato që vijnë të përkthyer në këtë liber”.  Leximi i këtyre poezive 40 vite më parë tregon për përkthyesin se poezia dhe shpirti njerëzor nuk zinxhirosen as nga ajo që e quani diktaturë dhe as nga mendjetopitja e lirisë. “Mund të jesh në burg dhe mund të mendosh si njeriu më i lirë në botë. Dostojevski e shkroi Shtëpinë e të vdekurve në burg. Poezia është e kundërta e diktaturave. Kur shkruan a lexon, a përkthen poezi të bukura, ti nuk jeton më në diktaturë. Jeton në hapësirat pa kufinj të shpirtit”.

9.Libri i lumturisë nga Mimoza Ahmeti dhe vënia e groundeve në diskutim

Grounded ose bazat, janë pohime të garantuara në qenien tonë, pa diskutim. Ato janë përthithje në një mënyrë të ngadalshme, rituale ose të jashtëzakonshme, të cilat fondamentojnë sjelljen mentale, dispozitën e saj. Edhe te poetët më me emër, grounded janë njyja, të cilat nuk vihen në lojë. Zakonisht ato u shërbejnë atyre për të ngritur ndërtesën në kundërdallim me format e tjera, më të ulëta, apo të asaj që në tërësi ata supozojnë si dobësi njerëzore dhe shoqërore. Kështu egoja ngre, formon, kundërve katet e strukturës së vet, të cilat marrin kompleksitete të pabesueshme dhe vetëm rrallë vetëreduktim nëpër formë. Ato orientohen sipas qëllimit dhe intensifikimit të tij, vetëreferencial. Variabli social vetëm, ndryshimi i rrufeshëm i tij, mund ta rrëzojë një ego- ndërtesë, përgjatë kathetimit të saj signifikues, edhe poetik.- në këtë shenjë që ndërton, poetja Mimoza Ahmeti lidh kontekstin me librin e saj poetik “Libri i lumturisë”, për të cilin ajo kërkon nocione pafund të përcaktimeve. Ajo ka treguar se këto poema u shkruan diku para mesit të dhjetëvjeçarit të dytë të këtij shekulli, duke vërejtur se ka “marrë përsipër një diskutim të rrënjëve të qenies”. Dhe kjo ndodhi nga një kombinim i çuditshëm mes shkollimeve dhe përvojave individuale të saj duke iu referuar një autoportreti:

Krimi: Kjo forcë e mistershme/që bashkoi te ti/iluzion e perfeksion,/gojën e bardhë në një fytyrë dielli/për të çapitur qiell që nuk mbaron së kurri,/për të thurë ide me të cilat do të vishen shpirtrat e mardhur…/Kjo forcë që u prir e u shkëput e selektoi drejt teje-/

la pas mijëra qenie, fytyra, fate,/që ti s’i pëlqen,/i quan të pamjaftueshme,/herë herë të frikshme, pothuajse të tmerrshme…/E në kalim e sipër ideje kupton/që ky krim u krye në emër të përsosjes/sate, të përkushtimit ndaj teje,/për të frymëzuar të tjerë,/pikërisht ata:/gjithë atë botë që ti s’e do, e refuzon,/që është ana tjetër e fytyrës/sate, mbetja prej asaj balte që u zgjodh fytyra/jote, rrezëllitëse,/që kultëron me shekuj, edhe kur nuk është më,/që kultëron me vite-/deri në pikën e fundit të dritës/deri në dritën e pikës së fundit.

10.“Piramida e shpirtrave, nga Virgjil Muçi: Jemi çmësuar ta shohim realitetin, ndryshe nga drita e të huajve

Pse zgjodhi një personazh në distancë nga Shqipëria për të ndërtuar një roman, si Piramida e shpirtrave?! Fituesi i edicionit të katërt të çmimit Kadare, Virgjil Muçi, përgjigjet: Kjo ishte mënyra më e mirë për të patur një optikë realiste, jo groteskte, jo cinike mbi këtë vend”. Muçi u vlerësua nga juria me veprën në dorëshkrim “Piramida e shpirtrave” me motivacionin “Për mënyrën se si ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor. Një grotesk ndaj banalitetit, i cili kërkon të zbehë njerëzoren, të shenjtën, duke e zëvendësuar me përshtatjen e pafundme”. Romani “Piramida e shpirtrave” është një satirë e asaj që në mënyrë eufemistike si nga politika vendase ashtu edhe të huajt (këtu nuk mbeten pas as mediat) quhet periudhë tranzicioni në Shqipëri. Muçi shprehet se është përpjekur për të dhënë një tablo realiste të së përditshmes shqiptare, edhe pse është i vetëdijshëm se në këtë garë të pabarabartë shpesh realiteti ia kalon fantazisë më pjellore, duke e bërë shkrimtarin të ndihet i pafuqishëm. Mark Mara – një shqiptar, që nuk kishte shkelur ndonjëherë në Shqipëri dhe, pikërisht vjen si një bir plangprisësh për të zbuluar “dheun e të parëve” dhe befas shikon diçka që, nga iluzioni zbret në një realitet që dërrmon gjithçka. Ky është personazhi i “Piramida e shpirtrave”, që sheh në distancë, ftohtë, kaosin, njerëzit, shpirtrat e tyre në një nga periudhat më të brishta shqiptare, siç ishte koha e piramidave financiare. Shkruar nga Virgjil Muçi, të cilit dje në mjediset e Universitetit Evropian të Tiranës, iu akordua çmimi “Kadare 2018”, shpallur disa ditë më parë në Ditët e Letërsisë Shqipe, në Razëm, – ky autor kërkon diagnozën, zbulimin e vetvetes në një optikë reale. Frymëzuar nga Shpirtrat e vdekur, ku Gogoli është një idhull i Mark Marës, rrethuar me personazhë nga më atipikët, që drejtojnë e pyeten në këtë vend. Ngjarjet dhe karakteret e tyre të duken reale, gati të identifikueshëm me njerëz politikë, dhe në këtë ngasje kemi historitë e rralla, të zullusë shqiptare.

Përgatiti: V. M

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Partia Demokratike e ka një program ekonomik, por nuk ka një ekonomist që të shkëlqejë

Nga Ervis Iljazaj Të Shtunën që kaloi, Instituti Europian Pashko organizoi Forumin...
Read More