A e ndihmojnë samitet integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor?

Nga Ervis Iljazaj

Është zhvilluar në Londër samiti i radhës për Ballkanin Perëndimor dhe procesin e tij të integrimit europian. Në fakt, këto lloj samite janë kthyer tashmë në një zakon. Janë pa fund organizime, kështu që, është koha për të kuptuar se çfarë kanë sjell në të vërtet për Ballkanin Perëndimor drejt  procesit të integrimit?

A e kanë ndihmuar ato këtë rajon për të përshpejtuar procesin e integrimit, apo kanë shërbyer thjesht për të mbajtur gjallë  perspektivën europiane të vendeve të fundit që kanë ngelur jashtë BE?

Duket sikur strategjia e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor, është një strategji e cila e shef këtë rajon si një të vetëm duke u përpjekur ta integroi sit ë tillë. Edhe në raportet e fundit të institucioneve të BE-së, ky rajon konsiderohet si një pjesë e Europës, e cila dhe gjykohet në bllok  për arritjet apo dështimet e tij në procesin e integrimit.

Në këtë kuptim, duket sikur Ballkani Perëndimor do te integrohet në bllok ose në të kundërt, nuk të integrohet asnjë vend. Kështu të paktën është krijuar ideja deri më tani.

Mirëpo, a është e mundur praktikisht një gjë e tillë?

Deri më tani, duket qartë se procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor, është një proces i ngadaltë, i sforcuar, dhe ndonjëherë me kosto të larta politike për këto vende. Është një proces i cili është bërë rraskapitës për të gjithë këtë Rajon. Për këtë arsye, padyshim që, përgjegjësia kryesore e takon vet këtyre vendeve, mirëpo, pa lënë mënjanë dhe ato të Bashkimit Europian me politikën e tij të jashtme, ndonjëherë jo bindëse aq sa duhet.

E megjithatë, kriteret për tu integruar në Bashkimin europian nuk janë kolektive, por individuale. Prandaj të flasësh për integrimin e të gjithë Rajonit në BE nuk ka kuptim.

Në radhë të dytë janë pengesat e jashtme, të vet Bashkimit Europian kundrejt zgjerimit të mëtejshëm.

U bënë tashmë shumë vite që organizohen konferenca të ndryshme që kanë në fokus vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim mbajtjen gjallë të perspektivës e integrimit europian për këtë rajon, që konsiderohet i rëndësishëm në aspektin gjeopolitik në betejën midis fuqive të mëdha botërore. Por,  këto konferenca deri më tani nuk kanë luajtur një rol thelbësor në përpjesëtimin e procedurave të anëtarësimit. Më shumë kanë shërbyer si një instrument i Bashkimit Europian për të mbajtur nën kontroll këto shtete, se sa një shtysë konkrete drejt integrimit europian. Kjo përpjekje ka filluar qysh herët me konferencën e Selanikut dhe te i fundit,  ai i Londrës.

Që nga Konferenca e Selanikut e deri te ajo e Londrës, strategjia Europiane ka ndryshuar. Për të mbajtur gjallë raportet me këtë rajon,  në fokus janë   çështjet ekonomike në radhë të parë.

Duket si një strategji europiane krijimi i një tregu ekonomik të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, në pamundësi reale për integrimin e tij të plotë.

Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk arrijnë standardet ekonomike do të përbënte një kosto ekonomike, por edhe shoqërore për të. Duke parë dhe frymën euroskeptike që ekziston në shoqëritë europiane për sa i përket zgjerimit të mëtejshëm, atëherë procesi bëhet dhe më i vështirë.

Është pikërisht dilema midis rëndësisë strategjike për Europën e integrimit të Ballkanit perëndimor dhe pamundësisë ekonomike dhe kontekstit politik dhe shoqëror atje, që detyron në një farë mënyrë politikën europiane të operojë nëpërmjet konferencave të përbashkëta për të mbajtur perspektivën gjallë për këtë rajon. Një strategji e cila po mundohet të mbajë bashkuar një rajon konfliktual dhe problematik nëpërmjet krijimit të kushteve të bashkëpunimit ekonomik, por që është larg të qenit një strategji për integrimin e plotë të tyre.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ç’të bëjmë deri në qershor 2019?

Nga Klementin Mile Qershori i vitit të ardhshëm nuk është muaji i hapjes...
Read More