A mjaftojnë taksat e ulëta për të tërhequr investimet e huaja?

Faktorët e tërheqjes së Investimeve të Huaja Direkte, si madhësia e tregut, afërsia e vendit me burimin e investimeve etj., janë variabla të rëndësishëm shpjegues që lidhin investimin dhe vendimin për thithjen e tyre.

Tatimi mbi fitimet e firmave është faktori i tetë më i rëndësishëm për të mbajtur në mend në lidhje me vendimet e të huajve për të kryer investime, duke qenë më pak i rëndësishëm se sa faktorë të tjerë si: stabiliteti politik dhe madhësia e tregut të vendit pritës. Një ndër konkluzionet e studimit për këtë temë nga Simmons është përfundimi, se norma e tatimit mbi fitimin e kompanive është një prej disa faktorëve relevant në vendimmarrje e Investimeve të Huaja Direkte (IHD). Në lidhje me këtë, madhësia e tregut në vendin pritës është një faktor shumë më tepër i rëndësishëm për t’u marrë parasysh në vendimet e IHD-ve se sa normat tatimore në fuqi, që nxjerr edhe Ernst & Young në përfundimet e një studimi të bërë nga konsulentët. Globalisht, nga një perspektivë që nuk kufizohet vetëm me vendet e BE, industritë kanë tendencë të mblidhen në një rajon, dhe ky grumbullim industrial jep vendeve të industrializuara, vendeve kryesore një avantazh mbi të tjerët që përcaktohen si periferike. Duke qenë të vetëdijshëm për këtë situatë, qeveritë e vendeve të industrializuara munden të taksojnë industritë e tyre me një normë më të lartë se qeveritë e vendeve periferike, për sa kohë që gjithsesi norma tatimore nuk është shumë e lartë.

Integrimi më i madh ekonomik mund të rezultojë me norma më të larta tatimore, në kundërshtim me mendimin e atyre që mbrojnë pikëpamjen se integrimi ekonomik çon në një politikë të uljes së taksave, duke e mbështetur këtë qëndrim në supozimin se në qoftë se faktorët e prodhimit mbeten të njëjtë, investitorët lëvizin industrinë aty ku ka taksa më të ulëta, e cila do të vendosë vendet të konkurrojnë në një garë midis tyre deri në fund. Për sa i përket ndikimit të normës së tatimit mbi të ardhurat e korporatave në vendimet e IHD-ve, autorë të ndryshëm konkludojnë në studimet e tyre mbi marrëdhënien e ngushtë midis dy variablave, ku një ulje e normës së tatimit ka një efekt stimulues në rritjen e IHD. Disa studime kanë gjetur se ka një lidhje në mes të disa masave specifike të politikës fiskale (përveç masave që lidhen me normën tatimore) dhe IHD-ve. Vetëm shkalla e ulët e tatimit mbi të ardhurat e korporatave nuk është e mjaftueshme për të tërhequr IHD, nëse politika fiskale në tërësi krijon një klimë të pafavorshme për tërheqjen e biznesit, domethënë duke krijuar paparashikueshmëri në normat fiskale të aplikueshme, mungesë të transparencës, paqartësi në vendimet e administratës fiskale, evazioni fiskal dhe mashtrim tatimor. Rregullat fiskalë që janë projektuar posaçërisht për të tërhequr kapitalin e huaj, përkatësisht rregullat fiskalë mbi kapitalizimin e hollë janë më të rëndësishëm në vendimet që ndikojnë në IHD se politikat fiskale duke ndryshuar normat tatimore. Në të njëjtën linjë, ashtu si rregullat specifikë tatimorë mbi kapitalizimin e hollë që ndikojnë në vendimet e IHD-ve, Beuttner dhe të tjerët dalin në përfundimin se kufizimet në njohjen e shpenzimeve të interesit, që rezultojnë nga ndryshimet në rregullat fiskalë mbi kapitalizimin e hollë kanë një ndikim negativ në thithjen e IHD-ve. Normat fiskale në këtë fushë në përgjithësi kufizojnë shpenzimet për interesa për qëllime të llogaritjes së tatimit mbi fitimin, në situatat ku ka prova të nënvlerësimit apo formalizimit të kapitalizimit. Stowhase ka bërë një studim, në të cilin i ndan IHD-të në dy kategori apo sektorë të mëdhenj (prodhim dhe shërbime). Konkluzionet e studimit tregojnë nga njëra anë, se IHD-të në sektorin prodhues ndikohen negativisht nga norma efektive e tatimit dhe se IHD-të në sektorin e shërbimeve nuk preken nga ndryshimet e normave efektive të tatimit. Nga ana tjetër, IHD-të në sektorin e prodhimit nuk preken nga ndryshimet e normës tatimore nominale, ndërsa FDI në sektorin e shërbimeve ndikohet negativisht nga norma tatimore nominale. Autori arsyeton rëndësinë e ndryshimeve në normën nominale tatimore për investimet e huaja në sektorin e shërbimeve me përdorimin e mekanizmave për transferimin e rezultateve në sektorin e shërbimeve, ku shumëkombëshet që operojnë në këtë sektor përpiqen ta zhvendosin fitimin në regjime me norma më të ulëta tatimore. Stowhase përfundon konkluzionet e tij në lidhje me IHD-në në sektorë të ndryshëm, e cila përgjigjet me nivele të ndryshme të elasticitetit ndaj stimujve fiskale të vendit pritës. Ndërkohë, ai thotë se IHD që kanë objektiva të ndryshëm do të kenë reagime jo të njëjta për politika të ndryshme të stimujve fiskale, ku p.sh. rregulla fiskalë që lejojnë zhvlerësim të shpejtë mund të jenë relevante për një lloj të caktuar të IHD-ve, por të parëndësishme për një tjetër. Por, është një vektor i përbashkët në studimet në këtë fushë, që llojet e ndryshme të investimit të reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj incentivave fiskale. Përveç kësaj është e dukshme se lloji i përfitimit fiskal ndikon në lloje të ndryshme të investimeve në mënyra të ndryshme (p.sh. një përfitim fiskal që lejon amortizimin e shpejtë të aktiveve afatgjata materiale do të jetë i rëndësishëm vetëm për IHD-të që presupozohet se janë të lidhura me investimet për këto lloj aktivesh).

Faktorët e tërheqjes së IHD-ve (p.sh. Madhësia e tregut, afërsia e vendit me burimin e investimeve) janë variablat më të rëndësishëm shpjegues që lidhin investimin dhe vendimin për thithjen e IHD-ve. Në një pozitë ekstreme të epërsisë absolute të variablave dhe duke injoruar politikat e vendit pritës, duket se politika fiskale nuk është një faktor relevant në vendimet e IHD-ve. NË këtë argument ndihmon përvoja që vjen nga vendet e grupit BRIC, që arritën të tërheqin IHD edhe me regjime komplekse dhe jo tërheqëse tatimore. Me gjithë uniformitetin e mendimit në lidhje me mbizotërimin e variablave shumë studime e pranojnë se politikat e vendit pritës (p.sh. Kostot e punës, barra e taksave, infrastruktura, politika e këmbimit monetar dhe politikat komerciale) janë gjithashtu faktorë që mbahen në konsideratë në vendimet e IHD-ve.

Politika fiskale është pjesë e politikave të përfitimeve të një shteti, por nga ana tjetër duke marrë politika është në vijimësi e ndikuar edhe nga faktorët që përmendëm më lart.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Siguria energjetike në Shqipëri, një qasje multidimensionale

Sektori i energjisë në Shqipëri karakterizohet nga një infrastrukturë problematike, eficiencë e...
Read More