A po dështon demokracia liberale? Jo, është një viktimë e suksesit të saj

Nga Cathy Young, “Boston Globe”

Nga të gjitha shenjat e jashtme, duket se demokracia liberale është në tërheqje në mbarë botën. Lëvizjet populiste dhe nacionaliste, shpesh haptazi ksenofobike, janë në rritje në Europë. Amerikanët, kanë zgjedhur një president që admiron hapur Vladimir Putin dhe Xi Jinping.

Komentet dhe analizat e kohëve të fundit, mbajnë tituj të tillë si “Si zhduken demokracitë”. Një mori librash të rinj, përfshijnë “Njerëzit kundër Demokracisë” të Yascha Mounk, “Vetëvrasja e Perëndimit” e Jonah Goldberg dhe “Pse dështoi liberalizmi” e Patrick Deneen.

E megjithatë, çështja nuk është se ka dështuar demokracia liberale. Përkundrazi, liberalizmi – dhe jo domosdoshmërisht ai i llojit të majtë në Amerikë, por një sërë vlerash që përfshijnë lirinë, barazinë, demokracinë, të drejtat individuale, laicizmin, ekonominë e tregut dhe internacionalizmin –ka pasur një sukses në rritje.

Pas rindërtimit të Europës pas vitit 1945, dhe triumfit në fundin e Luftës së Ftohtë, rendi liberal ka një rekord mbresëlënës për nxitjen e mirëqenies njerëzore. Por, ashtu si çdo sistem tjetër, ai ka kontradikta të brendshme. Sundimi i shumicës demokratike, bie shpesh ndesh me individualizmin; liria, me barazinë; liria fetare, me çlirimin personal; dhe hapja internacionaliste, me nacionalizmin qytetar.

Sukseset e liberalizmit, shpesh i shtojnë këto tensione, të cilat gjithmonë kanë qenë në sfond.

Merrni emigracionin. Siguria dhe pasuria e shoqërive demokratike liberale, i bën ata “magnet” për njerëzit nga pjesët më pak fatlume të botës, që i ikin varfërisë dhe dhunës, që kanë qenë të pashmangshme për pjesën më të madhe të historisë njerëzore.

Si humanitarizmi, ashtu edhe liria e lëvizjes janë vlera thelbësore liberale; njohja e vlerës së barabartë njerëzore të të gjithë personave, pavarësisht nga raca ose përkatësia etnike është një nga arritjet më të mëdha të liberalizmit modern. Demokracia liberale në Shtetet e Bashkuara, është ndërtuar në veçanti mbi idenë e Amerikës si një vend i ndërtuar nga emigrantët, dhe një shtëpie për kërkuesit e lirisë dhe të mundësive nga e gjithë bota.

Megjithatë, nuk ka nevojë të jesh i pushtuar nga një frikë me një sfond racist, për të menduar që në disa rrethana, emigracioni – veçanërisht, si ai në Gjermani në vitin 2015, një fluks masiv emigrantësh që nuk mund të përshtaten lehtë me normat shoqërore dhe kulturore të vendit pritës, mund të kenë efekte shkatërruese, dhe të shkaktojë tensione sociale të rrezikshme, që nuk lindin thjesht për shkak të paragjykimeve nativiste.

Sidomos në Evropë, debatet mbi emigracionin i kundërvënë shpeshherë qytetarët që besojnë se duhet të kenë një zë në politikat që ndikojnë në jetën e tyre ndaj elitave, që besojnë se të drejtat e njeriut kanë përparësi mbi vullnetin popullor. Kjo çon në atë që Mounk e quan “liberalizmi jodemokratik”, dhe që vjen si një reagim i parashikueshëm që ka fuqizuar populistët anembanë kontinentit, me Viktor Orban në Hungari si përfaqësuesin më të njohur.

Në Shtetet e Bashkuara, vijat ndarëse shpesh përfshijnë rolin e fesë dhe ritmin e ndryshimeve shoqërore. Një pjesë e mbështetjes më të fortë ndaj presidentit Trump, vjen nga ungjillorët, që besojnë se të drejtat e tyre janë nën sulmin e kulturës moderne amerikane.

Dikush mund të tallet me disa nga ankesat e tyre, si një version i krahut të djathtë të politikës së viktimizimit. Në të njëjtën kohë, liria riprodhuese për gratë, të drejtat e martesës për homoseksualët dhe lezbiket, dhe të drejtat civile për njerëzit transgjinorë – të gjitha fushat në të cilat liberalizmi ka arritur suksese të admirueshme – mund të ngrejë çështje vërtet të vështira të lirisë fetare, për ata që ndjekin besimet tradicionale rreth seksualitetit dhe gjinisë.

Ndërkohë, në të majtë, konfliktet e brendshme të liberalizmit, janë përshkallëzuar në luftërat e identitetit, dhe në atë që Sohab Ahmari e quan “liberalizëm jo-liberal”. Një nga arritjet më të mëdha të liberalizmit perëndimor të shekullit XX-të, ishte shtrirja e premtimit të barazisë civile dhe sociale për grupet e përjashtuara më herët: gratë, minoritetet racore dhe përfundimisht homoseksualët.

Vitet e fundit, pjesërisht për shkak të pakënaqësisë me ndryshimet kulturore, shtytja për barazi ka shndërruar në atë që kritikët thonë se është e kundërta e saj: një lëvizje të drejtësisë sociale, që i përcakton njerëzit vetëm nga identiteti i tyre, dhe nxit një hierarki të kundërt, në të cilën statusi varet nga “pika e shtypjes”.

Me përqendrimin e saj në ndryshimin e qëndrimeve dhe çrrënjosjen e paragjykimeve delikate, kjo lëvizje është përplasur edhe me një nga vlerat më themelore të liberalizmit: “lirinë e fjalës”. Progresistët e sotëm, argumentojnë gjithnjë e më shumë se mbrojtja e Amendamentit të Parë për shprehjen e lirë, cilësohet si poshtëruese ndaj njerëzve të margjinalizuar, për të vazhduar shtypjen dhe dëmtuar të dobëtit.

Vlerat e vjetra liberale si liria artistike, po zbehen për shkak të shqetësimeve rreth imperializmit kulturor. Kundërshtimi ndaj “korrektesës politike” dhe anktheve rreth shkeljeve të lirisë fetare, kanë kontribuar që të dyja në zgjedhjen president të Donald Trump. Dhe sigurisht që ka faktorë të tjerë që kanë çuar në krizën aktuale – nga dështimet katastrofike të politikës së jashtme, tek revolucioni i medias sociale.

Së bashku, të gjithë këta faktorë kontribuojnë në një cinizëm ndaj një sistemi liberal, që pavarësisht nga tensionet që nuk u është dhënë zgjidhje, i kanë shërbyer për mirë kombeve perëndimore. Nga Hungaria tek Brezi i Ndryshkut, konservatorët po përqafojnë gjithnjë e më shumë një vizion të shoqërisë, bazuar në të drejtën e të lindurit në vend, dhe jo në vlerat e përbashkëta.

Ndërkohë, shumë progresistë në kampin e “drejtësisë sociale”, argumentojnë se liberalizmi tradicional është i “ndotur” në mënyrë të pashpresë nga racizmi dhe shtypjet e tjera. Këto nuk janë shenja se demokracia liberale është një dështim, vetëm se shumë njerëz janë duke hedhur poshtë normat, që janë ende thelbësore për një shoqëri të mirë.

Kjo nuk është hera e parë që disa kanë shpallur vdekjen e demokracisë liberale. “Demokracia, mund të jetë tek e fundit një aksident historik, një parantezë e shkurtër që mbyllet para syve tanë”- paralajmëroi intelektual francez Jean-Francois Revel në librin “Si zhduken demokracitë”, botuar në vitin 1983.

Asokohe, kërcënimi ishte ajo që ai e pa si paaftësia e demokracisë, për t’i rezistuar në një mënyrë efektive ekspansionit komunist. Tetë vjet më vonë, Bashkimi Sovjetik ishte shembur. Ndoshta, në një çerek shekulli tjetër, paniku aktual mbi liberalizmin e rrezikuar, do të duket i ekzagjeruar. Por për të kapërcyer krizën, ne duhet të përballemi me tendencat vetë-mposhtëse të liberalizmit, ta frenojmë arrogancën e tij, dhe të ri-zbulojmë virtytet e përulësisë dhe pluralizmit të vërtetë.

Në shqip nga bota.al

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Me 197 km/orë: Shihni çmenduritë e shoferëve në rrugët e Tiranës

Disa aksidente të ditëve të fundit kanë shokuar opinionin publik. Kjo ka...
Read More