Alisa Velaj, në kthellën e epërme

Libri “Tej kthellës së epërme”, botim i shtëpisë botuese ‘Luis Print’, Durrës 2018, ka 150 faqe poezi. Një përmbledhje e plotë, e rëndë. Mund të ishte edhe 100 faqe, madje mund të ishte dhe 80 faqe dhe prapë do të ishte po me kaq peshë, me atë poezi të arrirë që mbetet përfaqësuese për autoren, por dhe për prurjet në poezinë e brezit të saj, në poezinë më të mirë që shkruhet sot tek ne në këtë fillim shekulli.

Nga Sadik Bejko
Libri “Tej kthellës së epërme”, botim i shtëpisë botuese ‘Luis Print’, Durrës 2018, ka 150 faqe poezi. Një përmbledhje e plotë, e rëndë. Mund të ishte edhe 100 faqe, madje mund të ishte dhe 80 faqe dhe prapë do të ishte po me kaq peshë, me atë poezi të arrirë që mbetet përfaqësuese për autoren, por dhe për prurjet në poezinë e brezit të saj, në poezinë më të mirë që shkruhet sot tek ne në këtë fillim shekulli.

Libri është ndarë në disa cikle, si për të propozuar një arkitekturë, një kompozim. Nuk e di sa është e arritur kjo ndarje. Më tepër mund të flitet për dy lloje lëndësh, për dy lloje bërthamash a vatrash rreth të cilave qerthullon e ngjizet në disa tituj vjershash jeta e gjallë dhe e fortë poetike e këtij libri.

E para vatër është ajo e një poezie që sjell përthyerjen në vargje, jo regjistrimin, por meditimin e pjekur dhe të distiluar nëpërmjet llambës magjike të fjalës, sjell poezinë mbi ngjarjet e përvojat e unit, mbi gungat e honet që lënë pas goditjet e fatit.

E dyta vatër përcjell poetikën e pejzazheve mesdhetare, vargje gjithë dritë e kthjelltësi, imazhe mbi zogjtë, anijet, udhëtimet në pambarimësi ujërash e horizontesh, perëndimet, zambakët, tulipanët, vjeshtërat, pulëbardhat, ishujt, dallgët, gadishujt… në “Tej të kthelltën e epërme” të poezisë.

Kjo tematikë e deteve të jugut vjen me shumë shëndritje e lëbyrje sysh, gati një dritë verbuese. Është një prurje prej një poeteje të lindur në Jugun detar, poete që sjell kësisoj imazhe, pamje e detaje që kanë lindur bashkë me të. Pra, dhe kjo lëndë është pjellë e një përvoje që vetëdijshëm ose jo ka krijuar depot e saj me lëndë kthjelltësish në thellësi të mbushura rëndshëm sa më nuk ka dhe që një ditë patjetër duhet të zbrazen.

Kjo lëndë mesdhetare nuk është vetëm imazh, nuk është vetëm peizazh, është dhe përvojë, është dhe etyd i përthyerjes psikologjike të një ҫasti, të shumë ҫasteve që nga fëmijëria, që të bëra bashkë si gurët e mozaikut përbëjnë një panorame ndjesore e shqisore shprazur me drita, me kristale zambakësh e tulipanësh, me njomështi visesh ujore e brigjesh të zhveshura mbetur në retinën e vjeshtrave e të perëndimeve mesdhetare, në gojët e zambakëve, në grykët e zogjve, në delikatesën e thërrmimeve në hënë e shkëmb. Autorja për kontrast ka plazmuar ku e ku pak brengë, pak natë, pak mpiksje muzgu.

E përthyer kështu ndjeshmërisht, kjo botë mesdhetare nuk është një bukuri në vetvete apo për vete, por e njerëzuar, e hunanizuar.

Në krye të librit vjen një djalog me Homunkulusin, njeriun e krijuar prej laboratorit… një trokitje nga satira e ironia, që mbase, mbase në të pritmen do të marrin formë e shtat në poezinë e Alisa Velajt.

Ka rëndësi (dhe kjo duhet të nënvizohet) ajo që në këtë libër poetja Alisa Velaj , sjell lëndën e saj poetike. Nuk ka imitime të botëndijimeve dhe perceptimeve të të tjerëve. Poetët vijnë me lëndën e tyre, me bukën e brumin e tyre në furrën e poezisë. Madje poetët e krijojnë prej vetes botën e librave të tyre. Në një farë mase ne kështu po ravizojmë atë që origjinaliteti është thellimi te vetja jote, te eksperiencat e tua, duke mos përjashtuar as reflekset e biografisë së autorit. Ato duhen përfshirë patjetër.

E rëndësishme është që jo vetëm të sjellësh lëndën tënde, por edhe përftimin poetik personal të kësaj lënde. Dua të them se me dy temat kryesore të librit shprehimësia, rrjedha e lirshme, derdhja sintaksore e përpiktë dhe e brishtë në modelimin estetik të tekstit, herë-herë me frymëmarrje të gjata, përcjellin një siguri në mjeshtërinë e të shkruarit, një siguri e maturi stili. Këtu mund të thuash se prirja për të qenë i sofistikuar me patjetër, si ngutje e ҫdo të riu për t’u treguar “poet”, ka sjellë disa herë (jo shpesh) dhe poezi që duhen lexuar dy herë për të hyrë në to. Nuk jam kundër kësaj. Nganjëherë poezitë e mira duhen lexuar dy e tri herë… po, siҫ dihet, kjo manierë nuk duhet të sillet si qëllim më vete. Të jesh i kthjellët, i thjeshtë është më e vështirë se të jesh i ngatërruar. Forma në vetvete, lojërat e bukura me fjalën, nuk kanë asgjë të keqe, por kanë dhe një magji të zbrazët që shumë poetë nuk i rezistojnë ndaj rendin pas tyre dhe dehen me gjethet në të tilla të shterrura vreshta.

Por… që të mos jem i kursyer, po nxitoj të shtoj se përtej kësaj përkujdesjeje miqësore ndaj një kolegeje më të re, kujdesje për të mos shkarë në formë (mashtruese e mikluese), qoftë dhe në formë shkëndijuese, po shtoj se Alisa ka disa poezi që janë arritje të vërteta, të shënuara jo për atë, por për poezinë tonë në tërësi.

Këtu po rreshtoj, sipas meje, disa nga poezitë më të mira të librit: Pasdite pulëbardhash, Ky qiell, Ti më dite, Degëz palme, Thirrja e ujërave, Herët, Aty ku vallëzoj, Duke pritur dimrin, Ungjill drite, Prag, Mirazh, Bulkthi dhe hëna, U shfaq Moxarti, Jo më larg se mali i Sinait, Bardhësi, Nokturn, Heshtohu heshta ime, Simetri, Në e dashtë dritën, E veja, Nuk vjen përmes lutjeve, Ti eja në Paris, Muranë, Ende, Me tinguj, Asgjë përpos dritës…

Në ciklin ‘Kujtesë mjerane e pasqyrës”, një cikël shumë i gjerë, me lëndë tragjike, me ngjizje imazhesh të trishta, me gjak e gjemba të djerrinave ballkanike, ndërkallen dhe poezi të kthjellëta të brishtësisë detare, mbase për ta thyer tonalitetin. Ky cikël ka dhe një përzierje të stileve, të teknikave poetike, si reflekse nga poetë spanjollë, nga poetë paraardhës të poezisë eliptike. Alisa Velaj me poezinë e saj të këtij libri e ka përballuar këtë trysni të teknikave të fillim shekullit. Ajo në arritjet e saj, aty ku kallinjtë janë pjekur plot bukë me rrënjë në tokën e përvojave të saj, ia ka dalë të jetë vetvetja. Nuk ka nevojë për gjë tjetër, veҫ për ta respektuar dhe për ta marrë, trajtuar shumë seriozisht talentin e vet tashmë katërcipërisht të dëshmuar. Ky libër na e thotë shkoqur kaq gjë.

Në disa nga kryeveprat e saj si “Ky qiell”, “Ti më dite”, “Ungjill drite”, e shumë nga ato poezi që përbëjnë ciklin e vatrës së ndezur nga përvojat e unit, fjalët marrin rrezatimin e fshehtë të perlave. “Ky qiell” ka një melankoli të pjekur, nga dhimbje të përtej një momenti, dhembje e gjithëkohshme, dhembje që na i flak mbi krye jeta tek shkon në punët e veta (të mëdha) pa i përfillur jetët tona (të vogla). “Ti më dite” është poezi e mbushur me dhembje, me një lëndë të ngjeshur dhe kompakte, ku një përvojë e tillë merr kuptim, kur ҫlirohet nga helmet e teret në ajër e në dritë, në dritën e pastër të “Tej kthellës së epërme”. Për mua poezi të tilla, si këto më lart, janë më të arrira se disa nga poezitë e saj që shkëlqejnë nga një përsosuri teknike e realizim forme që të lënë shtang (“Ti eja në Paris” etj). Alisa Velaj me këtë libër dha një provë të asaj që poezia di të lindë e të gjejë vend në këtë tokë që prej qindra e qindra vjetësh ka qenë e hapur për poetët, për poezinë. Një poezi si ndriҫim, si tretje në të kthjelltën e epërme të fjalës.

Bio

Alisa Velaj u lind në qytetin e Vlorës, më 6 Nëntor 1982. Është diplomuar për Gjuhë-Letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës në vitin 2005. Kryen studimet pasuniversitare (SHPU) pranë katedrës së Letërsisë po në UT. Më pas merr titullun Doktore e Shkencave Filologjike, pranë Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në universitetin shtetëror të Shkupit. Dy vëllimet e para me poezi “Themelet e erës” dhe “Drejt ajrit’ do t’i rimarrë sërish më 2012 në përmbledhjen poetike “Përanash Flakës”.

“Tej kthellës së epërme” është përmbledhja e saj e dytë me poezi. Poezitë e saj janë përkthyer dhe botuar në: anglisht, hebraisht, suedisht, bengalisht, rumanisht, frengjisht dhe portugalisht. Në gjuhën angleze është botuar në mbi 70 tituj gazetash, revistash dhe antologjish, online dhe në print, ku spikasin tituj të tillë si; Four twentyfive Anthology (Australia), The Journal (UK), The Dallas Review (USA), The Linnet’s Wings (UK) The Seventh Quarry (UK), Envoi Magazine (UK) etj. Vëllimi me poezi “The Wind Foundations” (‘Themelet e erës), përkthyer nga Ukë Zenel Buçpapaj botohet në 2017 nga revista amerikane Zany Zygote Review. Vëllimi tjetër me poezi “With no sweat at all” (“Pa kurrfarë mundi”) pritet të botohet në 2019 në USA nga Carvena Barva Press.

Në qershor 2014 do të futet në shortlistën prej 20 poetësh, pas konkurimit prej 5450 poetësh nga mbarë bota, për çmimin prestigjoz ‘Erbacce Prize Poetry Award’ në Britaninë e Madhe.

Në Shqipëri është fituese e çmimit ‘Zef Serembe’ në vitin 2012 për përmbledhjen me poezi “Përanash Flakës”. Prej 10 vjetësh është pedagoge pranë katedrës së Letërsisë në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

UNGJILL DRITE

(Nënës sime, Elvedinës)

Mos i lër gjethet e vjeshtës

Të të kalojnë mbi krye, nënë!

Kanë gjurmë nga trishtimet e zogjve

Psherëtima flladesh nga kujtesa të erërave të shkretëtirës

Që ngrenë lart një re pluhuri të kuqërremtë

(Njëjtë si nuancë e gjetheve të vjeshtës)

Është kaq i shndritshëm ky mëngjes detar, mam’

Ku ҫdo rreze dielli që të ngatërrohet flokëve

Më rrëfen se ka bardhësi më të bardha se bora

Lartësi më të mëdha se qielli

Dhe gjuhën e dashurisë s’është kurrë vonë për ta mësuar.

Kaq i paqtë është ky qiell pulë bardhash

Sa sytë e tu të thellë – dy copëza kaltërsish,

Mbajnë fshehur më të kthjelltin ungjill drite

Aq pak të lexueshëm për gjethet dhe erërat.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Kryemadhi u bën thirrje socialistëve: Largoni Ramën ose PS-së i erdhi fundi

  Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi ka mbyllur seancën e Kuvendit pasi...
Read More