Ana tjetër e medaljes ndërkombëtare ‘Pazari i Ri’!

Nga Gentian Kaprata

– Memo Sovranit

Gustave le Bon (1841-1931) ishte një dijetar francez që kontribuoi në disa shkenca, por njihet gjerësisht për tezat e tij në psikologjinë e turmave, që është një degë e psikologjisë sociale. Me këtë shkencëtar nuk më kanë prezantuar rezultatet e punës së tij shkencore, por ndikimi i punës së tij te disa nga drejtuesit e të majtës së gjysmës së parë të shekullit të kaluar, si Musolini, Hitleri dhe Lenini. Të vetmen tezë të tij që unë njoh, do të mundohem ta riprodhoj me fjalët e mia, duke synuar ta pastroj nga etiketat ofenduese të parëndësishme për brendinë kuptimore të saj. Qytetarët, thoshte Le Bon, duke mos pasur ideal tjetër veçse të shijuarit me ngut të të mirave që zotërojnë, ia dorëzojnë drejtimin e çështjeve publike, shtetit. Atëherë fqinjët e pacivilizuar, duke patur nevoja shumë të pakta, por një ideal tepër të fuqishëm, e pushtojnë popullin e qytetëruar, dhe më pas krijojnë një qytetërim të ri me mbeturinat e atij që sapo përmbysën.

Nëpërmjet kësaj teze unë arrita t’ia shpjegoj vetes dhe shpresoj edhe juve një ngjarje që përjetova pak orë më parë. Ajo ishte një kontradiktë vulgare, që teorikisht për gjendjen urbane të Tiranës duhet të ishte e zakonshme, porse praktikisht mbetet unike. Fatkeqësisht, nuk ndodh shpesh që qytetarët e kryeqytetit të konfliktohen mes tyre për një çështje të dimensionit komunitar. Megjithëse, kudo nëpër Tiranë gjenden; banorë të rinj me ideale të forta që sjellin mënyrat e tyre të zgjidhjes së problemeve; sekserë partiak që përgjithësisht e çuditërisht nuk kanë një histori bashkëjetese me banorët e vjetër; policë bashkiakë që mundohen të mbajnë vendet e punës dhe të bëjnë ndonjë ‘lek’ nga paratë që sekserët apo banorët e rinj ju ofrojnë; qytetarë të vjetër që janë zhytur në heshtjen bashkëfajtore duke konsumuar ato të mira materiale që kanë trashëguar; porse askund nuk shfaqet një qytetar i përgjegjshëm në mbrojtje të asaj që komuniteti ka të përbashkët.

Këta ishin personazhet e dramës urbane në të cilën u gjenda. Ajo ndërtohej mbi një konflikt urban të krijuar midis një banori të ri që kërkonte të shqyente asfaltin e rrugicës së përbashkët për të “rregulluar” tubacionet e përbashkëta të largimit të ujërave të ndotura që i kishin bllokuar VC-në personale, të mbështetur nga sekserët e partive që kohët e fundit i quajnë ‘ndërlidhësit e komunitetit’ të korruptuar prej tyre; dhe një zotërie që mundohej t’u shpjegonte këtyre njerëzve se rrugica e përbashkët mund të çahej vetëm me një projekt të ndërmarrjeve të Bashkisë Tiranë, i pambështetur nga qytetarët e tjerë të rrugicës qorre të frikësuar nga fuqia fizike dhe politike e banorëve të rinj dhe sekserëve të partisë që vetëquheshin përfaqësues të komunitetit, por askush nga komuniteti nuk i kishte përzgjedhur si të tillë. Vendngjarja e dramës urbane, me personazhe, kuptime mbi qytetin, dhe interesa kaq shumë heterogjenë, ishte blloku fqinj me Pazarin e Ri!

Megjithëse unikaliteti i jep një vlerë të rëndësishme dalluese, në fakt është vendndodhja që i jep konfliktit vlefshmërinë për ta ndarë me lexuesit e këtij shkrimi modest. Sepse po flasim për një bllok banimi vetëm 50 metra larg investimit prej 9.5 milionë euro të artit urban të Pazarit të Ri. Shumë më e vërtetë se gjysma tjetër e luksit, ky bllok i banuar mbetet prej 30 vjetësh në mjerim urban pa asnjë shpresë për të ardhmen e këtij komuniteti të mrekullueshëm. Nuk do zgjatem me përshkrimin e marrëdhënieve të nivelit të lartë qytetar e komunitar të banorëve në 70 vjetët e para të krijimit të kësaj lagjeje, dhe as me atomizimin që kanë pësuar këto marrëdhënie dekadat e fundit, por do theksoj e ritheksoj mënyrën populiste, demagogjike, fasadiste, nëpërmjet të cilës është administruar kjo pjesë historike e qytetit. Mënyrë, që ka prodhuar vetëm varfëri ekonomike për familjet, kontradikta sociale e kulturore për komunitetin dhe varfërim urban për bllokun.

Padyshim që teza e Le Bon ka ndikuar diktatorët majtist të kuptojnë se si ‘shembet e vjetra dhe një jetë e re lulëzon gërmadhash’, por edhe ne mund të nxjerrim mësime prej saj. Qytetarët e Pazarit të Ri duhet të vazhdojnë të mirëpresin dhe të shkëmbejnë kulturalisht me banorët e rinj, sikurse bënë përgjatë 90 vjetëve me të parët e mi nga Gjirokastra, familjen dibrane, krutane, dhe tepelenase; por nuk duhet të pranojnë që kultura e tyre të kthehet në kulturë mbisunduese komunitare. Dhe mbi të gjitha, ajo ku origjinalizojnë gjithë të këqijat, nuk duhet t’ia dorëzojnë pa kushte shtetit drejtimin e çështjeve publike, sepse shumë shpejt ai kthehet në një makineri korrupsioni që ushqen vetëm bijtë e tij të uritur, duke prodhuar dy realitete diametrikisht të kundërta. Në njërën, ku shkëlqen luksi që synon dekorata ndërkombëtare, dhe në një të dytë, ku mbizotëron kalbësia dhe vjetërsia që nuk mund të meritojë asgjë tjetër veç dekoratës së mjerimit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ta pranojmë misionin shqiptar të Donald Lu deri në fund

Nga Ervis Iljazaj Sa herë që ambasadori i Shteteve të Bashkuara të...
Read More