Analiza në revistën Mapo: Droga që po lëkund qeverinë

Fenomeni drogë në Shqipëri dhe shifrat e frikshme të kultivimit dhe trafikimit. Çfarë ndodhi përgjatë vitit 2016-2017 me kanabizimin e vendit dhe imazhi negativ në arenën ndërkombëtare. Raporti i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve jep shifrën alarmante; një në tre të dënuar është i akuzuar për drogë. Në qeli vetëm trafikantët e vegjel… Raporti i politikës mbi fenomenin e drogës dhe injektimi i parasë së narkotikëve në ekonomi.

Nga Sebi Alla, Revista Mapo

Ushtarakë të lartë të NATO-s në vitin 2016, u “respektuan” në një udhëtim me helikopter nga Tirana në Bizë, aty ky zhvillohej stërvitje e përbashkët me komandën e ushtrisë sonë, dhe kur gjeneralët e huaj ulën kokën poshtë për të parë mrekullitë e natyrës shqiptare, sytë u ngjitën në parcela të tëra me kanabis. Heshtja mbuloi bordin dhe mendja fluturoi lart, sesi një vend anëtar i NATO-s ishte mbuluar nga droga. Ishte periudhë e mbarë për trafikantët dhe fort i mbrapshtë për pasojat me të cilën u përball vendi. Dy vite më pas, bilanci i dukshëm është: një ish-ministër i brendshëm, Saimir Tahiri, i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, disa ish-drejtues të lartë policie po me të njëjtën akuzë dhe një ministër aktual, si Fatmir Xhafaj, nën “akuzë morale”, pasi vëllai i tij është i dënuar në Itali për trafik droge. Kjo e keqe e madhe pati një të “mirë”, duke i dhënë ekonomisë një frymëmarrje të vogël, qoftë edhe nën duhmën e turbullisë së hashashit. Një pjesë e të ardhurave nga trafiku i lëndëve narkotike u injektua në ekonomi, ku sektori kryesor sipas ekspertëve është ndërtimi. Shkëlqimi i përkohëshëm u duk edhe nga zhvlerësimi i Euros, e cila vijon të mbetet e dobët para monedhës kombëtare dhe dollarit. Nëse do vendosej në peshore se nga cila anë anon paraja e drogës, ajo shkon në pjesën negative, pasi përveç kriminalitetit, po lë edhe një problem të madh social dhe imazh negativ për vendin, e parë në sytë e ndërkombëtarëve. “Hë, ka ardhur droga këtej nga ju? Drogë-drogë, drogë, po ku është kjo drogë, ajo gjendet vetëm në mendjen e mediave kazan dhe opozitës së trullosur”-thonte kryeministri Rama, në takim me banorë të zonave rurale, pak para fushatës elektorale të vitit 2017. Bima “çudibërëse” ndolli interesin e mediave të huaja prestigjioze të cilat zbarkuan në Shqipëri me dokumentarë të gjatë, pamje nga fushat me kanabis dhe shumë trafikantë që kishin të përbashkët vetëm një dëshmi: ‘30 % të fitimeve ia japim shefave të mëdhenj të policisë’. Rëndësi për qeverinë nuk kishte ajo çfarë shkruhej në media, vendase e të huaja, as “ulërimat” e përditshme të opozitës se vendi po kapej nga krimi dhe trafiku i narkotikëve. Në sallën e Pallatit të Kongreseve mbaheshin takime të gjata, pompoze, me dekor të përzgjedhur, kryesisht policë, djem të rinj me muskuj dhe vajza të reja të paraqitshme. Përballë, munitorët e mëdhenj, tregonin shifra e statistika sesi po “ç’rrënjosej” femomeni i kanabisit në vend. Ministria e Brendshme dha statistika se gjatë muajve shtator-dhjetor 2016 ishin asgjësuar nga policia mbi 3 milionë bimë narkotike kanabis sativa. Gjithashtu drejtues të lartë të Guardia di Finazza lëshuan deklarata që nuk kishte vesh t’i besonte; “janë shkatërruar 98% e drogës së evidentuar në territorin shqiptar”-thanë gjeneralët italianë. Duatrokitje në sallë dhe mjaftoi ky detaj që kryeministri Rama dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri të merrnin revansh…, por për një kohë të shkurtër. Sapo kaluan tre muaj nga fillimi i vitit 2017, kryeministri Edi Rama, si pasojë e presionit ndërkombëtar dhe të opozitës, largoi nga detyra Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. U duk qartë se problemi i kanabizimit të vendit këtë herë hëngri kokën e ministrit, që deri në ato momente Rama e konsideronte më të suksesshmin në radhët e kabinetit të tij. Zërat në korridoret e politikës ndërkombëtare shtoheshin gjithnjë e më shumë për një përfshirje të ministrit në trafikun e drogës. Kjo u bë fakt në tetor të vitit të kaluar kur në Itali Mosi Habilaj, kushëri i ish-ministrit të brendshëm u arrestua si koka i një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikun e narkotikëve. Në përgjimet e kryera nga Prokuroria e Katanias Habilaj dhe grupi i tij dëgjohet të flasin për lidhjen me ish-ministrin, dhurata për të dhe blerjen e makinës së famshme ish-ministrit, Audi me targa “AA 003 GB”. Vendi u kaplua në një “histeri kolektive” në kultivimin e kanabisit dhe kjo dukej qartë në çdo cep të vendit, por përfshirja deri në nivele të larta të politikës dhe policisë ishte ende një dyshim, që koha e tregoi se ka fakte për angazhimin e tyre në “biznesin” e kanabisit fitiprurës. Në vitet 2016-2017 kryefjala e diskutimeve në vend ishte pikërisht droga, që arriti të merrte vëmendjen edhe të ndërkombëtarëve. Ndërkohë, krejt në heshtje, por me të dhëna të frikshme ishte edhe trafiku i kokainës. Kapja e 613 kilogramë kokainë në Maminas të Durrësit, disa muaj më parë, është treguesi se grupet kriminale shqiptare po tentojnë tregjet ndërkombëtare, veçanrisht Anglinë, Italinë, Gjermaninë, Holandën dhe Spanjën. Përveç ndikimit në kriminalitet, kanabisi që u përhap frikshëm përgjatë vitit 2016 ka lënë pasojat edhe në qeverisjen aktuale. Në raportet ndërkombëtare lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (ku një zë të veçantë ka trafiku i drogës), janë kriteret për tu plotësuar. Nga ana tjetër brenda vendit opozita është në betejën e përditshme, duke denocuar sipas saj lidhjet e drejtuesve të mazhorancës në trafikun e lëndëve narkotike.

 

Itali e mbytur me kanabisin tonë

Sasia e drogës së kultivuar ishte në përmasa të frikshme përgjatë vitit 2016 dhe kjo u tregua edhe nga tonelatat me drogë që u kapën në brigjet italiane. Thuajse çdo ditë bllokoheshin gomone me kanabis, duke alarmuar vendin fqinj, e cila dërgoi me urgjencë në Shqipëri prokurorët më të mirë antimafia dhe zyrtarë të lartë të ministrisë së brendshme. Vetëm në rajonin e Puglias, Guardia di Finazza dhe policia lokale për vitin 2017 sekustroi 36 ton kanabis. Gjithashtu Policia Financiare puglieze informonte se në vitin 2017 janë sekuestruar 26 mjete lundrues dhe arrestuar 52 skafistë. Kjo është vetëm një zonë e vendit tonë fqinj që konsiderohet se zbarkimi i parë i drogës që mbërrin me gomone, por forma e trafikut nuk ishte vetëm nëpërmjet rrugës tradicionale me skafe. Porti i Durrësit dhe i Vlorës mbasin dy pikat kyçe ku trafikantët kaluan tonelata me kanabis, kjo edhe nga një “shleje syri” nga krerë policie dhe autoritetet portuale. Ndërs rastet për tu përmendur, që tregon bashkëpunimin e trafikantëve me zyrtarë policie ishte edhe kalimi i një trajleri me 8 ton kanabis. Deklaruan se u kontrollua me imtësi, por këtë sasi kaq të madhe nuk kishin dëshirë ta shihnin, droga u zbulua sapo mbërriti në portet italiane. Nga ana tjetër Shërbimi Informativ Shtetëror nuk qëndroi i mbyllur në zyra dhe nisi raporte të njëpasnjëshme pranë kryeministrit dhe kreut të shtetit, mbi të dhënat dhe faktet e siguruara se mbi 170 drejtues të policisë ishin drejtëpërdrejtë të lidhur me trafikun e narkotikëve. Këto të dhëna të SHISH sollën përplasjen e pashmangshme mes ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe kreut të institucionit të shërbimit sekret Visho Ajazi Lika. Ishte koha kur shumë flitej për kanabizimin e vendit, por pak pranohej. I pari ministër që doli publikisht kundër fenomenit të kanabisit dhe kërkoi të përfshihej ushtria në luftën kundër kanabisit qe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, përfaqësues i LSI-së. Kjo deklaratë i kushtoi largimin nga detyra, sepse për qeverinë ishte ende ligjërata: “nuk ka drogë në nivele shqetësuese, policia po e lufton këtë fenomen”… Krejt ndryshe na renditnin raportet ndërkombëtare. Qendra Evropiane për Drogën shfaqi disa shqetësimet në raportin e vitit 2017. “Shqipëria është një vend ku prodhohet kanabis. Përfituesit kryesorë të kanabisit shqiptar janë vendet fqinjë në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian. Duke qenë pjesë e daljes jugore të rrugës ballkanike, Shqipëria është vend tranzit për trafikimin e heroinës. Rrugët kryesore të përdorura për transportimin e heroinës janë Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri dhe Turqi-Bullgari-Maqedoni-Kosovë-Shqipëri”-thuhet në raport. Një draft i ngjashëm edhe me vitet e tjera, por tonelatat me kanabis që vinin nga Shqipëria përgjatë periudhës 2016-2017 dhe kapeshin kryesisht në Itali dhe Greqi, alarmuan këta dy vende të cilat u detyruan të përforëcojnë kontrollin kufitar. Dhe nuk dolën duarbosh… në dy muajt e fundit të vitit 2016 dhe gjatë vitit 2017 janë sekustruar në Itali dhe Greqi rreth 150 ton kanabis që vinte nga Shqipëria. Shifrat alarmante dhe fuqizimi i grupeve kriminale shqiptare në këto shtete detyruan krerët e prokurorive të antimafias të mbërrinin disa herë në Shqipëri me dosje konkrete dhe me plan mbi mënyrën e luftës ndaj trafikut të lëndëve narkotike. Në shumë raste takimet dhe diskutimet shtroheshin në “godinën gri” në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe të Përgjithshme, duke shmangur sa më shumë strukturat e policisë shqiptare dhe drejtuesit e ministrisë së Brendshme. Ekzistonin dyshime se grupe të fuqishme kriminale mbanin lidhjet e tyre në polici dhe kjo bëri që të dështonin disa operacione të mëdha në bllokimin e drogës dhe arrestimin e kokave të trafikut. Italia kaloi në planin tjetër operacional, duke shtuar patrullimet në det dhe rritur personelin antidrogë në pikat portuale. Gjithashtu edhe Greqia mori masat e saj teksa dyfishoi kontrollet në kufi dhe dërgoi deri efektivë të forcave special në brezin kufitar më Shqipërinë, ku sasi e madhe droge tentohej të kalonte në rrugë tokësore përmes kalimit ilegal.

 

Në burg trafikantët e vegjël dhe kultivuesit

Në raportin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të prillit të këtij viti, statistikat e të dënuarve me vendim të formës së prerë për kultivim dhe trafikimim të lëndëve narkotike mbesin mëse të frikshme. Një në tre të persona që ndodehet në burg, është i dënuar për kultivim ose trafikim droge. Nga 3163 të dënuar me vendim të formës së prerë, 1016 të burgosur po qëndrojnë në qeli për çështje droge. Gjithashtu edhe dhomat e tejmbushura të paraburgimit, janë po aq shqetësuese. Gjithsej ndodhen 2353 të paraburgosur, prej të cilëve 729 të akuzuar për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Në mesin e 1745 të dënuarve dhe paraburgosurve është e vështirë të gjesh drejtues të këtyre grupeve kriminale të trafikut të drogës. Në qelitë e errëta ndodhen kryesisht kultivues, trafikantë të vegjël dhe shpërndarës të lëndëve narkotike. Pavarësisht aksioneve policore pompoze, krerët e grupeve kriminale që veprojnë në Shqipëri, vijojnë të jenë të lirë. Edhe në rastet kur autoritetet e huaja, kryesisht të drejtësisë italiane kërkuan arrestimin e disa prej krerëve të organazatave kriminale që jetojnë në Shqipëri, operacionet e policisë sonë kanë dështuar. Në rastet e tjera më “fatlume”, disa emra të njohur të botës së krimit janë arrestuar për llogari të palës italiane, por gjykatat shqiptare me vendime të dyshimta kanë vendosur që “të fortët” e drogës të mos ekstradohen, madje të lihen sërish të lirë. Nga ana tjetër, ligji antimafia u duk sikur po jepte rezultatet e saj, pasi të dënuar për trafik të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kalonin edhe në verifikim pasuror. Hetimet për identifikimin e aseteve të siguruara në mënyrë të paligjshme konsiderohen nga prokuroria si mjaft të vështira, për shkak të kamuflimit të tyre. Edhe në rastet kur është kërkuar sekuestro konservative, gjykatat në rreth 80 për qind të çështjeve, kanë rrëzuar institucionin e akuzës, po nëpërmjet vendimeve të dyshimta.

 

Hashash dhe ekonomi

Tonelata me hashash u kapën në Itali, Greqi dhe Shqipëri, por një pjesë e madhe e saj ka mundur që të trafikohet. Iku hashash dhe u kthye Euro… Për një kohë të gjatë edhe ekspertët më të mirë të ekonomisë në vend nuk e shpjegonin dot faktin sesi në tregun shqiptar të valutës kishte një sasi të madhe Euro. Kjo solli zhvlerësimin e saj në kursin e këmbimit, pasojat e së cilës ndikojnë nëgativisht, kryesisht për eksportuesit vendas. Një pjesë e mirë e parave informale, konkretisht nga droga, dyshohet se janë futur në ekonominë shqiptare, duke zënë vend në oazin e preferuar, industrinë e ndërtimeve. Përgjatë vitit 2016-2017, në kulmin e kultivimit dhe trafikimit të drogës pati rritje të numrit të lejeve të ndërtimit, kryesisht pallate. Një pjesë e ndërtuesve që deri tre vjet më parë rendeshishin nëpër banka për të kërkuar kredi, në dy vitet e fundit patën mundësi që tu “ofroheshin” individë të cilët investonin në para cash. Këto vlera monetare vinin nga kanale informale por si mungesë e kontrollit arritën të futeshin në ekonomi. Zonat më të preferuar për ta kthyer paranë në asete mbeti ngritja e objekteve të shërbimit apo hoteleri, kryesisht në bregdet. Edhe pse mungojnë studime të mirëfillta, disa kompani dhe studio ekonomike, janë mundur për të dalë në përfundimin se të ardhurat e vlerësuara nga droga llogariten në rreth 10 për qind të PBB se së 2016 ose e përkthyer në vlerë kap shifrën e rreth 1.5 trilionë lekë. Në vendin tonë, dy treguesit indirekte më të dukshëm për rritjen e sasisë së valutës në qarkullim nga ekonomia kriminale janë ecuria e kursit dhe fluksi i ndërtimeve. Pa motive të qarta dhe në tendencë të kundërt me tregjet ndërkombëtare, Euro është zhvlerësuar ndjeshëm këtë vit, duke u luhatur ende afër nivelit më të ulët të 10 viteve të fundit. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit në 6-mujorin e parë të 2017-s shënoi një rritje vjetore me 82%, duke kapur shifrën e 298 lejeve ndërtimore, një phjesë e mirë komplekse të mëdha. Gjithashtu, kjo tendencë ka vijuar edhe në gjysmën e dytë të vitit të kaluar dhe muajve që jemi në vijim. Një pjesë e madhe e financimit vjen nga jashtë kanaleve bankare. Ndonëse ekonomisë i dha një “zhvillim” të përkohëshëm, droga e kultivuar dhe trafikuar, po lë pasojat e saj në dilemat e integrimit të vendit drejt BE-së, kriminalizim dhe situatë konfliktuale politike. Shtatori i ardhshëm përveç “freskisë së motit”, mund të sjellë zhvillime të reja politike, me ndryshime rrënjësore të kabinetit qeveritar dhe lëkundje të qeverisë, pasojat e së cilës po u vuan pikërisht nga tolerimi i kanabizimit të vendit dy vjet më parë dhe fuqizimi i grupeve kriminale, që në disa raste patën jo vetëm mbylljen e syve nga strukturat e shtetit, por edhe një “dorë” që i përkëdheli…

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zgjedhjet në Gjermani konfirmuan projektin europian, por dhe rrezikun e tij

Nga Ervis Iljazaj Angela Merkel është rikonfirmuar për herë të katërt si...
Read More