Arben Çejku: Letërsia ka hyrë në një tranzicion vlerash


Intervista MapoLetrare – Arben Çejku ka botuar librin e tij të parë poetik “Floknaja e muzgut” në vitin 1996. Më vitin 2013-të ai boton romanin “Dymbëdhjetë”, një vepër novatore për nga stili e rrëfimi në prozën shqipe. Një histori e cila mund të jetohet nga secili prej nesh në një hapësirë të re komunikimi ku shpesh përfshihemi. E tillë është dhe historia e personazhit kryesor Lek Drinit, i cili merr një jetë të re përmes Facebookut.

Legjenda shqiptare thotë se Konstandini u ngrit nga varri që të përmbushte amanetin e së ëmës për t’i sjellë Doruntinën, kur atë ta merrte malli. Është pikërisht malli ai që nxit vëllain e Lekës për të nisur një aventurë, që për pak do t’i kushtojë shtrenjtë. Ai e “ringjall” Lekën përmes “Facebook”-ut dhe për çdo ditë e ushqen jetën virtuale të vëllait duke gërryer botën reale të vetes dhe të miqve, duke përfshirë edhe familjen e tij.

Sa më i gjallë e i përditshëm bëhet Leka, aq më ndjeshëm transformohet dhe vuan vëllai i tij. Por në lojë tashmë kanë hyrë edhe të tjerë. Vallen e heq Eda, një vajzë e pafajshme dhe bukuroshe, e cila pasi njihet me “princin” e saj, përjeton një sërë të papriturash befasuese. Me angazhimin e tij në diplomaci Çejku flet rrallë për letërsinë dhe pse çdo ditë ndërton jetën përmes saj. Më poshtë ai u përgjigjet pyetjeve për MapoLetrare.  

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?  

Është një pyetje shumë e vështirë. Si mund të ndash një roman si më i miri i të gjitha kohërave, kur njësh me të mund të jenë edhe disa të tjerë? Ka romane të periudhës së klasicizmit që vezullojnë, ashtu siç shkëlqejnë ato të periudhës së romantizmit, apo ato që u përkasin shkrimtarëve të brezit të humbur, të realizmit magjik apo edhe të letërsisë bashkëkohore. Megjithatë, “Dashuri në kohën e kolerës”, romani i gjeniut Gabrial Garzia Markez, për mua mbetet një kryevepër e artit të të shkruarit letërsi moderne.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave? 

As nuk e vë në dyshim që, të parat janë tregimet e moçme shqiptare bazuar në “Eposin e Kreshnikëve”, tregimet e Mitrush Kutelit dhe, sigurisht tregimet (novelat) e shkruara nga Stefan Cvajg dhe Çehovi. Natyrisht, kur është fjala për tregimet, ato janë me qindra dhe u përkasin autorëve dhe kulturave të ndryshme. Të papërsëritshme, p.sh. janë edhe disa tregime të gjata të shkruara nga Tolstoi dhe Gogol apo novelat e shkurtra të Franc Kafkës.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot? 

Po ndalem tek letërsia shqipe. Vlerësimi im mund të jetë subjektiv dhe nuk do ishte shumë korrekte të bëja një listë. Fakt është që letërsia dhe arti në përgjithësi kanë hyrë në një tranzicion vlerash. Në epokën e komunikimit digjital, letërsia është vënë në sprovë dhe në përpjekje për t’iu përgjigjur brezit të ri, është zhvendosur nga aksi i saj klasik, në një fushë me tendenca komerciale, në kërkim të një profili të ri bashkëkohor dhe utilitar. Sot, p.sh., thuajse në të gjitha promovimet e librave ku kam marrë pjesë, nuk është thënë asnjë mendim kritik për veprën, në kuptimin e vlerësimit profesional.

Të rralla janë rastet, kur shkrimtarëve u dalin djersë përballë publikut. Një roman, novelë apo çfarëdo vepër artistike, e ka shumë të vështirë të bëjë lajm aq të bujshëm, sa njerëzia të kthejnë kokën. Kjo do të thotë se kambanat e alarmit për krijuesit e mirëfilltë kanë rënë prej kohësh. Ne duhet të mendojmë thellësisht për rëndësinë e cilësisë së krijimit, sepse vetëm vepra realisht cilësore do të mbijetojnë. Në lumin e botimeve pa kriter dhe pa seleksionim paraprak nga shtëpitë botuese apo botimet individuale, sot në të rrallë të zë syri ndonjë vepër të mirëfilltë.

Unë nuk e di si do duhej bërë, por ekzistenca e një bordi kritik, e një filtri përzgjedhës, do t’i bënte mirë edhe rrjetit të shtëpive botuese, edhe autorëve por, sidomos lexuesit, i cili përballë suliçitit të titujve, e ka të vështirë të përzgjedhë veprën që duhet të lexojë. Janë një seri emrash që, pavarësisht vështirësive që përmenda dhe ato që lashë pa përmendur, përpiqen të mbajnë ndezur pishtarin e risive letrare, në një kohë të vështirë si kjo që po kalojmë. Mes tyre zënë vend Ismail Kadare, Besnik Mustafaj, Agron Tufa, Zija Çela, Flutura Açka, Ylljet Aliçkaj, Mira Meksi, Preç Zogaj, Rudi Erebara, Virgjil Muçi, Luan Rama, Diana Çuli, Ben Blushi, Veton Surroi, Mehmet Kraja, Virion Graçi, Ahmet Prençi, Islam Çenga, Çun Lajçi, Mimoza Ahmeti, Kim Mehmeti, botimet e periodikut “Illz” etj.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni? 

Që në fillim jam edukuar që të lexoj çdo gjë të botuar. Në vitet ’80 –’90 e kam pasur mundësinë, që përveç librave që merrja nga bibliotekë, të lexojë të gjithë periodikun e botimeve letrare të asaj kohe, si “Drita”, “Nëntori”, “Teatri”, “Gjuha Jonë” etj. Ajo ka qenë një periudhë shumë e rëndësishme për mua, pavarësisht kornizës ideologjike, që kishin disa vepra. Letërsia në atë periudhë kishte nisur tendencat e saj drejt shkëputjes nga skematizmi ideologjik dhe partiak, ndërkohë që letërsia e Kosovës dhe poezia arbëreshe ishin një risi për mua. Letërsia e përkthyer ishte po ashtu një komponent shtesë në strukturën e ushqimit shpirtërorë.

Edhe sot, përpiqem të përzgjedh vepra të mira, krijime që sjellin vlera dhe risi. Më ndodh që shpesh herë t’u rikthehem librave që kam lexuar dikur, në vend që të eksperimentoj me botime që janë debutime sporadike dhe amatoreske. P.sh, gjatë kësaj vere, krahas dy tre librave të rinj, rilexova “Papa jeshil”, të Asturias dhe po vija re një dallim të madh mes letërsisë së prodhuar shekullin e kaluar me atë që bëhet sot. Megjithatë, ashtu siç ndodh me këngët, ndodh dhe me librat. Me kalimin e kohës, secila merr vlerat e veta dhe i mbijeton sfidës së artit të vërtetë.

Brenga më e madhe e imja është ajo që ka thënë edhe Balzaku, sipas të cilit njeriu edhe sikur të lexojë gjithë jetën, nuk mund të lexojë më shumë se njëzetepesë mijë libra. Pra, sado që të përpiqemi të lexojmë, përsëri, koha nuk na jep mundësinë të lexojmë çfarë duam. Sa herë që shkoj në panaire apo librari të mëdha në vend apo jashtë tij, janë me qindra tituj që më pëlqejnë t’i marr dhe nuk arrij dot.

Gjithsesi, jo vetëm ai që është krijues, intelektual, studiues etj., por çdo kush tjetër duhet të lexojë nga pak çdo ditë. Shifrat e bëra publike pak kohë më pare, për rënien drastikë të numrit të lexuesve dhe atyre që e prekin librin me dorë, tregon se një nga shkaqet pse shoqëria jonë sot është në krizë, është pikërisht se ne kemi burgosur librin!

Duke lënë librin në burg dhe duke menduar se mjafton liria jonë fizike, kemi gabuar. Dikur, ne si shoqëri, ishim në një burg të madh politik, por idetë përpiqeshim t’i qarkullonim mes nesh dhe ishim një shoqëri që kërkonim dritën. Sot, që e kemi lirinë, ndjehemi të mjaftuar dhe po krijojmë gjithnjë e më shumë distancë nga libri dhe leximi i tij. Prandaj, për fat të keq, jo vetëm kultura e komunikimit është varfëruar bashkë me leksikun që përdoret në diskutime, por edhe në tregun e ideve ka një varfëri të madhe. Edhe debatet politike, më së shumti janë përqendruar tek vlera e pushtetit dhe jo tek rëndësia e shtetit, ashtu sikundër në vend të ideve diskutohet për persona. Unë mendoj se sa më shumë t’i largohemi librit, sa më shumë ta lëmë atë të zërë pluhur, aq më gjatë do ta vuajmë tranzicionin si shoqëri.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja? 

Mund të jenë disa, por jo aq shumë sa do të dëshiroja të ishin. Shumë tituj që kam lexuar, dikur i merrja nga bibliotekat e kohës dhe i kam kthyer. Pastaj varet nga shijet dhe interesat që ka secili lexues. Megjithatë, në përgjigje të pyetjes tuaj, do përmendja dy libra, që në fakt janë dy drama poetike në vargje.

Njëra është “Sakuntala” e shkrimtarit indian, Kalidasa, një prej emrave më të shquar të letërsisë dhe dramaturgjisë së shkruar në gjuhën sanskrite në shekullin VI të erës sonë. Ai u bë i njohur në Europë vetëm në vitin 1789, kur “Sakuntala” u përkthye në anglisht. Kalidasa ndikoi tek shumë gjeni të artit krijues europian, përfshi edhe Gëten e madh, i cili thoshte se “Kalidasa qe për të një prej yjeve që ja bëri netët më të ndritura se ditët”. Gëte u ndikua prej kësaj vepre edhe kur shkroi “Fausitin”, sidomos për hyrjen në skenë të personazheve… Në Shqipëri kjo vepër e përkthyer nga Skënder Luarasi, u botua në vitin 1958. “Sakuntala” është një dramë epike e dashurisë së mbretit me një vajzë të thjeshtë dhe të bukur.

Libri tjetër është “Mehnemët”, një komedi e shkruar nga Plauti, përkthyer nga Henrik Lacaj dhe botuar në Shqipëri në vitin 1959. Titus M. Plauti, ka jetuar nga viti 254 – 184 para erës sonë dhe është një nga themeluesit e komedisë së kohës romake. Ashtu si Shekspiri u ndikua nga Plauti, edhe vetë Plauti ishte ndikuar nga Aristofani.. Komedia “Mehnemët” është historia e dy binjakëve, e cila zhvillohet kryesisht në Durrës.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer? 

Me imagjinatën time, heronjtë kryesorë që jam përpjekur t’i shoh si të gjallë kanë qenë dhe mbeten ato që vijnë nga letërsia jonë tradicionale, e bazuar tek këngët e Kreshnikëve, ku zanat i shoh më të bukura, më të gjalla dhe më të veçanta se askund tjetër në letërsinë që kam lexuar. Heronjtë shqiptar si Gjergj Elez Alija, Muji dhe Halili etj, janë vetvetiu të gjallë dhe frymëzues nga çdo këndvështrim. Skënderbeu është një hero sa kombëtar aq edhe letrar, që rri krah tyre plot dritë dhe hijeshi. Janë me qindra vepra letrare evropiane për këtë hero të mesjetës.

Nga letërsia e huaj, heroi që mbetet madhështor në imagjinatën time është Prometeu i Eskilit. Ai u dënua nga Zeusi dhe u lidh në shkëmb vetëm sepse u dha zjarrin njerëzve! Sa e sa qytetarë, intelektualë, shkrimtarë, poetë, burshtetas kanë vujatur dhe vuajnë si Prometeu në përditshmërinë e angazhimit të tyre, me qëllimin e mirë për t’u dhënë më shumë liri, drejtësi dhe barazi njerëzve? Vuajtja fisnike e Prometeut, ka qenë dhe mbetet frymëzim për mua!

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer? 

Në fëmijërinë e hershme nuk kam pasur mundësi të lexoj libra, përveç atyre të shkollës. Në periudhën e gjimnazit dhe në vazhdim kam nisur të lexoj intensivisht dhe ka qenë kryesisht letërsia e prodhuar në vitet ’70 dhe ’80. Isha anëtar i bibliotekës së Shijakut dhe më është bërë favor që të merrja çdo të diele nga tre katër libra. Për shkak se nuk kishte fotokopje, unë kam kopjuar me dorë qindra faqe shënimesh dhe poezish, të cilat doja t’i kisha pasi të dorëzoja librat. Ka qenë një periudhë e jashtëzakonshme dhe, pikërisht atëherë unë nisa të shkruaj edhe vetë poezitë e para. Kam lexuar komplet veprën e Gorkit, të gjitha librat e botuar të Balzakut, të Shekspirit, Hygoin, Homerin, Komedinë Hyjnore të Dantes, Eskilin, Teodor Drajzer, Lermontov, Gogol, Gëte, Dikens, Zola, Molier, Tolstoj, Nël, Markez, Neruda, Remarkun, Çehov, Ibsen, Kalvino, Asturias, Nazim Hikmet, Jashar Qemal, Sofokliu, Euripidi, Kafafis, Seferis, Poezite e Kosovës, poezi arbereshe dhe pothuajse të gjithë autorët shqiptarë. Lista e autorëve të mi të parapëlqyer është më e gjatë se kaq..

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër? 

Po, kur kam lexuar fshehurazi “Lahutën e Malsisë” të Gjergj Fishtës dhe disa libra të tjerë, që mezi arrija t’i fusja në dorë. Në kohën time, nuk ishte thjeshtë e modës të gjeje dhe të lexoje libra të “verdhë”, por ishte edhe tendencë. Problemi ishte të gjeje personin dhe kohën e duhur për të futur në dorë një libër të tillë. Ashtu siç konsideroheshin “të prekur politikisht”, të gjithë ata persona dhe familje, që ishin të internuar apo të burgosur, po ashtu konsideroheshin “të verdhë” edhe autorë dhe vepra të caktuara. Kontakti me të “prekurit” dhe bisedat me to, ishin po aq të rrezikshme dhe nën vëzhgim, siç ishte kontakti me një vepër të ndaluar. Secila në vetvete përbënte një “shkelje” ideologjike dhe gabim politik që pasohej me dënimin. Kur e sheh listën e librave të ndaluara, për të cilat dje mund të hyje në burg dhe sot, nuk gjen lexues për to, ndjen dhimbje. Ka njerëz që janë burgosur pse kanë lexuar një autor të ndaluar! Sot, ky autor rri në vitrina në pritje të lexuesit të ri, ndërkohë që një ish-i dënuari politik, që e pësoi për të, ecën përbri librarisë me brengën e vuajtjes së një dënimi absurd.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai? 

Nuk bëhesh me një libër, cilido qoftë ai. Janë disa libra që më kanë ndihmuar. Janë mësuesit, së pari dhe më pas shkolla.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju? 

Romani “Dymbëdhjetë”, mendoj se është një arritje jo thjeshtë për mua, por nga vlerësimet e deritanishme të kritikëve, përbën një arritje modeste për vetë letërsinë shqipe.

Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai? 

Meqenëse presidenti nuk ka shumë kohë për të lexuar letërsi, do i sugjeroja libërthin “Apologjia e Sokratit” të shkruar nga Platoni. Në pak faqe, kjo kryevepër përcjell fuqinë e moralit dhe ligjit dhe raportin e shpirtit me materien, të cilat mishërohen tek figura e Sokratit, si një parathënie biblike për atë që do të thuhej më vonë për Krishtin dhe profetët e tjerë. Në këtë kryevepër mishërohet raporti i qytetarit me ligjin, moralin dhe shtetin, ndërsa mesazhet janë aktuale edhe sot.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar? 

Nuk kam planifikuar një darkë të tillë, por në ditët në vijim do të takoj disa prej tyre.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar? 

Duket si anti-reklamë, por ka libra që nuk të mbajnë “lidhur” nga fillimi deri në fund. Janë disa që reklamohen shumë në media dhe kur nis e shfleton, zhgënjehesh. Meqë është sensitive, nuk po përmend autorë dhe tituj këtu, sepse mund të jem edhe subjektiv.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?  

Sigurisht, që Simon Montefiore, do të ishte më i miri. Ai ka shkruar disa libra të mrekullueshëm, por “Jeruzalemi”, është një kryevepër, që më ka vënë më mendime.

 Te cilët libra ktheheni vazhdimisht? 

Tek letërsia klasike dhe emrat e saj të mëdhenj. Nuk ka rëndësi se në çfarë gjinie janë të shkruar, në prozë, poezi, dramë poetike etj. Edhe në letërsi, ndonjëherë ndodh si me artin figurative. E pëlqejmë artin modern dhe bashkëkohor, por, kur futemi në galeri arti, mbetemi gjatë dhe rikthehemi tek kolosët e Rilindjes evropiane. Kam frikë se letërsia e shkruar nga Hygo, Balzak, Gëte, Dante, Shekspir, Tolstoj, Dikens, Gollsuorthi, Dostojevski, Remark, Bël, Drajzer, Kamy etj, vështirë se mund të përsëritet më. Ndonjëherë duket sikur letërsia është shkruar një herë e mirë nga këto gjeni dhe, gjithçka që vjen më pas, është një përsëritje e tyre. Por, gjithsesi, ka edhe prurje e surpriza, pa të cilat arti i shkruar do të mbetej i mangët. Aktualisht jemi në epokën e komunikimit intensiv, ku edhe procesi i shkrimit edhe procesi i leximit duken në krizë.

Dikur, shkruanin pak njerëz dhe lexonin miliona të tjerë, ndërkohë që sot, shkruajnë miliona njerëz (pjesë e rrjeteve sociale dhe komunikimit masiv) dhe lexojnë vetëm disa dhjetëra mijëra. Besoj se, letërsia do të mbijetojë si e tillë, sepse është si ai vaji i motorit për makinat, pa të cilin ato digjen.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende? 

“Uliksi” të Xhejms Xhojs, “Krim dhe ndëshkim” të Dostojevskit dhe “Panairi i kotësive”, të Uilliam Theker.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër? 

Po lexoj “Sheshi dhe kulla…”, shkruar nga Nail Ferguson, që mendoj se duhet të përkthehet në shqip. Është një libër i shkruar me mjaft stil dhe ka mjaft vlera informuese lidhur me rëndësinë që kanë pasur dhe kanë në jetën e përditshme lidhjet dhe marrëdhëniet mes personave dhe grupeve të caktuara, që nga Masoneria deri tek facebook dhe rrjetet e tjera.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Trump do të takohet me Kim Jong Un? Por shikoni çfarë thotë Shefi i CIA-s për këtë…

  A do të sjellë një zgjidhje diplomatike të problemeve apo gjërat...
Read More