Arbi Agalliu: Rritja e pagës minimale, efekte pozitive në ekonomi

Administratori i Universitetit Europian të Tiranës Arbi Agalliu ka promovuar librin “Rritja e pagës minimale në ekonominë shqiptare” nga botimet UET PRESS në praninë e personazheve të njohur nga fusha ekonomike. “Rritja e pagës minimale nuk do të thotë shpenzim buxhetor i tepërt, as shpenzim i kotë i sektorit privat, por do të thotë të ndikosh pozitivisht te rritja ekonomike nëpërmjet solidaritetit dhe motivimit”, u shpreh Agalliu. Engjëll Pere i cili ka bërë dhe parathënien e librit u shpreh se “Libri trajton një çështje mjaft sensitive si në fushën ekonomike ashtu edhe në atë sociale: rritjen e pagës minimale në vendin tonë”.

Pavarësisht nga qëllimi dhe strukturimi i punimit, ai ka në sfond një prej politikave ekonomike mjaft të rëndësishme, sikurse është ajo e pagave. Ndërsa janë të njohura analizat rreth politikave të tilla si ajo fiskale dhe monetare, si në rrafshin teorik ashtu edhe në atë praktik, pak punime dhe analiza konkrete ka në vendin tonë rreth politikës së pagave, parë kjo si një instrument i rëndësishëm i ndërhyrjes së shtetit në ekonomi. Në përgjithësi punime apo diskutime rreth pagave dhe nevojës së rritjes së tyre, synojnë ta trajtojnë këtë element kryesisht në aspektin social apo të mirëqenies ekonomike midis shtresave të ndryshme të popullsisë.

Punimi i paraqitur e analizon dhe e trajton këtë aspekt në një fokus të ri, duke e parë pagën si një instrument specifik të politikave ekonomike dhe për më tepër në funksion të qëllimit kryesor të tyre: rritjes ekonomike”, tha Pere. Sipas tij, është e qartë se paga, qoftë edhe ajo minimale, nuk është vetëm një kategori e rëndësishme ekonomike, por lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien dhe aspekte të rëndësishme sociale.

“Libri kufizohet kryesisht në një element të rëndësishëm: lidhjen midis pagës minimale dhe rritjes ekonomike. Objekti kryesor i analizës është argumentimi i idesë se rritja e pagës minimale do të ndikojë pozitivisht edhe në rritjen ekonomike. Për trajtimin e këtij qëllimi autori ka ndërtuar një strukturë organike të punimit, e cila ndjek mirë një metodologji argumentuese. Në këtë këndvështrim materiali dhe kapitujt paraqiten realisht në tri pjesë kryesore.

Fillimisht autori ka trajtuar në mënyrë të qartë objektin e studimit, organizimin e tij, metodologjinë e ndjekur, strukturën etj., më pas është trajtuar gjerësisht literatura përkatëse, e cila analizon ndikimin e politikave të pagave si një instrument i rëndësishëm i stabilitetit dhe rritjes ekonomike, ndërsa në pjesën e tretë, që zë një vend të konsiderueshëm në përmbajtjen e punimit, trajtohet një model ekonometrik në studimin e lidhjes korrelative midis pagës minimale dhe rritjes ekonomike”, u shpreh Pere. Libri jep një kontribut për ata që merren me hartimet e strategjive ekonomike.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Një e ardhme e artë turistike e pret ishullin misterioz shqiptar

Dikur i izoluar dhe shtëpi e personelit ushtarak, ishulli i Sazanit po...
Read More