Artan Shkreli në forumet UET: Teatri, një çështje komplekse, për të cilën nuk mund të ketë një qëndrim bardhezi

I ftuar në një bashkëbisedim me studentë e pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës, si pjesë e Forumeve UET, nën moderimin e shefes së Departamentit të Komunikimit Belina Budini, arkitekti dhe zv.ministri i Energjetikës e Infrastrukturës Artan Shkreli ka diskutuar për çështjet e arkitekturës në Shqipëri, si dhe ka prekur temën e shumëpërfolur të shembjes së Teatrit Kombëtar.

Ai ishte edhe i ftuari i parë me ekspertizë në fushën e arkitekturës, në forumet UET, në kuadër edhe të hapjes së Fakultetit më të ri, atij të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës. Pikërisht kjo iniciativë e Universitetit Europian të Tiranës, është cilësuar nga Shkreli si një risi dobiprurëse për të gjithë shoqërinë shqiptare.

“Unë uroj që këto degë të reja që janë hapur, të kenë një të ardhme të tyren, në të mirën e studentëve dhe në të mirën e vendit dhe natyrisht të ndihmojnë edhe në lulëzimin e këtij universiteti që tashmë ka një histori të vetën shumë të rëndësishme në arsimin shqiptar. Thënë kjo, do shtoja që është një lajm shumë i mirë që hapet një fakultet i ri arkitekture dhe sidomos për një vend si Shqipëria ku ne akoma nuk kemi ezauruar deri diku mungesën e madhe teorike dhe praktike të zhvillimit urbanistik e për rrjedhojë dhe të arkitekturës në këtë vend si rezultat i një vonese historike që është ekzemplare në Europë. Këtu ne e kemi shumë kollaj të gjejmë fajtorët, t’ua vëmë fajin pushtuesve, t’ua vëmë fshatarëve, t’ia vëmë klasës politike etj., por pavarësisht fajtorëve dhe atyre që s’janë fajtorë, besoj që hapja e një fakulteti të ri do shënojë edhe një vizion të ri për sa i përket kësaj disipline. Është e pamundur që të hapet një gjë e re, dhe të mos sjellë një gjë e re me hapjen e saj”, ka thënë ai.

Artan Shkreli është i njohur për aktivizimin e tij të dikurshëm, në shoqërinë civile, në lidhje me problematikat që kanë të bëjnë me ekspertizën e tij. Së bashku me një grup kolegësh, ai është bërë shpesh pjesë e debateve si dhe iniciues i fushatave të ndryshme për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore ndër vite. I pyetur në lidhje me “heshtjen” këto vite të fundit ai është përgjigjur se kjo vjen si pasojë e etikës që shoqëron pozitën e një nëpunësi publik.

“Në momentin që kemi marrë një detyrë shtetërore, për arsye të etikës së nëpunësit nuk mundet dot të jesh “lakuriq nate”, të jesh edhe mi edhe zog. Ose do bëhesh nëpunës shtetëror dhe do jesh përgjegjës për detyrën që mbulon, me përgjegjësinë e lartë, ose përkundrazi do bësh kritikun e politikave të qeverisë nga jashtë duke u munduar që të sensibilizosh sa më tepër opinionin publik por edhe qeverinë për këto gjëra. Kjo nuk do të thotë që ne heqim dorë nga angazhimi për të mbrojtur ato gjëra që kemi mbrojtur dikur. Vetëm se kjo tani bëhet në një rrafsh tjetër, nuk bëhet publikisht. Debatet tona zhvillohen në tavolina më të mbyllura, në nivele edhe më të larta, me pro-të dhe kundrat .. ju siguroj që një gjë e tillë bëhet, sepse është pjesë e bindjes e njeriut. Pastaj është në varësi të ndërgjegjes së secilit, nëse dëshira për këtë ‘militantizëm’ është më e madhe se ajo që mund të arrijë brenda strukturave, për të dalë jashtë dhe për ta zhvilluar më tej këtë aktivizëm në nivelin e shoqërisë civile”, ka thënë ai duke argumentuar në këtë mënyrë mosprononcimin e tij në lidhje me çështjet e ndryshme të këtij karakteri që janë shfaqur këto kohë.

Edhe qëndrimin e tij asnjanës në lidhje me çështjen e shumëpërfolur të këto kohëve, atë të Teatrit Kombëtar, Artan Shkreli e argumentoi në të njëjtën mënyrë, duke u shprehur se pozita e tij si nëpunës shtetëror e “detyron” t’i shohë çështjet në një tjetër këndvështrim.

“Nëse unë do të isha sot në ato kushtet e një njeriu të shoqërisë civile, unë me papërgjegjshmërinë e ligjshme që i takon një njeriu në atë pozicion, do thoja ‘gjeni lekët ku të doni, restauroni këtë teatër që është’. Unë këtë nuk e them dot në pozicionin që jam. Po unë jam, i njëjti person, por është i rëndësishëm pozicioni i një njeriu që ka një detyrë ku është i ‘detyruar’ ta shohë një çështje më gjerë sesa e sheh kur ka vetëm një angazhim specifik”, ka thënë ai.

Ndërkohë që për sa u përket ‘sulmeve’ që i janë drejtuar për shkak të heshtjes së tij ai përgjigjet se qëndrimi i tij është etik. “Heshtja nuk është domosdoshmërisht aprovim për prishjen sikurse nuk është një klithje për ta ruajtur objektin se s’bën. Qëllimi im do të ishte amoral në qoftë se unë do të drejtoja tjetër organizatë dhe do t’i isha bashkuar qeverisë së sotme, ky është qëndrimi amoral. Qëndrimi im është etik. Unë nuk kam ndryshuar asnjë qëndrim pasi nuk kam pasur një qëndrim për teatrin. Pse unë nuk kam një qëndrim për teatrin është një gjyq që duan të ma bëjnë njerëzit dhe mund ta bëjnë gjyqin… Asnjë njeri nuk mund të dënohet se pse nuk ka një qëndrim, njerëzit mund të dënohen se pse kanë një qëndrim”.

Zhurma që kjo çështje ka prodhuar së fundmi është shtuar edhe në saje të rekomandimit nga Komisioni Europian, për të cilin Shkreli shprehet kështu: “Çështja e teatrit pas sugjerimit të Komisionit Europian është që ata nuk e panë fare në këtë pikëpamje që shtrohet këtu. Ata u prononcuan, thanë ju bëni këtë praktikë por nuk mund ta përcaktoni firmën me ligj. Ata thonë hapeni garën për të gjithë. Në një farë mënyre ata e kapërcejnë këtë debat pasi nuk u intereson sepse mendojnë se veprojnë ligjet shqiptare. Nëse objekti është i mbrojtur si monument kulture nuk mund të preket”.

Duke shtuar se debati për teatrin është pjesë e natyrshme e zhvillimit të një qyteti, Shkreli e vuri theksin në faktin se mbrojtja e tij duhej të kishte filluar ndoshta edhe më herët.

“Qytetet zhvillohen me gjëra të cilat kompensohet dhe në fund dalin gjëra shumë të mira ose përkundrazi mbështeten shumë fort dhe del që ajo mbështetje nuk ia ka vlejtur. Ne nuk duhet të mësohemi t’i mbrojmë gjërat kur kanë afër rrezikun por duhet t’i mbrojmë përpara”.

Diskutimi në forum ka vijuar edhe më tej duke prekur edhe çështje të tjera si ndërtimet që janë bërë vitet e fundit në Shqipëri, infrastruktura e re, “zgjerimi” dhe funksionimi i qyteteve dhe veçanërisht kryeqyteti, parë në këndvështrimin e një eksperti të fushës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A do të riformatohet politika shqiptare në shtator?

Nga Ervis Iljazaj Fitorja e vetme e Partisë Socialiste në 25 Qershor,...
Read More