Basha nis bashkimin e madh…

Shpëtim Idrizi u takua me Lulzim Bashën për të konfirmuar daljen në një koalicion të përbashkët. Idrizi dhe Basha shpjeguan arsyet e këtij bashkëpunimi të ri, pse PDIU-ja sot është në Kuvend me tre deputetë më pak, a do të ndikojë ky pakt në raportin e PD-së me Dulen dhe kush e “bekoi” marrëveshjen e re PDIU-PD  

Nga Nevila Përndoj

Ashtu siç ishte paralajmëruar, kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe ai i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, u takuan dje në Hotel “Rogner”.

“Dua t’i uroj mirëseardhjen Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe liderit të saj Shpëtim Idrizi në Frontin e Opozitës së Bashkuar”, – tha Basha pas takimit 60 minutash me Idrizin.

PDIU dhe PD shkëputën fijet e tyre politike tre vite me parë, kur Rama bëri pakt parazgjedhor me Idrizin.

Idrizi u takua me Bashën pas mandatimit të partisë së tij, dhe një interviste televizive ku foli shumëçka lidhur me marrëdhëniet e PDIU-së me PS-në dhe realitetin politik në të cilën ndodhet grupi parlamentar në Kuvend.

Idrizi shkoi në takimin me Bashën pa pasur në krah tre deputetë të grupit parlamentar të PDIU-së. “…Këta deputetë që nuk janë as anëtarë të Komitetit Shqiptar të Çamërisë, janë ndodhur rastësisht nëpër listat tona. Kanë qenë të katërt, të pestët, të gjashtët në listë dhe po të zgjatem, ju e dini që është egzekutuar mandati i Tiranës, i Fierit dhe i parit të Elbasanit, në mënyrë që të hyjnë njerëz të rastësishëm… ata dolën nën siglën e PDIU-së, por që ditën e parë votuan për maxhorancën. Për ta mbyllur, nëse do t’i pyesni sot ata nuk e dinë as ku është selia e PDIU-së”, – tha Idrizi për mediat

Takimi mes Idrizit dhe Bashës dje nuk ishte aq formal. Basha shoqërohej nga Albana Vokshi dhe Edmond Spaho. Edhe Idrizi shoqërohej nga Mesila Doda dhe një tjetër zyrtar i PDIU-së. Takimi i tyre u “bekua” nga një përfaqësues jashtë palëve. Ai është ish -Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Riccardo Migliori, përfaqësues i PPE-së. Ky i fundit e krahasoi takimin “të bukur” njësoj si dita e djeshme me diell.

“Jam këtu sot, sepse është një ditë e bukur për të gjithë shqiptarët, sepse kjo marrëveshje është një marrëveshje e dobishme, pasi thjeshton politikën shqiptare, rrjedhimisht është e dobishme për demokracibë shqiptare…”, – tha z.Migliori

Basha

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha nuk u ndal në qendrimet e së kaluarës ndaj PDIU-së, që për hir të së vërtetës kanë qënë të shumta dhe plot kritika. Dje, ai shpjegoi për medien, arsyet e riafrimit me Idrizin.

“…Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar kanë sot një mision jetik për çdo familje shqiptare. T’i japim fund bashkëqeverisjes me krimin, të largojmë një orë e më parë aleancën e pushtetit me krimin që ka zaptuar Qeverinë, Parlamentin, institucionet e drejtësisë, Policinë, të çlirojmë vendin nga sundimi i bandave…”, tha Basha në krah të Idrizit.

Plot tre vjet me parë, kryetari i PDIU do të rëndiste si arsye të largimit nga PD edhe çështjen çame. Por Basha nga ana e tij siguroi se, “Partia Demokratike e Shqipërisë ka qënë, është dhe mbetet thellësisht e angazhuar për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë”.

Por sa e largon kjo çështje dhe afrimi i PDIU-së, PD-në nga partia e Vangjel Dules?

“Bashkëpunimi me PDIU, jo vetëm nuk drejtohet kundër interesave të minoritetit grek apo çështjeve të tjera të drejtave të njeriut por është një vlerë e shtuar në përpjekjen e Partisë Demokratike si forca kryesore e opozitës për të kontribuar realisht dhe racionalisht në avancimin sipas standardeve dhe vlerave europiane të kauzave të të gjithë anëatrëve të koalicionit tonë duke përfshirë edhe partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”, u përgjigj Basha.

Idrizi

Edhe Shpëtim Idrizi i PDIU-së foli për arsyet e shkëputjes nga bashkëpunimi me PS-në.

“Jam këtu për të thënë që nga opozitë jemi pjesë e opozitës zyrtare, sepse besoj se Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë me përmbajtje përballë kësaj maxhorance arrogante…”, – tha Idrizi. Sipas tij, ka ardhur koha që kjo opozitë të ketë alternativën e saj. “Dhe ne përfundimisht të ndahemi nga ky tranzicion i tejzgjatur, të vendosim shtetin ligjor dhe t’i japim shpresë shqiptarëve”, nënvizoi ai. Sigurisht, Idrizi nuk shmangu nga diskursi i tij politik edhe çështjen çame.

 

A do të hyjë PD në zgjedhje me Ramën kryeministër? Ja si përgjigjet Basha 

“…A do të hyjë opozita në zgjedhje me Edi Ramën? Duhet të ikë Rama. Me Ramën në pushtet nuk ka zgjedhje. Është vetëvrasje për opozitën nëse shkon në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Kjo është thirrje për mosbindje civile…”, kështu deklaroi pak ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut. Por a ndan edhe Basha të njëjtën mendje me Berishën? “Sot do të mbetemi tek ky lajm dhe jam i sigurtë që do të keni shumë shpejt mundësinë të më pyesni gjerë e gjatë edhe për çështje të tjera të aktualitetit politik”, – u përgjigj Basha për mediat.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi Read More