Berati i pafund në romanin e Saimir Muzhakës

Nga Diana Çuli

Bota dixhitale duket sikur i ka ndryshuar gjërat me një shpejtësi të rrufeshme, sikur ka globalizuar, njësuar, rrafshuar e klonuar jo vetëm tregjet, veshjet, mënyrën e të folurit në telefon e pa telefon, por edhe vetë mendimet, ndjesitë, përshtypjet, reflektimet. Të rinjtë në shumicën e botës vishen me xhinse, hanë fast-food-e, komunikojnë në Facebook, në Instagram, më pak në Twitter, filmat i shohin në Netflix, dashurinë ndoshta e gjejnë dhe përmes chat-it. Por, a mos janë edhe këto të gjitha vetëm ndjesi e përshtypje dhe realiteti është shumë më i ndërlikuar ? Një pyetje naive kjo, ndoshta, megjithë vërtetësinë e fakteve të mësipërme.

Qyteti plak i Saimir Muzhakës, roman që ka dalë vitin e kaluar, botuar nga shtëpia botuese ONUFRI e kundërshton këtë përshtypje, këtë pamje ekzistuese, si të jetë një cipë e hedhur për të verbuar sytë e pavëmendshëm e për të fshehur të vërtetën. Personazhet e kohës së sotme të Saimir Muzhakës enden rrugëve të qytetit të tyre në një kohë të përjetshme, rrjedha e së cilës nuk ua ndikon jetën në varësi të zhvillimit teknologjik të njerëzimit.

Të rinjtë e qytetit të lashtë të Beratit, ndoshta më të lashtit qytet të trevave shqiptare, janë të epokës dixhitale edhe ata, si të rinjtë e Tiranës dhe të të gjithë botës. Por ata nuk ndihen të lumtur. Ata nuk e gjejnë shpëtimin tek ekrani i vockël i telefonit, sepse ata ndodhen në udhëkryqe të shumta jetike. Tre prej tyre vdesin në një ditë, si përbetim i fshehtë, i pakuptueshëm. I katërti…ka pikëpyetje dhe për të, në fund. Ku do të shkojë, cila është rruga e tij…përse ky trishtim, kjo vuajtje, ky ngërç, ky peng?

Romani, një version të parë të të cilit, në proces ripunimi, e kam lexuar dikur, më ka goditur që atëherë me frymën e rëndë të ankthit dhe angushtisë. Sigurisht, kështu si paraqitet para lexuesit shpalos një panoramë shumë më të plotë e më të thellë të ekzistencës njerëzore në një provincë, po edhe kredon letrare të autori, që dëshmon se do të rrëmojë pafund në skutat e shpirtit të njeriut. Dhe ka gjetur pikërisht një tokë pjellore, sepse është qyteti i tij që e njeh mirë, sepse ku, më fort se kudo mund të ngrinte perden e kontradiktave që e mbërthejnë atë?

Për turistin Berati është qyteti i shumë mrekullive, për shqiptarët që nuk jetojnë atje, djep i shumë krenarive identitare, për banorin e tij ndoshta të gjitha këto janë një peshë e rëndë që i shtyp. Jo për ata që nuk mendojnë më në të ardhmen, por në të shkuarën, por për ata të cilët e tashmja i tmerron me mediokritetin e saj. Ata janë të rinjtë që “vdesin” nëse nuk marrin ajër të ri, nëse duhet të gjallojnë mes vogëlsirave të një jete të vogël, nëse duhet të dërmohen nën mallkimin, për fat të keq, edhe të nënave që nuk e kuptojnë aspiratën e tyre, nën paragjykimet, “traditat” që i tërheqin pas si detyrim dhe jo si kulturë. Ata enden në këtë shoqëri të larmishme e të zymtë, të rrethuar nga madhështia dymijëvjeçare, duke kërkuar një normalitet, të thjeshtë, por entuziast për jetën e tyre njëzet-njëzet e pesë vjeçare.

Kjo qasje e Saimir Muzhakës është tejet origjinale dhe e pashkelur nga autorët tanë më të rinj. Edhe mjetet artistike që përdor, që nga misteri, enigma, karakterizimet e personazheve të ndryshëm, simbolikat, ritmi i dialogëve, kanë origjinalitetin e tyre. Gjuha e përdorur, e pasuruar me thesaret leksikore e figurative të asaj zone është një tjetër mjet i punuar me shkathtësi e lehtësi, gjë që tregon për një punë të gjatë e të studiuar. Mendoj se ky roman është një tregues i fortë për seriozitetin me të cilin hyri në letërsi autori, një hap i rëndë dhe i vendosur, që me siguri do të pasohet nga të tjerë romane të tij.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Princi Harry i tha gjënë më të ëmbël djalit, që si ai kishte humbur të ëmën…

    Gjatë turit të tij në Zelandën e Re, Princi Harry...
Read More