Biçim romani i Virgjil Muçit

Nga Edison Ypi – Nis e lexon biçim romanin e Virgjil Muçit. Që në faqet e para ndjehesh i rrethuar me duna rëre mes një Sahare as të ngrohtë as të ftohtë, pa diell e pa hënë, ku mund të udhëtosh gjithë jetën dhe të mos shohësh asnjë beduin, asnjë deve, asnjë oaz, por rërë dhe vetëm rërë ngado që të hedhësh sytë. 

 

 

Biçim romani i Virgjil Muçit, si gjithë biçim romanet, nuk të lodh, nuk të shplodh, nuk të mahnit, nuk të magjeps, nuk të bën të ëndërrosh, nuk të qartëson, nuk të turbullon, nuk të çon kurrkund, nuk të sjell prej askund, nuk të djersit, nuk të freskon, nuk të ankthëson, nuk të relakson, nuk të thur, nuk të shthur, nuk të sëmur, nuk të shëron, nuk të bën të qash, nuk të bën të qeshësh, nuk të bën të kujtosh, nuk të bën të harrosh, nuk të mbron, nuk të sulmon, nuk të entuziazmon, nuk të zemëron, nuk të shtyn, nuk të tërheq, edhe nëse e lexon edhe nëse nuk e lexon, edhe nëse ekziston, edhe nëse nuk ekziston.

Biçim romani i Virgjil Muçit nuk të bën asgjë sepse biçim romani i Virgjil Muçit nuk është shkruar për t’u lexuar. Biçim romani i Virgjil Muçit është shkruar vetëm për t’u promovuar, vetëm për t’u llafosur si sukses i padiskutueshëm, si vepër me vlerë, si kryevepër e pashoqe.

E lexon biçim romanin e Virgjil Muçit, dhe, ngaqë nuk të besohet se kotnia e kotnisë ekziston, pyet veten; Morpo çfarë është ky që kam përpara; Kullorëse makaronash pa brima, xhezve plastike me ujë dhe një vezë brenda që po ta vësh në zjarr shkrin për dy sekonda, tenxhere me presion pa valvul shkarkimi, tigan me vrima?

Me bindjen se nuk mund të ketë roman ku asgjë nuk ndodh, vazhdon lexon biçim romanin e Virgjil Muçit me shpresë se pas ca faqesh pas ca kapitujsh gjithsesi diçka do ndodhi. Gabohesh. Përveç episodeve banale me përplasje gotash dhe batuta pijanecësh që ndodhin mijëra herë çdo ditë nëpër hotelet dhe kafenetë e Shqipërisë, në biçim romanin e Virgjil Muçit nuk ndodh asgjë tjetër. Në biçim romanin e Virgjil Muçit diçkaja që pritet të ndodhi, duke bërë shumë kujdes për të mos u shfaqur, ndërron vazhdimisht skutën ku është fshehur.

Ke bërë udhëtime, ke parë male me qeleshe bore, lugina të përdredhura, ujëvara me ujëra gurgulluese me veti shëruese, ke dëgjuar banorë lokalë që të rrëfejnë dromca mahnitëse nga jetët e tyre në dialekte muzikore me të ikë menia e kres, e të tjera e të tjera. Në biçim romanin e Virgjil Muçit nuk ka të tilla. Në biçim romanin e Virgjil Muçit mund të gjesh, e shumta, rreziqe të hamendësuara se po vajte diku mund të shpohet goma, ndoshta ta prishin qefin disa ngatrresaxhinj, dhe të tjera të papritura të pakëndshme të papërcaktuara.

Biçim romani i Virgjil Muçit, gjatë leximit të jep ndjesinë sikur po kafshon llastik, po pi uthull, po ha lëvozhga arre, po përtyp zhavorr.

Biçim romani i Virgjil Muçit, nuk ka asgjë të butë, asgjë të ngrohtë, asgjë njerëzore, nuk ka jetë, nuk ka ndjeshmëri, nuk ka magji, nuk ka energji, frymëzim, fluturim, dritë, diell, qiell.

Biçim romani i Virgjil Muçit ka vetëm gjëra të thata, të shkreta, të ftohta, nga ato me të cilat është marrë Sigurimi i Shtetit; Pasaporta, viza, vula, aeroporte, hotele, recepsione, kafe, konjak, whiskey, biseda gjoja të thella por në fakt pa pik yndyre.

Biçim romani i Virgjil Muçit është një kazan plehrash plot me kotnira dhe budallallëqe.

Në faqen 47 njëri i thotë tjetrit të ulet “në të vetmin kolltuk që të zinte syri në atë dhomë”. A thua se në atë dhomë kishte edhe kolltuqe të tjerë që syri nuk i zinte, por tjetri mund të ulej.

Në faqen 90, mysafiri “u lëshua mbi kolltukun e parë që i doli para”. Që i bie se mysafiri mund të ishte lëshuar edhe në të dytin apo të tretin kolltuk që do t’i dilte para, megjithëse fjala është për të njëjtën dhomë dhe “të vetmin kolltuk që të zinte syri në atë dhomë”, ekuacion ky që, veç Virgjil Muçit, s’ka kolltukollog as kolltukofag që e zgjidh.

Në faqen 72 kapitulli fillon me; “Bari ishte…”. Të Shkojnë mornica nëpër trup. Të duket se më në fund diçka e vërtetë, diçka e gjallë e me jetë, bari i një lëndine, qoftë edhe 1 fije e vetme, më së fundi u shfaq në horizont. Gabohesh. Nuk është fjala për bar lëndine apo pllaje, apo kullote, por për Barin e Hotelit ku pihet kafe dhe bëhen dallavere.

Në faqen 79, “vuri buzën në gaz pa të keq”. Pra për Virgjil Muçin e biçim romanit normalisht “buza në gaz” vihet gjithmonë “me të keq” dhe vetëm në raste të rralla buza në gaz vihet për të mirë. Ç’makabritet.

Në faqen 85, “Bari para lulishtes Taivani…”. Përsëri mornica. Përsëri zhgënjim. Fjala nuk është për barin e lulishtes, por për një kafene në parkun përballë hotelit.

Kur ke lexuar mbi 150 nga 200 e ca faqet e biçim romanit të Virgjil Muçit dhe bindesh se ajo çka po bën nuk është asgjë tjetër përpos një masturbim gjatë të cilit hallatin e tund ti qefin po e bën Virgjili, vjen në vete dhe kupton se je duke bërë gjënë më të pakuptimtë që mund të bëjë një banor i rruzullit. Ndodhesh mu aty ku takohen të gjitha kotnitë e botës. Në antipodin e qendrës së gravitetit të universit; Qendrën e papeshës. Do kishte qenë më mirë të ishe dënuar me 25 vjet në Spaç për të shtyrë vagona brenda galerive. Të kap paniku. Ke bërë gabim fatal. Ke filluar diçka që nuk mund ta mbarosh as me durimin e derrit as me budallallëkun e gomarit, as me ngadalësinë e breshkës, as me shpejtësinë e dritës. Ndjen se po fundosesh në një gropë balte me mure vertikale nga e cila nuk del dot sado të kacavirresh. Bërtit sa të duash për ndihmë. Je kthyer disa shekuj pas. Zëri nuk arrin. Nuk të dëgjon kush. Nga gropa e baltës së biçim romanit të Virgjil Muçit nuk del dot më, brenda asaj grope mbetesh përgjithmonë. Aty e lë leximin. Flak biçim romanin. Ja fut gjumit.

Vetëm kur i ke mbaruar të gjitha punët. I ke zgjidhur të gjitha hallet. I ke hequr të gjitha meraqet. I ke bërë të gjitha qejfet. Ke dalë në pension. Kanë kaluar ca vite. Je sëmurur. Ndodhesh në një shtrat reanimacioni. Të kanë futur në hundë një tub oksigjeni. Pas pak do vdesësh. Vetëm ajo është koha më e përshtatshme dhe rasti më i mirë ta lexosh biçim romanin e Virgjil Muçit që është po aq roman sa Lana është Nil, dhe vetë Virgjl Muçi po aq shkrimtar sa shitësi i frutave te qoshja e rrugës, astronaut.

Shkruar Nga
More from Redaksia

SHÇBA po heton rolin e policëve në ngjarjen me patentat e Tahirit

“Kam ngarkuar SHKB-në të hetojë dhe për përgjegjësitë që kanë policët në...
Read More